Çmimet e pasurive të paluajtshme në vendin tonë janë rritur me 60% në 10 vitet e fundit.
Krahasuar me Bashkimin Europian, ku rritja mesatare është 45%, në vendin tonë për të blerë një banesë kërkohen edhe më shumë para. Por nëse krahasojmë pagat, ato nuk kanë pasur të njëjtin ritëm rritjeje, përkundrazi, krahasuar me vendet e BE-së, Shqipëria renditen shumë poshtë mesatares.
Në vitin 2013 një banesë në Tiranë kushtonte 62 mijë euro, ndërsa çmimi i saj sot ka arritur 100 mijë euro. Vlera e saj është rritur me rreth 60% në një dekadë.
Gjatë viteve të fundit ndërtimi është kthyer në një nga sektorët kryesorë të rritjes ekonomike në vend.
Të dhënat ilustrohen sipas `Indeksit Fischer` të Bankës së Shqipërisë, indeks që mat ecurinë e çmimit të banesave në kryeqytet dhe në rrethe.
Banesat zënë rreth 80% të pasurisë së paluajtshme të familjeve shqiptare.
Ato janë burimi më i sigurt financiar për ta, nëse shtojmë faktin se 65% e pasurisë përfaqësohet nga banesa kryesore. Mbi 90% e familjeve e zotërojnë banesën ku jetojnë.
Nga ana tjetër edhe rritja e çmimeve të tjera të shportës bazë, sidomos gjatë muajve të fundit ka qenë e ndjeshme në pjesën dërrmuese të vendit. Kurse banesat janë shtrenjtuar veçanërisht në pjesën qendrore dhe atë në bregdet.
Ndërkohë, Eurostat ka matur ndryshimin e çmimit të pasurive të paluajtshme në vendet e Bashkimit Europian dhe sipas vlerësimeve të një dekade, në të gjithë zonën euro çmimet janë rritur me 45%. Në vende si Hungaria, Estonia e Luksemburgu, vlera është rritur me mbi 130%, kurse çmimet e banesave janë zhvlerësuar në Itali, Greqi e Qipro.
Është tregu ai që rregullon çmimet, por ndonjëherë është edhe vizioni i munguar politik që çrregullon tregun. Barra në rastin e dytë bie mbi konsumatorin. Me çmimet aktuale të banesave, çdo qytetari që merr një pagë mesatare, ndoshta do t'i duhet gjithë jetën të punojë, dhe vështirë se mund të blejë një shtëpi që kushton 100 mijë euro, çka shpjegon edhe mungesën e persepktivës si dhe largimin e tyre masiv vit pas viti. /Liberale.al/