Economicus

Sfidat e duopolit më të suksesshëm në botë

Shkruar nga Liberale
Sfidat e duopolit më të suksesshëm në botë

Mikel Qafa*

Marketingu digjital është karakterizuar nga dy atribute gjatë dekadës së fundit. Së pari, industria është rritur me ritme të paprecedentë dhe nuk prekej nga ciklet e ekonomisë (ulje dhe ngritje). Së dyti, ka qenë një duopol i dominuar nga Google në reklamat e motorit të kërkimit dhe nga Meta në mediat sociale (ka në pronësi dhe menaxhon Facebok, Instagram dhe Whatsapp ndër të tjera). Krahasimet e këtij duopoli me pushtetin absolut që ndërtoi Rockefeller në industrinë e naftës në fundin e shekullit 19, nuk kanë munguar dhe nuk konsiderohen të gabuara. Kjo industri arriti kulmin e saj në periudhën e pandemisë së Covid-19.

Por të dyja këto karakteristika po sfidohen tashmë. Ndërsa Perëndimi po i afrohet një recesioni ekonomik dhe ekonomia e Kinës ngadalëson ritmin e rritjes, kompanitë anembanë po e ulin buxhetin e marketingut. Pjesa më e madhe e buxhetit të marketingut shkon për reklamat online, por për herë të parë Meta raportoi rënie të të ardhurave nga viti i mëparshëm, ndërsa rivali i saj Snap deklaroi se do të shkurtojë 20 % të vendeve të punës (sipas eMarketer, një firmë kërkimi).

Përpos situatës së vështirë ekonomike të shkaktuar nga komplikimet e pandemisë dhe lufta në Ukrainë, sfida më e fortë ndaj rendit aktual vjen nga konkurrenca. TikTok ka pasur aq shumë sukses në tërheqjen e reklamave digjitale, saqë Instagram dhe Facebook po transformohen për t’iu përshtatur kësaj platforme relativisht të re (të ardhurat e TikTok për këtë vit pritet të kalojnë 11 miliardë dollarë).

Një pjesë e madhe e tregut të reklamave të Google po e merr Amazon që e ka kthyer reklamën dixhitale në një ndër burimet kryesore të të ardhurave, së bashku me shitjet nga platforma dhe shërbimet në cloud (nëpërmjet Amazon Web Services). Nuk është për t‘u çuditur që firmat si Microsoft me motorin e kërkimit Bing dhe platforma sociale për profesionistët LinkedIn po korrin sukses, por për t‘u surprizuar është që edhe kompania Apple është futur në të njëjtën industri duke shfrytëzuar 1.8 miliard pajisjet që ka në qarkullim tashmë, duke krijuar një avantazh kundrejt konkurrencës. Marketingu digjital po transformohet dhe audio tashmë po pozicionohet me anë të podcasts njësoj si video, çka favorizon Apple dhe Amazon, të cilat ofrojnë shërbime të tilla.

Ndërsa reklamat digjitale po gjejnë hapësira kudo e më tepër në labirintet e ekonomisë, një renditje e re në industri po fillon të krijohet, ku Amazon do të tejkalojë të ardhurat e Meta në reklama dixhitale shumë më shpejt nga çfarë pritej; Google do vazhdojë të ngelet kryesues pasi reklamat në mortorin e kërkimit dhe me shërbimin e ofruar nga Youtube nuk do ndikohen nga ndryshimet qe po vijnë, por Amazon dhe Microsoft po kërcënojnë supremacinë e Google.  Kur Google dhe Meta gjithnjë uronin që më tepër reklamim të bëhej digjital, nuk e kishin menduar që konkurrenca do u merrte pjesë të konsiderueshme të perandorisë së tyre për një kohë kaq të shkurtër.

*Pedagog në Universitetin Europian të Tiranës

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH