Aktualitet

Sallahane

Shkruar nga Liberale

Vladimir Myrtezai

Sa herë gjendem në hyrje të qytetit ku kam lindur, në Shkodër, kam një ndjesi të përzier, të çuditshme. Bëhem fundekrye vëmendje. Është çasti ku për shkak të historisë sime ndjehem vagëlluar në mejtime e në deficit me mbarimin e një monologu që më qëndron thikë përmbi, si një peshë e pavendosur në zgjidhje. Ky kalim, automatikisht më vetëkthen në një gjendje krize: në dilemën me se e si e kam harxhuar jetën time deri më tash. Duke u kotur e mejtuar sa andej-këndej, për atë që kam shkarravitur deri më sot dhe për atë se për çfarë ia vlen të sillet në mend njeriu në të nesërmen…

Mejtohem me një keqardhje si në çdo monolog bilancesh e vetëgjyqësie të ndërgjegjes. Gjëja që më trondit është se keqardhje të tilla janë të shpeshta dhe në të shumtën e herëve më kthehen në një vetëqortim të nevojshëm e të tejzgjatur në ndërgjegje, sa dhe sot e kësaj dite bëj të njëjtin (ri)cikël të orientuar më së tepërmi instinktivisht nga ndjesitë dhe besimi. Në një rrugë-prerje më të gjatë të gjykimit, që i bëj vetvetes, sa vjen e jam më i bindur se në njëfarë mënyre të pashpallur unë nuk jam krejt i rritur, ose, ndryshe gjykuar: përjetoj dyshimin se unë refuzoj të rritem – një konflikt që nuk mund të më shpëtojë nga fëmijëria ime.

Me sa duket, në hartën e kujtesës ka njolla më të forta që tërheqin së prapthi gjithë rëndesën e dijes dhe, thellë-thellë, nuk e marr dot në mbrojtje të kundërtën e këtij argumenti e ta pranoj si një gjë njerëzore. Ka disa arsye për këtë, por kryesorja dhe në qendër të ndërtimit tim logjik qëndron lumturia e përjetshme që ka fëmija (vendi ku ushqehem me atë që dua: realitetin vezullues). Dhe si unë janë me mijëra të ngjashëm, që strehohen në fëmijërinë e tyre. Jo më për të marrë shenja, por për të vazhduar dhe këmbëngulur se fëmijëria ime ka në oborrin e vet me mijëra shenja të pambrojtura, që sa vijnë e zhduken në emër të ndryshimit, ose, e parë ndryshe, në emër të një rendi që nuk na kërkon tjetër përpos funksionit. Me dashje ose jo, strukturat e fëmijërisë në mendjen time janë kështjellat e para ku strehoheshim dhe rrugëtonim drejt asgjësë dhe pakuptimit, për arsyen se në mendjen e një fëmije konservohen rastësi fatlume dhe fatale njëherësh, që në njëfarë mënyre marrin vulën origjinale si një përcaktim de facto në kohë, gjë që zgjon imazhe, struktura, ngjyra dhe aroma të papërsëritshme, si në asnjë rrethanë tjetër. Kjo ndërgjegje e paarrirë në një gjykim të formuar, e bën realitetin e ndaluar në kohë në një ndalesë unike e të pafaj, që e adhuron botën si të pandryshuar dhe si një pasuri e rrallë e qenies, që në mënyrë fatale mendon se është unike. Dhe e tillë është, pa dyshim.

* * *

Në forma inercie heshtjesh, shmangiesh dhe fshehjesh në qendra vëmendjeje, si dhe bisedash në familje kisha arritur a fituar disa liri brenda vetes, dhe përherë e më shumë po filloja të zgjeroja daljen time jashtë kufijve me shkumësin e bardhë që më kishin paralajmëruar prindërit. Por, një gjë e tillë po më dukej gjithnjë e më shumë padrejtësi. Nuk se e bisedova me njeri, por ndjeja se do më duhej të isha disi më diskret dhe me motrat e mia, që shpesh e më shpesh ishin kthyer në tutorë që planifikonin lëvizjet dhe liritë e mia.

Mëhallalinjtë mblidheshin çdo darkë në hyrjet e shtëpive ose në oborret e pasme, ku rrinim të gjithë bashkë dhe planifikonim arratitë tona për ditën e nesërme.

