Aranit Muraçi
Taksat mblidhen sepse kanë një qëllim të caktuar.
Për të ndihmuar financimin e punëve dhe shërbimeve publike - dhe për të ndërtuar dhe mirëmbajtur sa më mirë infrastrukturën e një vendi - një qeveri zakonisht i takson banorët e saj dhe bizneset. Të ardhurat që mblidhen shpenzohen në infrastrukturë dhe shërbime, për të përmirësuar dhe lehtësuar jetesën në komunitet.
Shqipëria në vitin e fundit kur janë regjistruar të dhënat zyrtare ka rritur taksat për mjedisin, por ndryshe nga vendet anëtare të BE-së, nga studimet e shumta rezulton se nuk ka mundur të krijojë një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm për qytetarët e saj.
Niveli i ndotjes së ajrit në Tiranë është mbi normën e përcaktuar nga Bashkimi Evropian, sipas të dhënave të një raporti të publikuar nga Instituti për Zhvillimin e Habitatit “Co-Plan“. Në monitorim janë marrë katër qytete, Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Elbasani, përgjatë fundit të vitit 2019 dhe fillimit të vitit 2020. Vëzhgimi është kryer në tre drejtime kryesore si: cilësia e ajrit urban, niveli i zhurmave dhe gjelbërimi urban.
Sektori që luan rol të rëndësishëm në ndotjen e ajrit është ai i transportit, i ndjekur më pas nga aktiviteti i ndërtimit. Sipas studimit, në qytetin e Tiranës, përqendrimi i dioksidit të karbonit ka qenë dyfish mbi vlerën standarde të Bashkimit Evropian, në zona si rruga e Durrësit dhe e Kavajës.
Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga INSTAT, në 2021, të ardhurat nga taksat mjedisore arritën në vlerën e rreth 58 miliardë lekë, (rreth 53 milionë euro) duke pësuar një rritje prej 24,5 %, krahasuar me vitin 2020.
Në strukturën e të ardhurave nga taksat mjedisore për vitin 2021, taksat e energjisë zënë pjesën më të madhe të të ardhurave me 84,62 %, pasuar nga taksat e transportit 10,55 %, taksat e ndotjes me 4,71 % dhe taksat e burimeve natyrore me 0,12 %.
Në vitin 2021, pesha e të ardhurave nga taksat mjedisore ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) është 3,13 %, duke pësuar një rritje me 0,3 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020. Të ardhurat nga taksat mjedisore, në vitin 2021, përbëjnë 12,22 % të të ardhurave tatimore gjithsej dhe kontributeve shoqërore duke pësuar një rritje me 0,51 pikë përqindje, krahasuar me 2020.
Si krahasim, BE-ja mblodhi 325.8 miliardë euro nga taksat mjedisore në vitin 2021. Ashtu si në Shqipëri, edhe në vendet anëtare të Bashkimit Europian taksat e energjisë përfaqësonin më shumë se tre të katërtat e të ardhurave të BE-së nga taksat mjedisore në vitin 2021.
Në vitin 2021, raporti i të ardhurave nga taksat mjedisore ndaj PBB-së për BE-në arriti në 2,24% , duke pësuar rënie të lehtë me 0,11 pikë përqindje (pikë përqindje) që nga viti 2019 dhe me 0,31 pikë përqindje nga vlera më e lartë prej 2,55% në 2002.
Si përfundim, nëse vendet anëtare të Europës i kanë ulur taksat mjedisore dhe kanë një mjedis më të pastër, Shqipëria i ka rritur taksat ndërsa mjedisin e ka më të ndotur. Kjo për shkak të keqpërdorimit të parave të taksapaguesve, ose paratë janë shpenzuar në një sektor tjetër ku edhe aty ekziston i njëjti shkak: janë keqpërdorur paratë e taksapaguesve. /Liberale.al/