Kryesore

Shënime për “shënimet” e Mitrush Kutelit

               Publikuar në : 09:57 - 14/09/20 liberale

(Fragment )

Nga Aurel Plasari

Jeunes hommes do t’i kishin quajtur, po të shëtisnin në Fushat Elizeje të Parisit, dy “burrat e rinj” që një mbasdite vjeshte të vitit 1939 barisnin poshtë e lart shëtitores së Tiranës: Mitrush Kuteli dhe Vangjo Nirvana. Ushtronin frëngjishten e tyre duke kuvenduar – për çfarë? – për kritikën letrare…Zëri i tij kritik u afirmua me të shpejtë, nga 1928-a e këndej, në letrat shqipe të gjysmës së parë të shek. XX. Jemi në periudhën e lindjes së kritikës moderne në Shqipëri, kur në kulturën shqiptare të dhjetëvjeçarëve të parë të atij shekulli mendimi teorik estetiko-kritik njihte hopin cilësor me Faik Konicën, mandej Gjergj Fishtën e ri etj. Edhe më i dallueshëm do të bëhej hopi në ndërkohën mes dy Luftërave. Pa qenë vendi për të numëruar këtu faktorët që kushtëzuan përhapjen e ideve estetike, si dhe imponimin e tyre në kulturën shqiptare të atyre dhjetëvjeçarëve, – janë faktorë të shumtë e të ndërlikuar, në mos edhe të implikuar me elemente kontradiktore që kanë ndikuar si në përhapjen, edhe në zgjerimin e ideve në fjalë, – të vërehet vetëm se brenda këtij hopi cilësor Kuteli do të ndahet në shenjë si kritik rendi të parë.

…A paraqet ndonjë vlerë sidokudo mendimi kritik i Mitrush Kutelit sot, pasi opusi kritik I është botuar thuajse i plotë falë përkushtimit të bijve të tij që kryejnë një detyrë sa birnore, aq dhe atdhetare?

Nuk është pyetje për habi. Në ndryshim nga letërsia, e cila përshkon kohën nëpër qindvjeçarë e mijëvjeçarë duke mbetur ngaherë “e re”, kritika letrare e ka të paracaktuar jetën fort të shkurtër, të lidhur thuajse vetëm me audiencën e kohës së vet. Duke u zhvilluar me shtënie në punë idesh prej fushash nga më të larmishmet, nëpërmjet së cilash hyn në aleancë ose në konflikt me degë të ndryshme të dijeve humaniste, kritika i nënshtrohet një procesi bjerrjeje shumë – por shumë – më të shpejtë se dukuria letrare (më gjerë Fayolle: La critique littéraire, pass.). Dhe, dendur, nis e bie erë të përmortshme. Nuk e ka pësuar këtë bjerrje historike edhe opusi kritik i Kutelit?

…Po rendis vetëm disa merita të këtij opusi që i mendoj të çmueshme ende për gjithkënd lavron a do të lavrojë kritikën letrare në “botën shqiptare”:

  1. Ndonëse pati thënë për kritikën letrare do gjëra kapitale, Mitrush Kuteli u ruajt nga ideja që të numërohej “kritik profesionist”. Modesti e shtirë? Dëshmon më shumë për një të kuptuar të veçantë të aktit kritik të asimiluar, në thelb, me atë të krijimit. Si e përmenda sipër: i një ligjërimi shkalle së dytë të asimiluar në një ligjërim shkalle së parë. Kritiku kutelian është, pra, krijues i pajisur me shqisë kritike. Në një model të tillë emocioni përkundrejt veprës së artit vetëm sa i nxit aftësitë krijuese. Alegoria për këtë parim te Një fjalë mbi dy shokë dhe mbi veprëzën e tyre (1944) ngjan jashtë dyshimi. Në fund të fundit, pranohet e vlerësohet vetëm ajo çfarë ndjek ligjësitë shpirtërore të krijimit. Të zbulosh është, për Kutelin kritik, barabar me të trillosh.
  2. Për Kutelin veprat e mëdha janë produkt kohe dhe ato mblidhen nëpër kohë. “Vështrimi” i tij Viti letrar 1943 (1944) do të quhej model i papërsëritur për zbatimin e këtij parimi. Pa kurrfarë ngurrimi, pa konsiderata të rreme, pa e ndier veten të kompleksuar, kritika lypset ta shpallë një kësi bilanci: pse jo?
  3. Duke qenë shpirt sintetik, vokacioni i Kutelit është jo vetëm të zbulojë dhe, posaçërisht, të rizbulojë vlera, por edhe “të rikrijojë”, në kuptim shpirtëror, veprat që analizon. Historinë e letërsisë ai e vështron kësisoji si një “komedi njerëzore” që i ka shkrimtarët vetëm si shkase. Mekanizmi i veprës çmontohet para syve tanë dhe kritiku, me një buzëqeshje gjithë bashkëfajësi, na fton të admirojmë një përftim njerëzor, të kuptueshëm e të deshifrueshëm, jo ndonjë mrekulli. Kështu deri në imtësitë. Së këndejmi edhe natyrshmëria e kalimit nga kritika letrare te historia e letërsisë, – një skicë të saj tejmase sintetike e dha me esenë Si e shohim letërsinë shqipe (1944), – në të cilën të gjitha format e kritikës janë, parimisht, të pranueshme.
  4. Kutelizmi në kritikë jep edhe një mësim me stilin e vet: stilin e dëlirë, por piktoresk, të lehtë, por të rrasët, sidomos të kulluar e të hareshëm “si vera e vjetër në qelqen me ngjyra”. Stili ka të bëjë drejtpërsëdrejti me mendimin e kritikut. Nuk do të thoshte kot më vonë, kinse për Faikun ngaqë afërmendsh nuk mund ta thoshte për veten: “kritik i kthjelltë…, me një kthjelltësi mendimi që s’ka shok në botën shqiptare” (Zi në letrat e shqipes, 1944). Njëra prej imtësive të çalojë në veprën që analizon, kritiku do të ndalet për ta regjistruar me shpotinë e tij gjithë gaz. Ndonjë shembull nga recensionet e tij: “Ato që shkruhen për protagonistët e skicës Në hijen e manit mund të jenë të vërteta në katundet e Greqisë, ose gjetiu, po jo në Shqipëri, ku bota – as më shumë as më pak – i quan maskarallëqe” (Merushja). “Nuk duhej thënë çardhak po korridor. Çardhaku të jep menjëherë përfytyrim oriental ku dikush rri këmbëkryq dhe numëron gishtërinjtë e këmbës ose ha meze dhe pi raki (ose që të gjitha bashkë), po s’mund të thuhet se një shkollë pariziane ka një… çardhak” (Topazi). “Po të mos dilnin Valët e mija nuk do të kish do-një humbje letërsija shqiptare. Se dual, s’ka do-një fitim”.
  5. Në një rrafsh edhe më konkret kritika e tij lë trashëgim një thesar të vogël, por thesar, nocionesh dhe konceptesh farkuar nga ai, me të cilat ajo është e larushuar anë m’anë. Janë më së shumti produkt i frymës së tij intranzigjente në kritikë: “lëvozhga arti”, “të vërteta në këllëf”, “kritikë orale”, “kritikë ambulante”, “vepra prej kashte”, “vepra pa krypë”, “prozë adjektivale”, “vjersha pa nojmë”, “përkthim barbar”, “kapadaij të pendës”, “shkrimtarë të përhimë”, “kasaphanë e censurës”, “botime tregtare”. Kurdoherë që ato do të përdoren e ripërdoren do ta dëshmojnë qokën kuteliane.
  6. Shkrimi kritik i Kutelit përfaqëson një orvatje të vetëdijshme për ta çliruar kulturën shqiptare nga komplekset e provincializmit. Dhe jo vetëm për ç’u takon studimeve të tij për shkrimtarët e huaj, që dëshmojnë vetëdije kritike universale. Nën syrin e tij depërtues krijimi popullor shqiptar shpalos më se një herë cilësi potencialisht të gjithëmbarshme. Nga ky vështrim esetë Vëndet e largimit në këngët popullore shqipe (1933), Këngët i sjell era… (1944), Bisedime me të katër fëmijët e mi dhe me vetveten (1965) do të ishin tri variacione të një modeli gjithnjë të lakmueshëm për një kritik letrar që do të guxonte të depërtonte në fushën e folkloristikës. Kjo orvatje i dhuroi theksa me mprehtësi befasuese kritikës së tij: prej burimeve të kulturës së qëmoçme nxori rini të pashterueshme, të cilën e infuzoi në zona të gjera të intelektit shqiptar, edhe më tej vetë fushës së kritikës.
  7. Paradoksi i opusit të tij kritik rezulton nga bashkekzistimi i një fryme të fuqishme lokale, kombëtare, me frymën e një homo europeus-i, të ndërthurura të dyja në mënyrë të lume. Kjo ndërthurje paradoksale mbetet e pashoqe. Si dhe e paimitueshme. Për ç’i përket këtij paradoksi epigonizmi ndaj tij nuk është i mundshëm.

Nëse do të hamendohet jo vetëm se sa la të pathëna në opusin e tij kritik një shkrimtar si yni, por edhe se sa mund të ketë lënë të nënkuptuara në formulimet e tij; se sa iu desh ta adjustonte shprehjen e tij kritike me konvencionalizmat e kohës, – më sak: të tri kohëve me mungesa të theksuara lirie (më 1944 shkruante: “…nuk mund të mohohet se në Shqipëri ka munguar kurdoherë elementi i parë nga i cili ka nevojë shkrimtari: lirija. Kjo mungesë është një nga shkaket e parë të vobekësisë letrare në kohën e Zogut dhe më pas”, Shënime letrare, 112); – se sa fokusime të tërthorta iu desh të përdorte për të mbërritur te kumtimi i gjykimeve të tij; se sa do të jetë sforcuar për të mposhtur kufizimet që pozicioni i tij njerëzor i shkaktonte etj., do të kuptohet që, me shumë gjasa, ai ka pasur të drejtë të pyeste, siç la të pyetur: “Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes?” (Testamenti, 74). Dhe aludimet përkatëse gjenden, pa shumë vështirësi, në vetë tekstet e tij kritike. Shembull: “Gogoli e shkroi këtë kryevepër nën shpatën damokliane të cenzurës. Disa nga peripetitë nëpër të cilat kaloi libri para se të hynte në shtyp i pamë më lart. Por sa e sa vrulle shpirtërore duhet të kish mbytur Gogoli që ta bëjë veprën e tij “të botueshme” në kushtet e asaj kohe! Satira e tij ka qënë e detyruar të marrë rrugë të tërthorta, simbolike. Dhe ndaj mendoj kështu më shkon një thikë në zemër, sepse e pyes veten: vallë si do të ish shprehur Nikollaj Gogoli po të mos kish patur mbi kokë, ndërsa brumoste veprën e vet, shpatën e cenzurës cariste? Sa thellë do të ish futur thika e tij kirurgjike në trupin e sëmurë të shoqërisë, sa lart do të kish fluturuar gjenia e tij!” (1962). Ta ketë pasur fjalën përnjëmend për “Nikollaj Vasiljeviçin”? Dhe për censurën “cariste”?

Gjithsesi, çfarëdo të ketë shkruar shkrimtari-kritik në çastet e pikëllimeve e të zhgënjimeve plot vrer, tanimë disa dhjetëvjeçarë mbas largimit të tij fizik le ta trajtojmë casus-in e tij me parimin e Croces, simbas të cilit historia regjistron atë çfarë njeriu bën dhe jo atë çfarë ai vuan, heq.

“Nuk e di”, i është përgjigjur vetë pyetjes “Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes?”. Vetmitar i madh, si çdo shkrimtar i përmasave të tij, një farkuesi të “kultit të kombit” në letërsi nuk mund t’i shkonte përdore ta bjerrte besimin te letërsia. Popujt pa letërsi, ose që kanë një letërsi mediokre, nuk kanë as fizionominë dhe as karakterin e një kombi: mund të rilexohet ky parim gjithkund mes rreshtave të Shënimeve letrare të tij. Letërsia e madhe krijon rreth një kombi, edhe në qoftë ai i ndarë e i shpërfillur, një sugjestion të jashtëzakonshëm, gati-gati një mit force: “Shkrimtari është përfaqësonjësi më i aftë i kombit nër kombe të tjerë…” (Si e shohim letërsinë shqipe, 1944). Sepse letërsia ka fuqinë ta shndërrojë një popull të vogël dhe jodomethënës në një komb të madh e të qytetëruar. Popuj dhe kombe që biologjikisht kanë vdekur prej shekujsh a prej mijëvjeçarësh, janë ende gjallë falë sugjestionit të letërsisë së tyre. Ky është, ndoshta, i vetmi përkufizim i mundshëm civil e historik për t’iu bërë letërsisë – ky është edhe vlerësimi më i mirë që mund t’i bëhet një mendimtari si Kuteli: përtej çdo pikëllimi a zhgënjimi. /Gazeta Liberale

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back