Aktualitet

SHIFRA E DITËS 41.2 për qind më tepër investime dhe mbi 3 mijë të punësuar në 2023, ‘armët shtesë’ për të vrarë opozitarizmin

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Partia që është në qeverisje të vendit prej 10 vitesh, e ndihmuar edhe nga bojkoti i opozitës në zgjedhjet e kaluara lokale, kontrollon aktualisht 100 për qind drejtimin në të gjitha bashkitë e vendit. Si të mos i mjaftojë përçarja e opozitës, kur kanë mbetur edhe pak ditë nga zgjedhjet lokale të 14 majit, qeveria, sipas shifrave zyrtare, i ka përdorur me kohë të gjitha “armët” e mundshme si strategji për ta arritur rezultatin maksimal në zgjedhje, me qëllim për të fituar shumicën dërrmuese të bashkive në vend.

Në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023, siç edhe është bërë traditë, qeveria vendosi që të hapë “thesin” e investimeve publike, duke investuar në infrasktukturën kryesisht urbane dhe rurale, investime të prekshme nga qytetarët gjatë muajve të mbetur para ditës së zgjedhjeve.

Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave  rezulton se në 3 muajt e parë të vitit 2023 janë disbursuar për investime publike 12.7 miliardë lekë, nga 8 miliardë lekë që ishin disbursuan në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 41.2 për qind.

Në muajin Mars 2023 niveli i fondeve te shpenzuara është më i larti krahasuar me të njëjtën periudhë, të paktën në 5 vitet e fundit. Në muajin Mars 2023 janë shpenzuar rreth 11 miliardë lekë, ose 4,6 miliardë lekë më tepër krahasuar me muajin Mars 2022.

Qeveria në fillim të këtij viti, 4 muaj para zgjedhjeve lokale, vendosi të rrisë ndjeshëm numrin e të punësuarve. Sipas vendimit të publikuar në faqen zyrtare, numri punonjësve në administratë do të shtohej me 1,152 punonjës të rinj, edhe pse konsiderohen vende "vakante", të cilët ishin planifikuar të rekrutohen përmes shërbimit civil. Ndërsa 2,176 punonjës për vende të tjera sipas planit do të punësoheshin përmes kontratave të pjesshme; 6 orë punë në ditë. Në total këtë vit buxheti i shtetit ka planifikuar të lëvrojë paga shtesë për plot 3.328 të punësuar më tepër se viti 2022, përmes të ardhurave që do të mblidhen nga taksapaguesit.

Në vendimin zyrtar, sqarohen se nga të punësuarit me kohë të plotë 12 të punësuar do të jenë për pozicione në nivelin e lartë drejtues,  50 të tjerë do të jenë vende për nivelin e mesëm drejtues dhe 190 kategoria e ulët drejtuese, kurse 900 vende të tjera do të jenë për kategorinë ekzekutive.

Institucionet ku do të realizohet punësimi i atyre që ishin planifikuar të rekrutoheshin për këtë vit janë Kryeministria dhe institucionet në varësi të saj, kryesisht të gjithë ministritë. Me uljen e numrit të popullsisë si dhe me ngritjen online të shërbimit e-Albania, ngjan si paradoksale rritja e numrit të të punësuarve në sektorin publik.

Të dhënat ndoshta janë “ajsbergu” i asaj që mund të ketë ndodhur, pasi nuk llogariten investimet dhe punësimet e vetë pushtetit lokal, ose e palëve të treta, siç janë biznese apo individë me interesa politikë.

Nëse i referohemi numrit total të votuesve në vendit tonë, në një garë normale interesat direkte që lidhen me investimet dhe punësimet në prag të zgjedhjeve, anojnë jo pak madje mund të rezultojnë vendimtare për të përcaktuar fituesin. Nëse supozojmë se qeveria ka tërë “arsenalin” me vete në prag zgjedhjesh, për të arritur atë që dëshiron, ajo është duke përdorur edhe “armë të tjera shtesë”, atike ose jo, të ligjshme apo të paligjshme, ndoshta për ta ‘vrarë’ përfundimisht opozitarizmin.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH