Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 400 euro qiraja mujore, aq sa paga minimale! A duhet të ndërhyjë qeveria?

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe hodhi idenë e vendosjes së një çmimi tavan për qiratë e banesave në Tiranë, të cilat sipas tij, kanë njohur një rritje të ndjeshme gjatë muajve të fundit. Rritja e vazhdueshme e qirave të banesave në Tiranë, sikurse edhe rritja e çmimit të shitjes së tyre, e ka bërë edhe më të vështirë dhe të papërballueshme koston e jetesës për shumë të rinj, të cilët po shohin gjithnjë e më shumë si alternativë emigrimin.

Në këto kushte, deputeti Braçe, një nga 140 ligjvënësit, propozon që të hartohen politika qeveritare dhe të ndërhyhet në tregun e shitblerjes së banesave me qëllim që çmimi i tyre të mos rritet. Në prag të sezonit të ri akademik, Erion Braçe, mori si shembull studentët. Shumë prej tyre, të cilët vijnë nga rrethet, kanë nisur të përballen me një situatë të vështirë. Por për ata studentë familjet e të cilëve nuk kanë mundësi t’i mbështesin financiarisht, shkollimi nëse do të vështirësohet mund të bëhet edhe i pamundur. Kostoja e lartë e jetesës mund të jetë një faktor nxitës që studentët të braktisin studimet dhe të largohen jashtë vendit.

Braçe solli shembullin e Austrisë, vend që ka vendosur së fundmi çmim tavan për të frenuar rritjen e qirave, teksa aludoi se pronarët e banesave spekulojnë me çmimet. Megjithatë, veç tregut që përcakton, është qeveria ajo që përmes mekanizmave ndikon në favor të shtresave më në nevojë. Rritja e çmimit të qirave dhe e banesave duket se ka ardhur si pasojë e politikave aspak favorizuese të qeverisë. Për shembull ata që zotërojnë  dy ose më shumë shtëpi, ose edhe ndërtuesit apo edhe qiradhënësit, nëse do të paguanin taksë shtesë për pronën (banesat në rastin konkret) që mbajnë “stok” do të detyroheshin t’i lëshonin me qira ose t’i nxirrnin ato në shitje. Në një rast të tillë, një ofertë më e madhe në treg do të shoqërohej me ulje të çmimit. Gjithashtu, opsion është edhe aplikimi i çmimit tavan duke llogaritur se deri ku mund të jenë e përballueshme qiraja për shumicën e familjeve shqiptare.

Nga statistika e kompanive imobilare, gjatë vitit të fundit çmimi mesatar mujor i qirave shkon në 360-380 euro. 400 euro vlerësohet çmimi mesatar i qirave të apartamenteve, nëse përjashtohen pjesët periferike të Tiranës. Çmimi duket i papërballueshëm jo vetëm për studentët por edhe për vetë familjarët. Në Tiranë këtë vit, në të cilin paga minimale shkoi në 400 Euro do të thotë se me këtë pagë një familjar ose një familje e zakonshme mund të mbulojë vetëm qiranë e apartamentit.

Edhe pse thuajse si në rajon ashtu edhe në vendet e BE-së shpenzimet për ushqim dhe qira shkojnë rreth sa gjysma e pagës, ndryshimi qëndron të gjysma tjetër. Është pikërisht gjysma tjetër e të ardhurave ajo që bën diferencën, sepse në Shqipëri është më e ulët se në rajon, ndërsa informaliteti, burokracitë dhe mungesa e vullnetit politik, e bëjnë thuajse të pamundur ndihmën ose aksesin që pret qytetari nga shteti. Çka do të thotë se e tëra kjo nxit emigracioni.

[caption id="attachment_1382377" align="aligncenter" width="579"] Kostoja e jetesës në Shqipëri[/caption]

Sipas “Numbeo.com”, shqiptarët shpenzojnë mesatarisht për ushqime 34 për qind të buxhetit të tyre mujor dhe 17 për qind për qiratë. Ose e thënë ndryshe ata shpenzojnë për qira dhe ushqim gjysmën e buxhetit mujor. Por kjo mesatare përfshin edhe rrethet, ndërsa në Tiranë situata paraqitet akoma edhe më tepër dramatike. Shumë familje dhe të rinj me qira pretendojnë se qiraja dhe ushqimi ka raste që u merr deri në 80 për qind të pagës.

[caption id="attachment_1382385" align="aligncenter" width="598"] Kostoja e jetesës në Gjermani[/caption]

Krahasuar me vendet e tjera, qiratë në Tiranë janë si në Greqi, ose sa gjysma e qirave në Gjermani, por të ardhurat ndryshojnë. Në Greqi paga mesatare është mbi 3 herë më e lartë, ndërsa në Gjermani rreth pesë herë. Rritja e fundit e çmimeve e ka bërë koston e jetesës thuajse njësoj si në Shqipëri ashtu edhe Greqi, por nëse vendin fqinj të ardhurat janë mesatarisht dy deri në tre herë më të larta, ashtu si edhe në çdo vend tjetër të BE-së, rritja e mëtejshme e kostos së jetesës kontribuon në largimin masiv të shqiptarëve, kryesisht të të rinjve.

[caption id="attachment_1382384" align="aligncenter" width="589"] Kostoja e jetesës në Greqi[/caption]

Në Greqi mesatarisht qytetarët shpenzojnë 32 për qind për ushqim dhe 23 për qind për qira. Të njëjtat shifra edhe në Serbi.

Kostot mujore sipas Numbeo për një familje prej katër anëtarësh në Shqipëri janë vlerësuar në 203,561,2 lekë pa qira. Kostot mujore për një person të vetëm janë 57,474,5 lekë pa qira.

[caption id="attachment_1382386" align="aligncenter" width="593"] Kostoja e jetesës në Serbi[/caption]

Kostot mujore për një familje prej katër anëtarësh në Greqi janë 2,542.8 € pa qira. Kostot mujore të llogaritura për një person të vetëm janë 746.3 € pa qira. Kostoja e jetesës në Greqi është mesatarisht 31.7% më e lartë se në Shqipëri, kurse qiraja në vendin fqinj është mesatarisht 36.2% më e lartë se në Shqipëri.

Kostoja e jetesës në Serbi është mesatarisht 0.1% më e lartë se në Shqipëri, kurse  qiraja në Serbi është mesatarisht 43.4% më e lartë se në Shqipëri.

Kostot mujore për një familje prej katër anëtarësh janë vlerësuar në rreth 3,163.4 €, pa qira, në Gjermani. Kostot mujore të llogaritura për një person të vetëm janë 928.5 €, pa qira, kurse kostoja e jetesës në Gjermani është mesatarisht 63.4% më e lartë se në Shqipëri. Qiraja në Gjermani është mesatarisht 167.5% më e lartë se në Shqipëri.

Kërkohen politika specifike për të lehtësuar dhe jo për të vështirësuar jetesën e qytetarëve. Por mbi të gjitha kërkohen edhe njerëz që hartojnë të tilla politika. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH