Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 6,2 % paguhen më tepër meshkujt se femrat, papunësia më e madhe tek ata me shkollë të mesme

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Gjatë vitit 2022, forca e punës vlerësohet të jetë 1.457.959 persona, ku meshkujt përbëjnë 53,7 % të forcës së punës, ndërsa femrat 46,3 %.  Të punësuar vlerësohen të jenë 1.298.380 persona, ku meshkujt përbëjnë 54,0 % të të punësuarve dhe femrat 46,0%.

Të papunë gjithsej vlerësohen të jenë 159.579 persona, ndër të cilët 52,0 % janë meshkuj dhe 48,0 % janë femra. Shkalla e zyrtare e papunësisë për grup-moshën mbi 15 vjeç është 10,9 %. Për meshkujt, shkalla zyrtare e papunësisë është 10,6 % ndërsa për femrat është 11,4 %.

Ndërkohë shkalla e papunësisë për grup-moshën 15-74 vjeç është 11,0 %. Në krahasim me mesataren europiane prej 6.3% (Eurostat), shkalla e papunësisë tek të rinjtë shqiptarë është rreth tre herë më e lartë. Edhe në raport me shtetet e tjera të rajonit, treguesi është shumë më negativ. Sipas Eurostat, në Serbi, papunësia tek grupmosha 15-29 vjeç ishte 8.6% në 2022.

Sipas INSTAT, në vendin tonë për meshkujt, shkalla e papunësisë është 0,8 pikë përqindje më e ulët sesa për femrat. Krahasuar me vitin 2021, punësimi është rritur me 3,0 %, ndërsa shkalla e papunësisë për grup-moshën 15-74 vjeç është ulur me 0,6 pikë përqindje.

  • 65,0% e popullsisë 15-64 vjeç është e punësuar, 8,2 % është e papunë dhe 26,8% është ekonomikisht jo aktive (jashtë forcave të punës).
  • 71,3 % e meshkujve 15-64 vjeç janë të punësuar, 8,7 % janë të papunë dhe 20,0 % janë jashtë forcave të punës.
  • 58,9 % e femrave 15-64 vjeç janë të punësuara, 7,8 % janë të papuna dhe 33,3 % janë jashtë forcave të punës.
  • Paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar me pagë, në Shqipëri, është 61.898 lekë. Krahasuar me vitin 2021, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri u rrit me 8,23 %.
  • Hendeku gjinor në paga është 6,2 %. Pra meshkujt kanë një pagë mesatare mujore bruto 6,2 % më të lartë sesa femrat. Krahasuar me vitin 2021, vihet re një rritje e hendekut gjinor në paga me 1,7 pikëpërqindje. Hendeku gjinor i pagave krahasuar me vitin 2021 pati rritjen më të madhe në grup-aktivitetin e Aktiviteteve financiare dhe të sigurimit.
  • 26,8 % e kontribuesve në kategorinë e të punësuarve me pagë marrin një pagë mesatare mujore bruto deri në nivelin e pagës minimale zyrtare.

Gjatë vitit 2022, numri i të punësuarve në Shqipëri është 1.298.380 persona. Krahasuar me vitin parardhës, ky numër u rrit me 3,97 %. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 73,2 %. Për meshkujt e moshës 15-64 vjeç shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 13,3 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 65,0 %. Shkalla e punësimit për femrat është 58,9 % dhe për meshkujt 71,3 %. Hendeku gjinor në punësim për këtë grup-moshë është 12,4 pikë përqindje.

Sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 44,2 % dhe 33,9 % të të punësuarve gjithsej. Analiza e punësimit sipas grup-profesioneve reflekton strukturën e punësimit sipas sektorëve. Në vitin 2022, punonjësit e kualifikuar të bujqësisë dhe të lidhur me tregtinë, përbëjnë 46,2 % të të punësuarve. Ndjekin grupet: ‘Menaxherë, profesionistë dhe teknikë’ dhe ‘Nëpunës dhe punonjës të shitjeve dhe shërbimeve’ të cilët përbëjnë 20,4 % dhe 18,6 % të të punësuarve përkatësisht.

Duke e analizuar tregun e punës në këndvështrimin gjinor, vihet re se femrat kanë 1,5 herë më shumë gjasa sesa meshkujt për të qenë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes. Vlerësimet e marra nga AFP tregojnë se 28,1 % e femrave të punësuara dhe 15,9 % e meshkujve të punësuar janë punëtorë pa pagesë të familjes.

Në vitin 2022, përqindja e punësimit informal në sektorin jo-bujqësor është 28,2 %, duke pësuar zbritje prej 1,2 pikë përqindje krahasuar me vitin 2021.  Personat e papunë, prej një viti a më shumë, përbëjnë 67,0 % të të papunëve gjithsej. Krahasuar me vitin e mëparshëm, pesha që zënë të papunët afatgjatë në papunësinë gjithsej është rritur me 4.2 pikë përqindje.

Duke analizuar shkallën e papunësisë, sipas nivelit arsimor në vitin 2022, vihet re që shkalla e papunësisë është më e lartë për personat me arsim të mesëm (12,4 %), ndjekur nga ata me arsim të lartë (10,5). Gjatë vitit 2022, krahasuar me vitin e mëparshëm, nuk pati ndryshim të shkallës së papunësisë për personat me arsim të lartë, për personat me arsim të mesëm, pati një ulje me 0,8 pikë përqindje dhe për personat me arsim 8/9 vjeçar, pati ulje me 0,7 pikë përqindje.

Gjatë vitit 2022, 26,8 % e popullsisë që i përket grupmoshës 15-64 vjeç është ekonomikisht jo-aktive. Struktura e popullsisë jashtë forcave të punës është e dominuar nga nxënësit/studentët (36,4 %). Në këtë grup-moshë, pjesa që zënë personat e papunë, të cilët nuk po kërkojnë punë për arsye se besojnë se nuk ka punë të disponueshme, është 9,9 %.

Ndër popullsinë e meshkujve, të moshës 15-64 vjeç ekonomikisht jo aktivë, 11,9 % janë të papunë të dekurajuar, 48,7 % janë nxënës/studentë ose në trajnim të mëtejshëm, 4,2 % në pension ose pension të parakohshëm.

Ndër popullsinë e femrave, të moshës 15-64 vjeç ekonomikisht jo aktive, 8,8 % janë të papunë të dekurajuar, 29,3 % janë nxënës/studentë ose në trajnim të mëtejshëm, 10,5 % në pension ose pension të parakohshëm dhe 26,3 % e tyre janë duke përmbushur detyrat shtëpiake.

Duke krahasuar të rinjtë të cilët nuk janë të punësuar, nuk janë duke ndjekur shkollën apo trajnim profesional sipas gjinisë dhe statusit të tyre në tregun e punës, vihet re se meshkujt janë më aktivë në treg sesa femrat (50,9 % e meshkujve janë në kërkim të një pune dhe të gatshëm për të punuar, ndërsa tek femrat kjo përqindje është 34,4 %. /Liberale.al/ 

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH