Editorial

Rama mundet vetëm në ekip

Shkruar nga Liberale
Rama mundet vetëm në ekip

Klementin Mile

Burime informale nga Partia Demokratike thonë se Lulzim Bashën e kanë këshilluar të mos dalë në media, ose të paktën të dalë sa më pak, dhe ta lërë Ramën të rrëzohet vetë në sytë e publikut.

Këshillë e mençur. Rama, duke mos patur bilanc qeverisjeje nga njëra anë dhe duke propaganduar më kot arritje nga ana tjetër (ndërkohë që fabulat i rrëzohen njëra pas tjetrës prej realitetit të jetesës që qytetarët tashmë e përjetojnë dhe artikulojnë qartë), vetëm mund të humbasë kredo politike.

Por nëse kjo mjafton që Rama të marrë tatëpjetën pa kthim dhe opozita të vijë në pushtet, kjo është çështje tjetër. Kështu, opozita, edhe pse e ka hequr kryetarin e saj nga ekranet, nuk mund të zhduket edhe vetë nga vëzhgimi publik. Kështu, në vend të Bashës ekranet i ka pushtuar Kryemadhi, Berisha dhe Vokshi. Dy të parët mund të garantojnë mobilizimin e militantëve të partive të tyre, por nuk frymëzojnë votues “gri”, pra rritje të votës opozitare. Vokshi, nga ana tjetër, nuk mund të përligjet si eksperte e opozitës edhe për shëndetësinë, edhe për arsimin, edhe për kulturën, edhe për çështjet sociale, e kështu me radhë. As militantët e Partisë Demokratike nuk duket të jenë dakord për gjithëpraninë mediatike të ish-deputetes.

Lëvizja e mençur e Bashës për t’u larguar nga ekranet për ca kohë, për të mos u marrë me debate politike të ditës dhe për t’u shfaqur si shtetar, si kryeministër në kohën dhe me regjistrin e duhur, po zhbëhet nga lëvizjet e tjera të opozitës. Vakumin politik që lë largimi nga mediat i kryetarit mund ta mbushë vetëm ekipi. Duke u larguar në pozitat e shtetarit, Basha duhet të kishte lënë ekipin e tij në frontin e betejës politike ku përplasen idetë, kapacitetet dhe imazhet e figurave.

Basha nuk duhet ta konceptojë si personale betejën politike me Ramën. Ky konceptim është humbës a priori. Basha, si “normali”, nuk mund të jetë kurrë aq interesant për publikun sa “anormali” Rama. Njerëzit, padyshim, preferojnë individin anormal, pasi ky, edhe pse mund t’i lërë pa bukë (“bukë dhe cirk”, panem et circenses, thoshin romakët), gjithsesi i argëton. Por, nga ana tjetër, qeverisja bëhet në ekip. Dhe njerëzit gjithmonë do të preferojnë një ekip normal dhe profesional, i cili u jep siguri për të ardhmen, para një ekipi anormal që nuk dihet se ku do e përplasë makinën po ia le në dorë timonin.

Në fund të fundit, largimi konceptual i Bashës në pozitat e shtetarit dhe largimi strategjik i tij prej ekraneve televizive, e bën të pamundur betejën politike personale me Ramën. Në linjë me këtë, “normali” Basha duhet ta demonstrojë normalitetin e tij duke ngritur sa më shpejt një ekip normal dhe profesional, të vetmin që ka shanse për ta mundur Ramën. Sepse buka, në analizë të fundit, është më e rëndësishme se cirku. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH