Dr. Ermir Hoxha
Ai shpeshherë i është drejtuar publikut:
“Gjithmonë e kam konsideruar pikturën si një lutje të gjatë, që fillon çdo ditë me lindjen e diellit. Ky rit, më ka shoqëruar në udhëtimin tim, për të zbuluar e për të gjetur gjuhën e vjetër, gjuhën e humbur, që e dija dikur, përpara RËNIES, kur i flisja gurit, pemës, frytit, gjarprit. Kjo lutje bëhet nga dita në ditë, më e thellë, më e brendshme dhe më lejon t’u flas lirshëm gjërave, që tashmë kanë vdekur. Të thënat e tyre, bëjnë krijimet e mia njëra pas tjetrës”.
Nuk ka ndryshuar asnjë radhë, asnjë fjalë. E ka lënë të paprekur, që nga viti 1990, si një epitaf .
Leka ndër vite, krijoi imazhin e artistit misterioz. Krijoi e dogji një gjuhë artistike, duke kërkuar të bashkonte dimensionet, “siç është lart, ashtu është edhe poshtë”. Studioja e tij u kthye në një laborator alkimik, ku gjuha e tij okulte, mori formë të plotë, si tipar bazë i “veprës së hapur”. Ai, gjithmonë na e ka adresuar krijesën e tij, si një ftesë për të udhëtuar në hapësira të gjera komunikimi. E ka ofruar si një bashkëbisedim të gjatë universal, ku energjia personale dhe energjia e vendit, bashkoheshin tek kaosi e rregulli, pa u ndarë në kufij të qartë.
Një vit më parë, ekspozita “Lutja”, e përforcoi edhe më shumë strukturën metafizike të mendimit, si një reflektim personal, të vetëdijshëm, të aktit shpirtëror të krijimit. Pikturoi Heshtjen para ngjizjes së Veprës, duke paralajmëruar klithmën e madhe të Qenies.
Ishte gati për Katarsis.
“Dhoma e hapave të humbur”, është paradhoma e kalimit nga Materia tek Shpirti. Ka qenë e pranishme, por e fshehur, që në ditët e para të udhëtimit, ku vrulli, pasioni e stërmundimi, e shoqëronin në shtegtim.
Kjo ekspozitë, ka lidhje me pastrimin e shpirtit. “Dhoma e Hapave të Humbur”, është e fundmja e këtij rrugëtimi. Imazhi i saj është tronditës! Është përtej të zakonshmes! Është përtej normales! Trondit me alarmin e së kuqes e me dënimin mbi Mishin, në një dhomë torturash, që kthehet në një laborator mesjetar, ku riti antik, kryhet me përpikëri, nga Uni mbi Unin.
Në të, i njëjti personazh! Leka është aty, Viktima dhe Xhelati! Herë si dëshmitar, herë i ulur që sodit aktin, herë që merr pjesë duke treguar me gisht akuzues aktin e vetë-gjyqësisë.
Në këtë ceremoni, shfaqet imazhi i heshtur i një fëmije.
Është Leka i projektuar në moshë të njomë, në praninë e Lekës së rritur. Ky simbol i pafajësisë, i dëlirësisë fëmijërore, shoqëron çdo imazh, herë me aureolë të artë, e herë i përzhitur nga temperatura e lartë e ritit. Ai është aty, gjithnjë me shikimin e hedhur diku, i përhumbur, si dëshmitar i një ngjarjeje përtej kuptimit të vet. Është aty si përkufizim i të pashmangshmes, ku jeta e njeriut është shpesh një rrugëtim mes mëkatit të mishit dhe pastrimit të shpirtit. Në atë udhëtim me shumë ndalesa, në ato çaste reflektimi, ai kundron nga larg, PSENË e gjithë kësaj ndodhie.
Nuk është “Malum prohibitum”, por është “Malum in se”. Nuk është e Keqja, për shkak se thyhet urdhri i Zotit apo ligjet e Njeriut, porse është e Keqja, në natyrën e vet. Është “Malum in se”, pasi Viktima, Gjykatësi dhe Xhelati, është po ai. Bashkë me të, janë aty dhe makineritë e torturës, në funksionin e qartë të pastrimit ezoterik. E Keqja, si formë Vetë-Reflektimi, është e Keqja Vetë-Pastruese. Aty ku demonët flenë, arti thirret edhe një herë për pastrimin e shpirtit. Është ajo pikë e pacaktuar, ku Artisti e Njeriu kthejnë kokën për të parë veten në rrugëtim. Në një jetë dedikuar krijimit të imazhit, në dialog me heroin e antiheroin, ai vetë-ndëshkohet si metaforë e vanitetit të krijuesit.
Nuk është thjeshtë një metaforë. Është edhe e vërtetë.
Ai është vetë makineria që vret, që ndëshkon instinktin, egon, kryelartësinë, mëkatin. Ai ushqen publikun me mishin e tij, si për hakërrimin ndaj vetes. E kthen ndëshkimin e vetvetes, në një akt pendimi. Mesazhi i tij është një ftesë, për të marrë pjesë, për të kundruar, e reflektuar në një Meshë të Madhe.
Leka e ofron veprën e tij, si rrallëherë në historinë e artit, jo si një Ferr gjigand ku ilustrohen mëkatet e gjinisë njerëzore, as si klinika e tmerreve të imagjinatës më të skajshme, por si një Purgator personal, ku ai ilustron ndëshkimin e mishit si ndjesë dhe çlirim shpirtëror.
E Mira dhe e Keqja janë të pandara. Ky Katarsis, kjo dhunë mbi trupin dhe shpëtim për shpirtin e artistit dhe njeriut, është parapërgatitja për të hyrë në Tempull.
Në rrugën drejt Dritës, Leka bën udhëtimin e vet, si Krijues dhe si Njeri!
“Dhoma e Hapave të Humbur”, ka aromën e një testamenti piktorik mbi jetën. Është testament i tij artistik, ku Vepra e Artit si një metaforë ekzistenciale, e vendos artistin njëkohësisht në qendrën e artit bashkëkohor dhe në qendrën e një debati shpirtëror.
Përndritur nga e kuqja e pasionit, krijimtaria e Lekës, kulmon edhe një herë si një nga shembujt më të vyer të pikturës sonë. /Gazeta Liberale