Një herë bëmë plan të shkonim për t’u larë jo nga hyrja, por nga krahu lindor i qytetit, në lumin Kir. Morëm brekë rezervë të mbështjella në copa gazete dhe u nisëm diku nga mesdita, duke përfituar që mamaja dhe im atë vinin vonë nga puna. U bëmë gjithsej gjashtë vetë dhe u nisëm në këmbë, krejt të lumtur e të lirë dhe me një ndjesi të fortë që do bënim qejf. Përgjatë rrugës kaluam nëpër rrugicat e teatrit, më tej në rrugën e pjacës dhe më pas në krye të Gjuhadolit, ku morëm majtas. Shmangëm uzinën e telit, diku fabrikën e verës dhe më djathtas, në lagjen ‘Skënderbeg’, varrezat katolike dhe ja ku dolëm te lumi përmes gërxhesh dhe një peizazhi të ndërprerë. Kiri ishte një lumë që zbriste nga lart veriut të vendit dhe bashkohej rishmi me një degëzim të Drinit, ndërsa në kryq bashkohej me Bunën dhe derdhej në det. Atmosfera ishte e thatë e me disa shkurre, që dukej si një gunë e stërdalë e natyrës, por në një hapje krejt të zhveshur dhe mjaft monotone. Ngaqë ishte lumë i rrëmbyeshëm, të krijonte idenë e mos banimit të asgjëje përveç rrjedhës që e dominonte atë peizazh të thatë. Tutje larg shtoheshin disa kodrina, që për shkak të një rëndësie ushtarake dukeshin të paarritshme dhe të paprekura. Të nxehtit sa vinte e rritej dhe shkretimi i madh e bënte edhe më të pranishëm.

Uji ishte gjithnjë shumë i ftohtë për shkak të rrjedhës së tij. I pari që u hodh në ujë qe Memçi, komshiu, që ishte nja dy vjet sipër meje dhe me një portret disi të mefshtë, por me një agresivitet natyral, të lindur. Më pas u hodh Cici, Nusreti e mandej të tjerët. Si gjithnjë, në këto situata ka një prirje natyrale për të rënë në sy, por dhe për të treguar se sa interesant je. Shpikëm një garë me njëri-tjetrin, se kush bën kiçin sa më lart dhe hapet fort në rënie të lirë në ujë; një lloj ushtrimi rutinë i të gjithë atyre që ishin mësuar me lumin. Thënë shqeto: unë nuk se isha ndonjë monstër model, por pasi kisha njëfarë prestigji të fituar në grup tentoja të bëja shenjë aty ku bëhej një garë. Mora turr dhe u palosa për t’u zhytur, por nuk e bëra në kohë këtë veprim dhe, për shkak të rrjedhës, desh u theva në mes dhe gërvishta ashpër pjesët e sipërme të këmbëve, por nuk e dhashë veten, gjithsesi. Herën e dytë zgjodha një stom më të lartë gurësh dhe bëra të njëjtën gjë, por sërish dështova, dhe dola me gjoks të çjerrë e i gjakosur.

Rrjedha që kisha zgjedhur ishte e cekët, dhe për këtë desh hëngra turinjtë, por fati e solli që u harkova shpejt dhe ndesha me gjoks në zhavorr. Uji ishte brisk, dhe për shkak të temperaturës së lartë dhe ambientit krejt të zhveshur u marrakotëm, dhe nga një grup fitimtarësh e sfidantësh, u kthyem me bisht ndër shalë e të uritur tmerrësisht. Rrugës në kthim ishim të demoralizuar e të lodhur dhe po bluanim në mendje të gjitha arsyet për t’u justifikuar, në rast se do dyshonin për arratinë tonë. Por, në fakt, ishte një gjë që nuk fshihej: ishim përcëlluar e lodhur, dhe aq më tepër ishim gjakosur e gërvishtur. U futa në shtëpi pa bërë zhurmë. Ndërrova shpejt mbathjet dhe përsipër vesha një bluzë e pizhame dhe u gatita për në krevat. Jo si të gjitha herët, isha gati vullnetarisht për të mos ndenjur në kuzhinë, por ashtu me të shpejtë e në dhomën e gjumit. Për çudinë time nuk u vura re nga ata të shtëpisë dhe po shtiresha si indiferent ndaj të gjithëve, duke shpikur një biçim libri para syve, sikur lexoja. E vetmja që e vuri re strategjinë time ishte motra e mesme, por si rrallëherë nuk bëri thirrmë, siç e kish zakon – vetëm m’u hakërrye me shenja, duke më lënë të kuptoja se kishte nën mëngë një as të fshehtë kundër meje.

Me grupin e lagjes takohesha çdo mbrëmje në skuta ku nuk binim në sy, dhe vazhdonim planet se si do arratiseshim sërish në gjueti të reja të lirisë së kufizuar drejt përballjes me një realitet të panjohur, që ishin vendqëndrime të të rriturve. Të nesërmen do shkonim në anën tjetër të qytetit: te sallahanja, vendi ku jetonin magjyptë, siç thirreshin zakonisht. Thuhej se prejardhja e saktë e kësaj shtrese nuk dihej me saktësi. Në zhargon, në atë më të përdorurin, me ngjyrime disi denigruese e me distancë, i thërrisnin me nofka nga më të ndryshmet: herë “magjypë”, herë “gabelë” e kështu me radhë; më shumë për hir të ngjyrimit të fjalës sesa në kuptime të plota përdorimi. Më vonë kuptova nëse studimet gjenetike do t’i nxirrnin të përafërt me romët, dhe atëherë prejardhja e tyre do të ishte India. Por, magjypët e kundërshtojnë këtë teori, duke këmbëngulur se janë me prejardhje nga Egjipti, dhe disa të tjerë, të quajtur ashkalij, thonë se kanë prejardhjen nga Persia. Këta të fundit qenë të shpërndarë më së shumti në Mal të Zi, përtej kufirit, dhe në viset kosovare. Për argument, egjiptianët dhe ashkalijtë, flasin vetëm shqipen si gjuhë të tyren; kurse romët flasin gjuhën rome, ose gabelçe. Egjiptianët shkojnë me idenë se nuk kanë asnjë prejardhje të përbashkët me romët. Nuk e kisha të saktë se çfarë ishin në të vërtetë, thjesht dija biseda të shkëputura aty-këtu. Dija që pjesa përballë lumit dhe thertores në anën tjetër të urës quhej lagjja ‘Liria’, një përkim me thelbin e gjithë atij komuniteti, që vetëm lirinë e kishin me shumicë – në llojin e një jetese tipike e në grup, ku brenda hapësirës së tyre më dukej që liritë ishin të pa ndalura.

Sallahanja ishte e vendosur në breg të lumit Buna, në aks të ndarjes së qytetit në dy pjesë, të dy lagjeve të magjypëve. Sa herë i afrohesha thertores ndjesitë ishin nga më impresionueset. Vajtja për herë të parë në ambientet e brendshme të saj më ka lënë pa mend dhe të shokuar, se si mund të dalloje aq pranë ndarjen fatale të gjallesave të gjora nga jeta – si njeriu ishte një armik i madh. Një kufi drastik i rëndë dhe në përafri të një sadizmi që i ngjan afrisë që ka njeriu me mjetet që ndajnë jetën në sekonda, nga të qenit prapë e aq afër në jetë. Teknikat e therjeve të bagëtive ishin nga më spektakolaret, që më mbushnin me një dëshpërim të nxituar e akut, sikur merrja një thikë a grusht të rëndë në stomak. Por, pavarësisht se çfarë ndieja, më mbushte me panik afria natyrale e agresionit të njerëzve në këta kufij. Qetësia dhe të ushtruarit e zanatit të tyre në një stihi menefregizmi dhe të ambientuarit me aktin që ndante kufirin me jetën. Kurioziteti për ta kapur këtë kufi fatal do më ndiqte gjatë, si një pasojë që s’më ndahet në të gjitha raportet në konflikt që kam parë gjatë rritjes sime.

Therja e derrave ishte edhe më ngjethëse, edhe më e trishtë, pasi plandosja e tyre ishte e zhurmshme; një nga alarmet rrëqethëse shoqëruar me gulçime shumë të vrazhda, e ngjashme me filmat për Odisenë, kur ai kthehet për t’u hakmarrë ndaj princave të Itakës, që ia kishin uzurpuar kështjellën dhe donin t’i rrëmbenin Penelopën. Po aq dramatike ishte goditja e viçave dhe e lopëve. Kishte një sekret diku mes brirëve, ku i ngulnin thikën dhe plandosej pa një pa dy përdhe, pa u përpëlitur shumë.

Sallahanja do ngelej në ndërgjegjen time si fëmijë një nga shfaqjet më të rënda dhe më asgjësueset në mënyrën se si do mund të jesh aq afër një fataliteti ndarës për fatin e gjallesës së gjallë. Parandjenjat për fatin e tyre të parashkruar më dukeshin si njerëz, ose në paralelen time shoqëruese më dukeshin edhe më të drejtpërdrejta në një komunikim me sy fatalistë, pasi e dija që me anë të instinktit e parandienin asgjësimin. Ishte makabre, e pakrahasueshme. Sado që në kokë kisha heronj dhe luftëtarë filmash, ndjehesha i dërrmuar nga pafuqia për të ndalur qoftë dhe në mendje agresione të tilla të njeriut. Do më stampohej në sy ky raport e nuk do më shqitej asnjëherë, si një provë force e pamundur për ta ndryshuar këtë hordhi agresioni që e kishte raportuar njerëzimi. Ishin ligjësitë e të ekzistuarit në këtë botë, mbi të cilat nuk mund të ngrihesha.

Sallahanja ishte vendi ku tregtohej në të zezë, më shumë të brendshme bagëtish, plënca, zorrë, shpretka, mushkëri, zemra, këmbë, lëkurë dhe koka. Vëreja që shumë nga qyteti dhe përreth vinin me biçikleta dhe me strajcat e tyre, dhe fshehurazi ngarkonin dhe zhdukeshin me shpejtësi. Për nga pozicioni gjeografik, lagjja e egjiptianëve ngrihej thik buzë rrugës, ndarë me Sallahanen. Ishte si një marrëveshje e kopsitur mes kësaj popullsie të veçuar anash, si me kast, që për nga zgjedhjet e mbijetesës vendoseshin buzë lumenjve dhe pranë ndonjë objekti fatlum ushqyes si ky. Nga përballë Sallahanes shtrihej Taraboshi, një mal i thatë e gëlqeror, që në stinët e ngrohta jepte një nxehtësi përvëluese. Për mua, në perceptimin tim, kjo lagje qe ndryshe dhe me shumë diferencë për nga gjendja krejt përtokë e jetesës, në kontrast me dritën e entuziazmit të tyre në format se si gëzonin me shumë pak gjë. Kish aq dritë, saqë sa herë gjendem në ndonjë ngushticë njerëzore marr për alibi këtë shtresë humane për të kuptuar se sa e shtojnë relativitetin e vuajtjes në litarin e njerëzisë që nuk rend të agravohet duke shtyrë me bërryla për të kapur fundin e jetës së tyre, që nganjëherë është kaq i shkurtër, drejtvizor dhe i përcaktuar.

Arratisjet tona në zemrën e Bunës ishin të shpeshta, dhe veç argëtimit për t’u larë ishte dhe një pellg i athët për nga kënaqësia, se në këtë vend kish korrent njerëzor të shpeshtë dhe për shkak të shumë interesave të njerëzve që plekseshin në këtë zonë. Disa peshkonin, disa laheshin, të tjerë bënin tregti në të zezë dhe të tjerë shëlliheshin në diell dhe koteshin pa arsye. Tek-tuk ndonjë polic nga zonat rurale në urë, që rregullonte qarkullimin. Të vetmit që ndjeheshin të lumtur në zgjedhjen e tyre ishin magjypët. Sapo afroheshim ndjenim dialogët e tyre të zhurmshëm e të pakontrollueshëm për shkak të gjuhës dhe diksionit. Kishin zakonet, punët dhe heronjtë e tyre; femrat e bukura, kopetë e fëmijëve të përzier. Sa vinte dhe më e rrëmujshme dukej jeta në kope, në skenografitë rastësore e kapriçioze e plot fantazi forme të bukura buzë lumit, që ushqente zejet e tyre të dorës, si kovaçë apo ndreqës rrjetash. Kuzhinat i mbanin të hapura (çfarë kuzhine qe ajo…), por gatimet i bënin shpesh përjashta dhe rrinin pa teklif në diell, për shtatë palë qejfe. Një hare që në sytë e mi dukej pak e frikshme, se si i pozoheshin jetës, por në fshehtësi apo në pavetëdije ishte e adhurueshme. Më dukej si një shtëllungë bazike me elemente parësore të jetës së pasofistikuar, në zë të parë dhe plot me ngjyra. Kisha një takim ëndërronjës, gjithherë të projektuar brenda meje si diçka jashtë grisë së përgjithshme, rregullave e këshillimeve, ndrojtjes dhe turpit familjar dhe jetës plot parashikime për të ardhmen. Një diskordancë mes asaj që projektohet me gjënë e konsumuar drejtpërdrejt e pa kokëçarje, si mbingarkesa historike të vogla të mëvonshme, që shpeshherë bëheshin pjesë e shumëfishuar në mendje.

Mbrëmjet ishin një gjë e rrallë në këtë zonë, me perëndimet e diellit, ecejaket e tjerra në livadhet buzë lumi, tek-tuk ndonjë akt i fshehtë hungëritës në plastmaset e afërta buzë bregut dhe në të rrallë qarjet e fëmijëve të tyre për ndonjë pakënaqësi, si një thirrmë e egër mbijetese në grup. Mbledhjet e tyre në grup, ku me gjera të sajuara në forma primitive ia merrnin këngës me ato bjerrjet e zgjatjet e zërave, që kush e di se ku e gjenin shenjën e thellësinë e origjinës. Një tablo gazmore e paimagjinueshme, pa hyrje e pa dalje, e jashtë të gjitha rregullave të sajuara më vonë nga hierarkitë njerëzore. Shpirtrat e tyre ishin natyralë, dinakë, të kuruar si zogjtë në natyrë dhe të gjithëpranueshëm në argasjen e shpirtit të tyre.

Tablo të tilla më fanepseshin gjatë gjithë formimit tim të mëvonshëm, si livadhet e mendjes, dhe më jepnin një arrati të lumtur të stampuar me gëzim. Atëherë kur kthehesha te të mitë, në realitetin gri, ishte zymtë, me klasifikime dhe me shumë pjesëza ndarjesh në opinione vlerësuese dhe zhvlerësuese. Një mërzi klasike se çfarë do jesh, çfarë do bëhesh, të bëhesh zot i vetes, të nderosh fisin, familjen, babanë e me radhë. Marrëdhënia mes Sallahanes dhe këtyre njerëzve ishte reciproke në marrëveshje të vogla, shpesh në këmbim të ndonjë akti seksual apo të ndonjë kacidheje nën dorë.

Më kujtohet një nga ata magjypët që mbahej si mbreti i kësaj pakice, quhej Azbi, dhe kishte shumë dashnore të përfolura. Njërën e kam njohur më vonë në shkollë, e cila më zbulonte pjesë nga jeta intime e tij. Ajo quhej Sibe. Azbiu kishte një karrocë me dy kuaj, sharabajkë, por shumë bukurosh, i bëshëm, me muskuj dhe brun. Sa herë kur shihja magjype të bukura, kur shtriqesha buzë Bunës, më dukej që shumë nga fytyrat e njoma të magjypëve kishin një ngjashmëri me Azbiun; një ngjashmëri që shtohej dita më ditë dhe sa vinte e shtohej radha e bukurosheve zeshkane. Ishte koha kur modelet e meshkujve për nga moda sajoheshin nga heronjtë e filmave që shihnim në një ekran të vetëm të qytetit. Legjenda e Eneas, Herkuli, Kali i Trojës e me radhë. Në mënyrën se si i mbante flokët, Azbiu ngjante me Enean. Gjëja e parë që fekste ishte të krehurit lart të flokëve dhe ngrirja e tyre me shumë vaj. Dhe mënyra se si impostonte torsin dhe pjesën e gjoksit dhe vështrimi i tij shihte në përgjithësi si pa objekt, diku larg, ku nuk dalloje dot dhe objektin që ai përcaktonte. Një shikim fluid e ëndërronjës, plot madhështi. Kishte famë dhe në shikim të parë. Ai merrte përsipër si emblemë përfaqësimin e gjithë këtij grupimi të veçantë.

Sallahanja ngjitej gjithnjë e më tepër në kujtesën time, si një gropë e largët e plot pluskime ngjyrash dhe aromash njerëzore; si një realitet i pakapshëm; si një status plot kolorit spontan, që nuk do mund ta prekja dot më, ngaqë dalëngadalë, duke u rritur e duke m’u larguar. I ngjante atij gjesti që bëjnë piktorët kur duan të përgjithësojnë pamjen e objektit që kanë zgjedhur për të konturuar: e përgjithshmja, njolla, mënjanë detajet. Më largohej si një trup i butë, krejt njerëzor e enigmatik, me zhurmat, lëkurën, erën dhe shumëzimet e lira njerëzore. Po më kthehej në një realitet të ëndërruar në distancë, ku historia dhe njerëzit i kthehen në çaste palumturie, si një alibi e gjallë dhe e thjeshtë. Sa herë kthej për në qytetin tim të lindjes, gjëja e parë që e udhëheq instinktin tim për t’u miqësuar me qytetin është Sallahanja: qyteza e ëndërrt e njerëzve të ndryshëm, pa plan e projekt, buzë lumit, si një trup i madh e i shumëfishuar natyralisht mes jetës dhe vdekjes, me një tingull të zjarrtë nostalgjie për dukuri njerëzore dhe me shumë ngjyrë.

Në ndërgjegje më regëtinin copëza nga jeta e nomadëve, e egjiptianëve, jevgjve, magjypëve, romëve e ciganëve shëtitës; gangsterëve, të fortëve të padukshëm, grave me zë magjepsës, kurvave të shpallura në qytet, barcaletaxhinjve, pijetarëve dhe ashikëve të këtij qyteti.

Kllapitë e mia për zona të lira qëndronin sy e veshë hapur gjithandej.

* * *

Sa herë kaloj sot në hyrje të qytetit, vërej një shndërrim të çuditshëm e të vrazhdë. Ka shumë pak shenja nga koha e fëmijërisë sime. Mungojnë njerëzit, biçikletat, patina e lëkurës së zeshkët dhe shikimi i njerëzve ka ndryshuar. Kanë ndryshuar edhe njerëzit njëfarësoj: janë më të ftohtë në stolitë e ditës, dhe zogjtë janë larguar gjithëpoaq.

Sot, në një tjetër optikë, gjërat kanë ndryshuar, personazhet po ashtu, dhe relievi është zgjeruar disi për më keq. Edhe lumi është më i mpakur dhe i lodhur. Ura të reja janë ndërtuar dhe marrëdhëniet mes njerëzve po të reja. Sallahanja ka humbur kuptimin, por ka ngelur si njollë e braktisur nga koha: po kalon një erozion si objekt i pakuptimtë dhe i zhvlerësuar sakaq. Sallahanja e fëmijërisë sime pa shprehje tashmë, e harruar si fytyra e një gruaje, fundosur në mjerim e ngurtë e pa vegime të mundshme, si e ngulur me dorë në një itinerar të pakuptimtë. Me një dëshmitar melankolik dhe lumin e lodhur që nuk pushon së dëshmuari histori, fakte dhe njerëz që udhëtojnë drejt fundfillimit të tyre.

Edhe unë kam ndryshuar disi, dalë kujtimesh që tentojnë të ndalojnë kohën. Jam rritur, ndërgjegjësuar; jam më i informuar dhe i bredhur natyrisht. Jam më i lirë e vendimmarrës; krijoj besim te njerëzit me një rreng që nuk e fal; e ndaj me ndonjë si një fëmijë i lumtur në strehën imagjinare, të largët, tepër të largët e pa kthim. Po kërkoj të aplikoj dhe unë publikisht një ndjeshmëri që nuk ndalet për një shtresë, që i duhet afruar një mendësi njerëzore, por dhe një mundësi, duke mos humbur ngjyrat me të cilat unë i shoh. A është e mundur?

Shoh struktura aplikimi, kujdesje, kalime fondesh, argumente herë shkencore e tepër të largëta dhe shumë burra e gra të kërpitur në përkujdesje të madhe për një dëshmi të shoqërisë që duhet animuar. Shoh dhe një ministër të ri që rend mediatikisht sa majtas djathtas, i preokupuar për këtë shtresë në një performancë të dukshme e gati të puthitur me shtresën në fjalë – nuk dua të paragjykoj, jam pro gjithsesi. Por, dua t’ju them se prej shekujsh në botë ka një luftë që nuk resht për shkaqe njerëzore: egosh, sistemesh, formash regjimi e vullnetesh si një sfidë që duhet fituar në emër të lirisë së tjetrit si liria jote. Kjo shtresë me patjetër duhet të jetë edhe liri e jona!

Kjo sfidë nuk se është e lehtë dhe e pjesëtuar në edicione pushtetesh kalimtare. Kjo sfidë ka të bëjë me thelbin e njeriut që kërkon kulturë marrëdhënieje, shtresë e ndjeshmëri për të rafinuar kufijtë e ndarjes njerëzore. Le të qasemi për t’i ardhur në ndihmë sekush lirisë së përbashkët./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH