Vendet e zhvilluara, edhe pse kryejnë investime të shumta në arsim dhe kanë ndër universitetet më të mirë në botë, po kërkojnë fuqi të kualifikuar punonjësish nga jashtë.
Një ndër to, që ka shpallur emergjencë, është qeveria e Australisë.
Qeveria e drejtuar nga Anthony Albanese ka shpallur si prioritet përpunimin e 60,000 aplikimeve për viza të përhershme, nga punonjës të huaj, të kualifikuar, për të plotësuar vendet më urgjente të punës. Sekretarja e Brendshme Clare O'Neil tha se, ndërkohë, që kishte mungesë të fuqisë punëtore në të gjithë fushat e ekonomisë, një mungesë të madhe punëtorësh kishte në fushat e shëndetësisë,, arsimit dhe kujdesit për të moshuarit.
“Pavarësisht nëse po flas me pronarët e kafeneve dhe pronarët e lokaleve, në zonën time elektorale ose me korporatat shumëkombëshe, me të cilat merrem në rolin tim ministror, të gjithë thonë se po luftojnë për të gjetur punëtorë”, tha zonja Clare.
“Por ka fusha ku kemi një nevojë akute kombëtare”.
“Po kërkojmë punonjës të kujdesit shëndetësor, infermierë, punonjës të kujdesit për të moshuarit, apo edhe në mësimdhënie. Këto janë fushat që janë prioritet kyç për të rekrutuar të huaj”.
Qeveria australiane do të vazhdojë të përpunojë sasinë e një milion vizave në sistem, për të gjithë aplikimet e të gjitha profesioneve, ndërkohë që do të ketë prioritet mungesat afatshkurtra të fuqisë punëtore, veçanërisht ato të kujdesit shëndetësor.
Clare tha se ishte zgjeruar edhe stafi për t'u marrë me përpunimin e vizave dhe rekrutimin e punonjësve tëhuaj, për të gjitha prioritetet që ka përcaktuar qeveria e drejtuar nga Anthony Albanese.
Australia kur ka pasur nevoja emergjente u ka dhënë prioritet emigrantëve që ndodheshin ilegalisht në atë vend. Ndryshimi u jep përparësi njerëzve që janë jashtë, të cilët duan të punësohen dhe plotësojnë kriteret, që përmes aplikacioneve që u ka vënë në dispozicion qeveria australiane, të bëhen pjesë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Australia aktualisht ka 160,000 migrantë të përhershëm të kualifikuar.
Qeveria australiane po planifikon në shtator një samit me bizneset për numrin e punëtorëve që kërkohen, sindikatat dhe sektorët e tjerë për të diskutuar madhësinë dhe përbërjen e ardhshme të skemës së migrimit të përhershëm të Australisë.
Duke qenë se kufijtë kanë qenë të mbyllur për gati dy vjet, si dhe komunitetet e biznesit dhe ekonomia që kërkonin vazhdimisht e më shumë punëtorë, janë këto shkaqet kryesore sipas autoriteteve që e kanë vendosur Australinë në një situatë të tillë.
Programi i mesëm imigrimi që do të ndihmojë të plotësojmë nevojat e popullit australian dhe të ekonomisë së këtij vendi, mund të kthehet në realizimin e ëndrrës për shumë qytetarë të vendeve në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar të fitojnë një vizë pune apo leje qëndrimi në Australi. /A. Muraçi/
Liberale.al/