GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për Safet e Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin, të cilët akuzohen për vrasjen e Fatbardh Licit në Shkodër.
Në një deklaratë për mediat, avokati, Sokol Tahiraj tha se klientët e tij nuk kanë lidhje me këtë çështje.
“Në lidhje me një cështje të 2017, ku hetimi vazhdonte që nga ajo kohë. Shtetasi Safet Rustemi, nuk ka lidhje me këtë cështje, as Astmer Bilali dhe as Behari. Nuk e kanë pranuar këtë fakt penal."
Avokati u shpreh se Safeti e bëri të qartë se u paraqit vetë dhe tha se është i hapur me hetimin.
“Sa herë më kanë ardhur kontroll banese, jam i hapur për hetimin. Nuk kam pasur mundësi për të ikur se po të ikja nuk më kapnin kurrë. Jam këtu se dua të përballem me hetimin”, citoi avokati Safet Bajrin.
I pyetur ne lidhje me analizen e ADN-se, avokati tha: “Kjo është pjesë e hetimit, por Safet Bajri e ka dhënë analizën e AND sa herë është shoqëruar, e kanë analizën e ADN. Nuk e di për çfarë ngjarje kërkohet, atë e di prokuroria”.