Sport

Rusia përjashtohet nga Olimpiada në Tokio dhe Botërori 2022

Shkruar nga Liberale
Rusia përjashtohet nga Olimpiada në Tokio dhe Botërori 2022

Rusia përjashtohet nga të gjitha eventet madhore të sportit, me gjithë vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, që e reduktoi në dy vjet dënimin për skandalin e dopingut.

Vendimi e ndalon Rusinë që të marrë pjesë në Lojërat Olimpike në Tokio, të cilat do të zhvillohen gjatë vitit të ardhshëm, por edhe në Botërorin 2022 në Katar. Fillimisht Rusia ishte përjashtuar për 4 vjet nga Agjencia Ndërkombëtare Anti-Doping.

Në vendimin e saj, CAS theksoi se reduktimi i dënimit nuk do të thotë “se mbështeten veprimet e Rusisë”. Pas këtij vendimi, përjashtimi do të jetë në fuqi deri më 16 dhjetor të vitit 2022.

Me gjithë përjashtimin nga dy eventet e mëdha, Rusia do të jetë në gjendje që të luajë në finalet e Euro 2020, të cilat u shtynë prej pandemisë koronavirus.

Wada e cilësoi jo konform rregullave Agjencinë Ruse të Anti Dopingut, me akuzën se manipuloi të dhënat laboratorike të testeve të cilat i’u dorëzuan hetuesve në janar të 2019-ës.

Në skandalin e përdorimit të substancave të ndaluara u akuzua edhe qeveria ruse, e cila shihej si sponsorizuese e mashtrimit, me qëllim arritjen e rezultateve të larta sportive.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH