Presidenti rus, Vladimir Putin i ka dalë në mbrojtje të presidentit amerikan, Donald Trump, pasi dhoma e përfaqësuesëve votoi akuzat për shkarkimin e tij.
Putin ka thënë se procesi i shkarkimit ndaj presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ishte i bazuar në akuza të “ëndërruara”.
“Procesi ende duhet të kalojë në Senat ku republikanët me sa di unë e kanë shumicën”, tha Putin.
Sipas presidentit rus, “partia që humbi zgjedhjet po e vazhdon luftën me mënyra të tjera”. Me këtë ai iu referua Partisë Demokratike në SHBA.
Putin e krahasoi procesin për shkarkimin e Trumpit, me hetimet e mëparshme ndaj presidentit amerikan, lidhur me pretendimet për bashkëpunim me Rusinë, për të cilat Putin tha se ishin të pabazuara.
Në konferencën për media të cilën e mbulojnë 1,895 gazetarë, Putin tha gjithashtu se Rusia është e gatshme të dakordohet për një traktat të ri të armëve me Shtetet e Bashkuara, por se nuk ka pasur asnjë përgjigje deri më tani, për propozimet ruse, lidhur me këtë çështje.