Një britanik është goditur për vdekje me thikë në Portugali, teksa ishte pjesë e një loje online. Sky News raporton se trupi i pajetë i 36-vjeçarit u gjet në mes të një pylli pranë qytetit Pedrogao Grande.
Bëhet fjalë për lojën e bujshme “Balena Blu” e cila synon të tërheqë sa më tepër ndjekës online dhe për herë të parë u shfaq në vitin 2016, e më tej mediat më prestigjioze bënë artikuj të shumtë duke këshilluar prindërit t’i mbanin fëmijët larg prej kësaj loje.
Për ngjarjen po merren në pyetje 3 persona. Britaniku ishte pjesë e një sfide online e cila besohet se ka lidhje me një numër të lartë vdekjesh në botë.
Mediat lokale thonë se kishte një mosmarrëveshje gjatë lojës që përfundoi me vdekje. 3 personat që po merren në pyetje në komisariat kanë qenë ata që kanë lajmëruar policinë për rastin. Njëri prej tyre, 26 vjeç, dyshohet si autor i krimit, ndërsa hetimet vijojnë. Dyshohet se të rinjtë kishin organizuar një festë të Dielën e më pas shkuan në mes të pyllit për të vijuar me lojën.