Astronauti amerikan Jim Lovell që udhëhoqi me sukses kthimin e sigurt të misionit historik Apollo 13 në Tokë në vitin 1970, ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare.
NASA e përshkroi si njeriun që “e ktheu një tragjedi të mundshme në sukses”, pasi misioni për ulje në Hënë u anulua për shkak të një shpërthimi në bord, teksa anija ndodhej qindra mijëra kilometra larg Tokës.
Miliona njerëz e ndoqën në transmetim të drejtpërdrejtë momentin kur Lovell dhe dy kolegët e tij u ulën me kapsulën në Oqeanin Paqësor, një nga episodet më ikonike të historisë së eksplorimit hapësinor.
Përveç Apollo 13, Lovell ishte pjesë edhe e misionit Apollo 8, duke u bërë personi i parë që shkoi dy herë drejt Hënës, pa zbritur kurrë në të. Kreu në detyrë i NASA-s, Sean Duffy, tha se ai “ndihmoi në hapjen e një rruge historike për programin hapësinor amerikan”.
Aktori Tom Hanks, që e interpretoi Lovell në filmin “Apollo 13” (1995), e quajti “një nga ata njerëz që guxojnë, ëndërrojnë dhe udhëheqin të tjerët aty ku nuk do të shkonim vetëm”.
Lovell, i lindur më 25 mars 1928, e kishte pasion fluturimin dhe raketat që në adoleshencë. Pasi shërbeu si pilot në Marinën Amerikane, iu bashkua NASA-s në vitin 1962, si pjesë e “New Nine”, grupi elitë i astronautëve që do të përmbushnin vizionin e presidentit John F. Kennedy për zbarkimin në Hënë.
Ai mori pjesë në misionet Gemini 7, Gemini 12 dhe Apollo 8, duke parë me sytë e tij “Earthrise”, imazhin e famshëm të Tokës që lind mbi horizontin e Hënës, më 1968.
Por lavdia e tij më e madhe erdhi gjatë Apollo 13. Pasi shpërtheu një rezervuar oksigjeni në hapësirë, Lovell udhëhoqi ekuipazhin në një kthim të pamundur drejt Tokës, mes temperaturash të ulëta, mungesës së energjisë dhe frikës se anija nuk do t’i rezistonte rihyrjes. Pas katër ditësh dramatike, kapsula u ul me sukses në Paqësor, një mision që u quajt “dështimi më i madh dhe ora më e mirë” e NASA-s.
Pas daljes në pension në vitin 1973, Lovell iu përkushtua familjes, biznesit dhe fjalimeve publike. Historia e tij u përjetësua në librin Lost Moon, i cili u përshtat në filmin e njohur “Apollo 13”.