
Aranit Muraçi
Sipas të dhënave më të fundit të tregut imobilar në Tiranë, aktualisht nuk ka asnjë apartament me qira që jepet poshtë 350 eurove. Është ky normaliteti ose absurditeti më i ri në tregun e pasurive të paluajtshme, ku çmimet e qirave edhe në periferi të Tiranës, kanë kapërcyer mbi 300 euro, aq sa është edhe paga minimale.
Shitjet e apartamenteve sipas të dhënave zyrtare shënuan një rekord, teksa në 6 muajt e parë të këtij viti u kryen 657,6 milionë euro transaksion, ose pati një rritje prej 80 mln euro për të blerë banesa. Banka e Shqipërisë thotë se ky trend rritës nuk pritet të ndalet. 70% e agjencive imobilare pjesë e një anketimi të bërë nga banka qendrore thonë se çmimet do të jenë të qëndrueshme, 26% pohojnë se do të rriten dhe vetëm 4% presin ulje.
Por nga vjen kjo kërkesa e lartë, për të blerë banesa ose për t’i marrë ato me qira, në një kohë kur shpopullimi, i shkaktuar prej emigracionit të lartë dhe rënies së lindshmërisë, duhet të jepte efekt të kundërt. Ose qeveria, për të ndihmuar bizneset të mbetura pa fuqi punëtore, të gjente mekanizmat për të motivuar këta të fundit që mos shohin alternativa të tjera më të mira jashtë vendit të tyre. Sepse, 40 mijë lekë sa është paga minimale dhe po kaq qiraja nuk përbën sens, për ata të cilët marrin një ofertë punë në Tiranë.
Ajo çfarë ka bërë diferencën në 6 muajt e parë të këtij viti, ka të bëjë edhe me blerjet e larta nga atë huajt, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, teksa pranohet se 14% e pronave të shitura janë blerë prej tyre. Po aq dyshime të forta janë hedhur edhe për pastrimin e parave, nga emigrantët që merren me aktivitete të paligjshme ose edhe trafikantët vendas, të cilët duket se shohin blerjen e një apartamenti në Tiranë, si mundësinë më të mirë të investimit, dhe të paststrimit të parave, për të ardhmen e tyre. Nisma e ndërmarrë pak kohë më parë, e amnistisë fiskale, e cila mbeti prej një viti në teori, duket se ka gjetur terren në praktikë, në sektorin e ndërtimit. Si pasojë, në rang vendi çmimet e apartamenteve janë rritur me 11.6%, ndërsa 40% e pronave janë blerë me kredi bankare.
Çfarë rreziqesh sjell rritja e pajustifikuar e çmimit të banesave dhe qirave?
Krahasimi më i mirë mund të bëhet me vendet e tjera.
Çmimet e banesave ranë me 1.7% në eurozonë krahasuar me një vit më parë dhe me 1.1% në Bashkimin Evropian në tremujorin e dytë të 2023, sipas Eurostat.
Tendenca në tregun evropian të pronave është duke ndryshuar: shtëpitë këtë vit janë mesatarisht më të lira se vitin e kaluar, por ka një ndryshim në shifrat e raportuara gjatë çdo tremujori, dhe historia e tregut të banesave ka treguar se rënia mund të mos zgjasë shumë. Çmimet e banesave në Evropë ranë për herë të parë në një vit, që nga viti 2014, pas rënies së fundit që pësuan në tremujorin e dytë të vitit 2023, sipas shifrave më të fundit nga Eurostat, zyra statistikore e Bashkimit Evropian.
Indeksi i çmimeve të banesave ra me 1.7% në eurozonë dhe me 1.1% në BE midis prillit dhe qershorit, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Këto shifra pasojnë një rritje vjetore prej 0.4% dhe 0.8% respektivisht në Eurozonë dhe BE, të publikuara gjatë tre muajve të parë të vitit. Në fund të vitit 2022 dhe në fillim të vitit 2023 sipas shifrave zyrtare çmimet e banesave kanë rënë për dy tremujorë radhazi, në vendet e BE-së.
Cilat vende kanë pasur rënien më të madhe të çmimeve?
Nëntë vende të BE-së regjistruan çmime më të ulëta në tremujorin e dytë të 2023-ës sesa një vit më parë, por në 17 vendet e tjera anëtare çmimet e banesave vazhdojnë të rriten. Gjermania regjistroi rënien më të madhe vjetore në këtë tremujor, me -9.9%, e ndjekur nga Danimarka me -7.6% dhe Suedia me -6.8%.
Për të kuptuar çmendurinë e tregut imobilar në vendin tonë, mjafton fakti që çmimi ka rënë në një vend tjetër të madh si Gjermania, me mbi 80 milionë banorë, ku janë dyndur gjatë dekadës së fundit me mijëra emigrantë shqiptarë.
Rritjen më të madhe e shënoi Kroacia me +13,7%, e ndjekur nga Bullgaria me +10,7% dhe Lituania me +9,4%. Në tremujorin e dytë të 2023, qiratë në BE u rritën me 0,7% krahasuar me tre muajt e mëparshëm. Qiratë ishin mesatarisht 3% më të shtrenjta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në tre muajt e fundit të 2022, në BE qiratë u rritën mesatarisht me 2.5% në vit dhe në tre muajt e parë të 2023 me 2.9%.
Midis 2010 dhe tremujorit të dytë të 2023, çmimet e banesave u rritën me 46% dhe qiratë me 21% në BE, thotë Eurostat. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023 me vitin 2010, çmimet e pronave u rritën më shumë se qiratë në 20 nga 27 vendet e BE-së. Çmimet e pronave u dyfishuan në Estoni, Hungari, Lituani, Letoni, Çeki, Luksemburg dhe Austri, por ato pësuan një rënie e lehtë në Greqi, Itali dhe Qipro.
Çmimet u rritën në 26 vende të BE-së, me rritjen më të madhe të regjistruar në Estoni (+208%) dhe Lituani (+168%). Rënia e vetme e çmimeve të qirave është shënuar në Greqi (-21%), aty ku jetojnë dhe punojnë me qindra mijëra shqiptare. Kjo do të thotë se Greqia dhe Italia, mund të kthehet në vende edhe më të preferuara se gjatë tri dekadave tranzicion, për të gjithë të rinjtë shqiptarë, që do t’i shohin këto vende si alternativa më të mira për të nisur jetën e tyre.
Dhe anasjelltas Shqipëria, nëse kjo situatë nuk ndryshon, do të mbetet një vend i preferuar për të strehuar pensionistët e vendeve fqinje dhe atyre të të pasura, si dhe për ata të cilët do të vazhdojnë të blejnë banesa pavarësisht çmimit, si një shans i artë, për të pastruar paratë nga aktivitetet e paligjshme.