Një incident i rëndë ka ndodhur pasditen e së martës në zonën e Skërficës, në afërsi të Sarandës, ku një autobus është përfshirë nga flakët. Ngjarja ka shkaktuar panik te udhëtarët, por për fat të mirë nuk raportohet për persona të plagosur.
Zjarri shpërtheu papritur gjatë udhëtimit dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale në automjetin e transportit publik. Menjëherë pas njoftimit, zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje dhe arritën të lokalizojnë dhe shuajnë flakët.
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar arsyet që çuan në këtë ngjarje. Fatmirësisht, ndërhyrja në kohë shmangu pasojat në njerëz.