Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Bashkitë ku pritet të ketë surpriza në zgjedhjet e 14 majit, 122.545 zgjedhës votojnë për herë të parë

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: Bashkitë ku pritet të ketë surpriza në

Të dielën e 14 majit qytetarët shqiptarë me të drejtë vote do të vendosin për kryetarët në 61 bashkitë e vendit dhe për këshillat e tyre bashkiakë.

5212 qendra votimi do çelin dyert prej orës 7.00 të mëngjesit. Partia në pushtet, e cila kontrollon aktualisht 60 nga 61 bashkitë e vendit, për shkak të tërheqjes dhe përçarjes së opozitës, më tepër për këtë arsye shihet në avantazh që të fitojë sërish shumicën e tyre.

Deri diku e lexueshme, opozita shpreson të marrë sa më shumë bashki në veri dhe maxhoranca në jug. Por gara shihet si më tepër interesante dhe e ekuilibruar në tri bashki të mëdha, Shkodra, Durrësi dhe Elbasani, ku ethet e numërimit besohet se do t'i mbajnë kandidatët deri në fund dhe ku mund të ketë surpriza dhe përmbysje.

KQZ ka bërë shpërndarjen e materialeve zgjedhore së bashku me dokumentacionet përkatëse në shumicën e qendrave të votimit. Në zgjedhjet vendore të 14 majit 122.545 zgjedhës do të votojnë për herë të parë.

Në numrin e të regjistruarve që do të votojnë për herë të parë janë llogaritur edhe ata të cilët mund të jenë në emigrim, ashtu si edhe prindërit e tyre.

Materialet zgjedhore kanë nisur të shpërndahen që më 9 Maj fillimisht në bashkitë e qarqeve Dibër, Lezhë, Gjirokastër, Fier, e më pas në bashkitë e tjera. Në garë janë 144 kandidatë, ndërkohë që 23.700 të tjerë konkurrojnë për të qenë pjesë e këshillave bashkiakë.

Zgjedhjet vendore të 14 majit do të monitorohen nga 230 vëzhgues ndërkombëtarë, ku pjesa më e madhe janë angazhuar nën drejtimin e misionit të ODIHR-it

Në 3 bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë, votimi si dhe numërimi do të kryhet në mënyrë elektronike, ku rezultatet paraprake pritet të publikohen menjëherë pas mbylljes së procesit të votimit.

Në këto bashki ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore, ku do të jetë policia e cila do të marrë në ruajtje qendrat e votimit deri në fillimin e procesit të votimit. Më tej uniformat blu, do të pozicionohen në terren për të qenë në gatishmëri deri në përfundimin e procesit zgjedhor.

Numri i votuesve sipas qarqeve:

Qarku i Shkodrës ka 275, 864 votues dhe votohet në 5 bashki.

Qarku i Lezhës ka 176 mijë banorë me të drejtë vote, ku më 14 maj në bashkitë Lezhë, Kurbin dhe Mirditë do përcaktohen kryetarët dhe këshillat e rinj bashkiakë. Për Bashkinë e Lezhës janë thirrur për të votuar në zgjedhjet lokale të vitit 2023, rreth 90 mijë votues. Bashkia e Mirditës numëron 27 mijë votues dhe Bashkia e Kurbinit numëron 59 mijë votues.

Qarku i Dibrës ka 131,282 qytetarë me të drejte vote, të cilët do t’i drejtohen 224 qendrave të votimit në katër bashkitë e saj për të zgjedhur kryebashkiakun e ardhshëm.

Qarku i Kukësit, i përbërë nga 3 bashki, ka gjithsej 84,656 qytetarë me të drejtë vote.

Qarku i Durrësit ka 3 bashki dhe në total ka 368, 201 votues. .

Qarku i Tiranës ka 937, 681 qytetarë me të drejtë vote në 5 bashkitë e saj. Në këtë qark vetëm Bashkia e Kamzës ka 109 mijë votues.

Qarku i Vlorës, në 7 bashki, janë thirrur në votime 323.226 zgjedhës, të cilët do të votojnë për 17 kandidatë dhe 175 emra për këshillat bashkiakë.

Qarku i Fierit ka në total 408 mijë e 231 votues, të cilët do të zgjedhin kryebashkiakët në bashkitë Fier, Divjakë, Lushnje, Mallakastër, Patos e Roskovec.

Qarku i Elbasanit ka 351, 455 qytetar me të drejtë vote në 7 bashkitë e qarkut.

Qarku i Beratit janë 184 143 votues dhe 276 qendra votimi në total për 5 bashkitë që përfshihen në të.

Qarku i Korçës ka 6 bashki ku janë vendosur 425 qendrat e votimit ku do të jenë 285, 626 qytetarë me të drejtë vote.

Qarku i Gjirokastrës do të ketë 122.806 qytetarë me të drejtë vote, që do zgjedhin kryetarët e 7 bashkive.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH