Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Si do të reagojë 77.84 për qind e elektoratit, që nuk votoi 4 vite më parë

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Tërheqja e opozitës nga zgjedhjet lokale të vitit 2019 i dha mundësi partisë në pushtet, që të merrte drejtimin e 60 nga 61 bashkitë e vendit, ndonëse në zgjedhje votuan vetëm 22.26 % e zgjedhësve (77.84 % nuk morën pjesë), sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, pa llogaritur faktin që procesi u shoqërua edhe me një numër të lartë të votës së parregullt apo të pavlefshme.

Sa i takon pjesëmarrjes në rang kombëtar, në zgjedhjet e fundit parlamentare të 25 Prillit 2021, në votime sipas shifrave zyrtare morën pjesë 46.32% e votuesve, ose më pak se gjysma. Në zgjedhjet e fundit me rotacion të vitit 2013 votuan 53.47% e zgjedhësve, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 pjesëmarrja ishte 50.52%. Në proceset e tjera zgjedhore pjesëmarrja ka qenë nën 50%, që do të thotë se shumica e votuesve nuk e ka shprehur vullnetin, as për qeverisjen vendore dhe as për atë lokale. Pra, në dy dekadat e fundit, PS-së veç koalicionit me LSI, atë vitit 2013, për të rrëzuar të djathtën i është dashur edhe ndihma e elektoratit gri, teksa shifrat zyrtare tregojnë në atë vit një pjesëmarrjen rekord në votime.

Referuar numrit të bashkive të fituara nga e djathta dhe e majta, zgjedhjet e fundit ku pati garë, ato të vitit 2015 prodhuan një rezultat gati identik në shifra me zgjedhjet lokale të vitit 2000. Tetë vite më parë demokratët, të bashkuar në atë kohë, fituan 15 bashki kundrejt 45 të së majtës, edhe kjo e bashkuar në vitin 2015, PS dhe LSI. Demokratët kanë dominuar qeverisjen vendore në vitet 1992, 1996 dhe 2007, kurse socialistët kanë dominuar katër proceset e tjera zgjedhore lokale, përkatësisht më 2000, 2003, 2011 dhe 2015, pa përfshirë 2019, ku e morën në tavolinë fitoren, në të gjitha bashkitë.

Në dallim nga zgjedhjet parlamentare, shifrat zyrtare tregojnë se në zgjedhjet lokale partitë e mëdha humbin vota kurse partitë e vogla fitojnë më shumë vota. Kjo ndodh për disa arsye. Në zgjedhjet lokale partitë e vogla mbështeten te më shumë mbështetësit klientelistë, farefisi etj, dhe kryesisht rrjedhja ndodh për garën në këshillat bashkiakë, në radhët e së cilës një kandidatit i mjafton disa qindra vota, ndryshe nga zgjedhjet e përgjithshme ku deputetit i nevojiten mbi 10 mijë vota.

Në zgjedhjet vendore në Shqipëri u mbajtën më 21 qershor 2015 garuan rreth 60 parti politike, ose rreth 20 më shumë se në zgjedhjet e 2023, ndërsa në garë ishin gjithsej 157 kandidatë për kryetarë, në 61 bashki të vendit. Sipas shifrave zyrtare, rreth 3.370.206 shtetas shqiptarë ishin regjistruar në listat e zgjedhëse për të ushtruar të drejtën e votës, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 48 për qind, ose më pak se gjysma. Besohet se pas pandemisë janë larguar me qindra mijëra votues, çka pritet që pjesëmarrja në votimet e 2023 të jetë edhe më e ulët. Për të tretat zgjedhje, nga reforma territoriale e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, do të votohet për kryetarët e rinj në 61 bashkitë e vendit, ndërsa më parë në Shqipëri ekzistonin 373 bashki dhe komuna (njësi vendore).

Në avantazh konkurrues nga situata që është krijuar në radhët e opozitës, partia në pushtet duket se i ka vënë si objektiv të arrijë të paktën rezultatin e vitit 2015, për të fituar 45 bashki.

Me ose pa surpriza, rezultati i zgjedhjet lokale të 2023, do të varet nga reagimi i elektoratit gri dhe organizimi i partive për këshillat bashkiakë.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH