Kryesore

Rimbyllja, rreziku tek porta

               Publikuar në : 10:15 - 17/10/20 liberale

Rekordi i shifrave i ditëve të fundit të infektuarve me COVID-19 si dhe shpërthimi i një valës së dytë në Europë ka risjellë diskutimin e izolimit. Por a e përballon ekonomia jonë një tjetër karantinë, kur aktualisht për pagat dhe pensionet për herë të parë është marrë borxh?  

Rekordi i shifrave i dy ditëve të fundit të infektuarve me COVID-19 në vendin tonë, por dhe tek fqinjët e më tej në Europë ka risjellë në skenë skenarin e fundit të luftës ndaj virusit, atë të izolimit të qytetarëve, siç ndodhi në mars, në fillimet e pandemisë. Dilemat se cilën strategji do të duhet të përdorim tani që vjeshta ka ndihmuar në përhapjen e virozëve dhe rihapja e shkollave ka shtuar numrin e infektimeve, i shtoi të enjten edhe kryeministri Rama , i cili pranoi se vendi rrezikon të mbyllet. “Nuk mendoj asgjë, ndjek raportimet e ekspertëve dhe autoriteteve të shëndetësisë dhe di që nga pikëpamja e përgatitjes dhe jemi të përgatitur për skenarin e vjeshtë-dimrit me kohë dhe strategjia e vjeshtë-dimrit është në tavolinën time që në Qershor”-tha Rama, i cili pyetjes vijuese  se a rrezikojmë një mbyllje të dytë, iu përgjigj: “Rrezikojmë, patjetër”. Nga kjo e enjte qytetarët janë të detyruar të mbajnë maskat edhe në ambientet e hapura, çka duket si një nga masat e fundit që qeveria vendosi për të parandaluar përhapjen e virusit. Maska mbrojtëse e fytyrës, sipas autoriteteve shëndetësore, ndikon në zvogëlimin e përhapjes së infeksionit në komunitet dhe ul transmetimin e tij në komunitet nëpërmjet spërklave të individëve që janë të infektuar.

Vendimi synon të parandalojë përhapjen në masë të COVID-19 dhe një izolim tjetër të vendit pas atij të tre muajve në pranverë, kur Shqipëria u përfshi në pandeminë globale të virusit corona.

“Një bllokim i dytë do të ishte shkatërrues për familjet shqiptare dhe ekonominë e vendit” tha kryeministri i vendit Edi Rama në një thirrje drejtuar qytetarëve për të zbatuar vendimin.

Në mes të korrikut të këtij viti, Shqipëria bëri të detyrueshme mbajtjen e maskës në mjedise të mbyllura. Por rezultatet e hapjes së shkollave, bareve dhe restoranteve edhe në ambientet e brendshme, duket se po ndikojnë në rritjen e infektimeve. Arsye tjetër është se ndërkohë ISH ka shtuar edhe numrin e testimeve, çka ka rezultuar në shifrat e të prekurve.

Ekonomia

Por nëse për mjekët virologë hapi i radhës nëse rastet shtohen duhet të jetë mbyllja, vendimi për izolimin është shumë i vështirë për shkak të rrënimit ekonomik të ndodhur dhe provuar gjatë periudhës mars qershor të këtij viti. Për nëntë muajt e parë të vitit për shkak të mbylljes së pjesës më të madhe të aktiviteteve ekonomike sociale kulturore të vendit të ardhurat ranë me  290 milionë euro. Mijëra vende u mbyllën dhe në rast të mbylljes tjetër do të ri mbyllen sërish dhe mijëra buxhete familjare u shkurtuan ndjeshëm. Rënia më e madhe e ekonomisë e këtij viti krahasohet vetëm me vitin 1997, ku vendi u përfshi në trazirat më të rënda që pas 19440-ës. Ekonomistët janë në bllok kundër rikthimit të mbylljes për shkak të kushteve të krizës që po përjetojmë. Në këtë përballje, nëse rastet do të vijojnë të rriten të paktën edhe për dy javë, skenari më i butë mund të jetë mbyllja e pjesshme, siç po ndodh në disa vende të Europës apo në disa vende fqinje me Shqipërinë. Në Greqi, qyteti i Kozanit, kufitar me vendin tonë, u vendos lockdoën, ndërsa në Francë nga sot Parisi dhe tetë qytete të tjera të mëdha do të jenë në izolim prej orës 21.00 të mbrëmjes deri në 06 të mëngjesit.. Rritja e rasteve edhe në Itali dhe Gjermani ka rikthyer frikën për shpërthimin e valës së dytë të coronavirusit.

Evropa

Dhjetëra qytete evropiane janë detyruar të vendosin masa kufizuese ndërsa po përballen me një rritje të infeksioneve me koronavirus. Në rajonet e prekura njësitë e kujdesit intensiv po mbushen me shpejtësi dhe mjekët po paralajmërojnë se sistemi shëndetësor mund të mbingarkohet me afrimin e dimrit.

Evropa aktualisht po raporton më shumë infeksione ditore sesa tre vendet të goditura më rëndë nga pandemia, Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe India.

Duke njoftuar masat gjatë një fjalimi televiziv të mërkurën, Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi për një periudhë të vështirë përpara.

“Testimi, paralajmërimi dhe mbrojtja, ky është çelësi i strategjisë që ne duhet të zbatojmë gjatë gjithë nëntorit dhe dhjetorit, sepse do të duhet të përballemi me këtë virus deri të paktën në verën e vitit 2021, të gjithë shkencëtarët e kanë thënë qartë këtë gjë”, tha zoti Macron.

Disa banorë në kryeqytetin francez u shprehën të alarmuar rreth masave që synojnë një rikthim tek bllokimi i pjesshëm.

“Reagimi im i parë ishte se ky do të jetë një ferr”, thotë 25-vjeçarja Mathilde Ëeiss. “Nuk do të kem më absolutisht jetë sociale. Jam disi e shqetësuar, e pranoj”, shton ajo.

Infeksionet me koronavirus po rriten me shumë shpejtësi në disa vende evropiane. Në Spanjë, Madridi dhe tetë bashki përreth tij kanë shpallur gjendjen e emergjencës, me kufizime të rrepta që lidhen me udhëtimet jashtë rajonit. Në Barcelonë, qeveria lokale ka urdhëruar lokalet dhe restorantet të mbyllen për 15 ditë.

“Kush do të kujdeset për pagat për këto 15 ditë? Kush do ta paguajë qiranë?”, thotë Julio Rodriguez, pronari i restorantit “Pizza Sur” në bregdetin e Barcelonës. Qeveria spanjolle e ka zgjatur mbështetjen financiare emergjente për bizneset. Por kostoja ekonomike në të gjithë Evropën po rritet.

Mjeku Sterghios Moschos, i universitetin britanik të Northëmbrias thotë se rritja e infeksioneve në Evropë ka të ngjarë të jetë nxitur nga rikthimi i të rinjve në shkolla dhe universitete në shtator.

“Do të përfundojmë duke e shkarkuar këtë barrë tek të moshuarit apokategoritë me të prekshme nga sëmundjet”, thotë zoti Moschos për Zërin e Amerikës. “Si rezultat do të shohim rritje të shtrimeve në spitale brenda disa ditësh”, shton ai.

Britania po zbaton një sistem bllokimesh me tre nivele. Qyteti i Liverpulit ndodhet në nivelin më të lartë të tyre. Mjekët thonë se më shumë se 95 për qind e shtretërve në njësitë e kujdesit intensiv në qytet janë të mbushura. 61 vjeçari Jerry MacNally, banor i Liverpulit, thotë se ai i mbështet masat e reja.

“Nëse thjesht vazhdojmë normalisht, do të përhapet gjerësish. Do të jetë si tuberkulozi vite më parë kur shumë njerëz humbën jetën”, thotë zoti MacNally.

Londra dhe disa rajone të tjera angleze janë futur në nivelin e dytë të bllokimit, duke kufizuar grumbullimet brenda familjeve.

Sekretari britanik i Shëndetësisë Matt Hancock u tha ligjvënësve të enjten se: “ne duhet të veprojmë për ta ndalur virusin përmes veprimit lokal, në radhë të parë, është mjeti më i mirë që ne kemi ndërsa punojmë, me shkencëtarët dhe teknologjinë për ta përmirësuar përgjigjen ndaj pandemisë”, siç tha ai.

Mjeku Sterghios Moschos i tha Zërit të Amerikës se bllokimet e lokalizuara nuk do të jenë të mjaftueshme për ta përmbajtur koronavirusin.

“Kufijtë mes rajonit të Liverpulit, Mançesterit dhe Londrës, për shkak të transportit modern, janë poroze”, tha zoti Moschos.

“Këto masa do të jenë gjysmake nëse njerëzit nuk qëndrojnë realisht në shtëpi e nuk lejohen të dalin, në mënyrë që të kufizohet transmetimi i virusit. Sa më gjatë ta lëmë atë, aq më gjatë do të kemi nevojë për masa më të forta për ta bllokuar koronavirusin”.

Me mbushjen e spitaleve dhe rritjen e numrit të vdekjeve në të gjithë Evropën, shkencëtarët thonë se kontinenti do të përballet me një dimër të vështirë përpara.

Basha: Gjobat, përgjigjja e vetme e Ramës për pandeminë 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një konferencë për media mesditën e sotme përsëriti thirrjen ndaj qeverisë që të marrë në konsideratë planin me 5 pika të PD për daljen nga kriza, në një kohë kur sipas tij vendi është duke shkuar drejt greminës ekonomike dhe shëndetësore për shkak të keqqeverisjes.

Sipas kryedemokratit, qeveria nuk ka marrë asnjë masë për përballimin e situatës së pandemisë, ndërkohë që rritet numri i të prekurve me COVID.

E vetmja masë e qeverisë, tha kreu i PD, është të gjobisë qytetarët.

“Thesari zbrazet nga pagesat korruptive për inceneratorë, mbushet me gjobat mbi qytetarët.

Nuk ka asnjë transparencë mbi numrin e testimeve nga shteti dhe numrin e testimeve që bëjnë privatisht vetë qytetarët.

Jo vetëm 257 të shtruarit e sotëm, por edhe qindra të tjerë që nuk u bëhet tamponi në shtet, blejnë privatisht paketën e trajtimit anti-COVID.

Gjobat janë përgjigjja e Edi Ramës ndaj pamundësisë së qytetarëve për të mbuluar kostot e trajtimit anti-COVID.

Spitalet COVID kanë ezauruar kapacitetet e shtrimit. Plani ynë me 5 pika parashikon mjete mbrojtëse për personelin shëndetësor, mbrojtje e mësuesve. Disa mësues kanë humbur jetën që nga fillimi i shkollës

Anulim i shpenzimeve të luksit qeveritar për të mbështetur sistemin shëndetësor dhe ekonominë, pagesë mujore 160 mijë lek për çdo shqiptar që ka humbur punën, mbështetje mujore 200 mijë lek për biznesin për çdo rimarrje në punë.

Plani me 5 pika, dyfishim i ndihmës ekonomike për familjet dhe shtesë 20 mijë lekë në muaj për pensionistët”, tha kreu i PD.

Evropa përfshihet nga vala e dytë e COVID-19

Franca ndodhet në situatë alarmante si pasojë e pandemisë në Europë. Numri i të infektuarve me Covid-19 në 24 orët e fundit arriti në 30 000 më i larti që nga shpërthimi i epidemisë.

Veçanërisht shqetësuese në Francë është se numri i njerëzve të moshës nga 65 në 74 vjeç të infektuar me koronavirus është dyfishuar në pesë javët e fundit. Me spitalet e mbingarkuara, veçanërisht në Paris dhe zona të tjera ku situata është serioze, Ministri i Shëndetësisë njoftoi hapjen e 4000 shtretërve me një fond prej  prej 50 milion eurosh.

Nëse infkesionet kalojnë pragun prej 50 të prekurish në 100 mijë banorë në një javë Gjermania do të rrisë masat anticovid. Vendimi u bë publik nga Kancelarja Angela Merkel pas takimit me krerët e bashkive të 11 qyeteve më të mëdha në vend. Merkel shtoi se prioritet i saj është evitimi i mbylljes ekonomike dhe sociale siç ndodhi në pranverë.

Kufizimet përfshijnë rregulla më të rrepta për mbajtjen e maskave, kufizime në tubimet private dhe rregulla më të rrepta për blerjen e alkoolit.Thuajse të njetat rregulla, plus punën nga shtëpia do të impelemtojë edhe Italia  pas rritjes se ndjeshme të rasteve të reja. Situata është kritike edhe në Çeki, Poloni e Ukraine, ku ritmi i përhapjes së koronavirusit po rritet çdo ditë. /Gazeta Liberale

 

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back