Kryesore

Rama, mandati i tretë dhe opozita

               Publikuar në : 10:38 - 03/05/21 liberale

Mandati i tretë, si më i vështiri, por më i bukuri.  Përjashtimi i mundësisë për koalicion me PSD-në.  Fletët  e pavlefshme që e çuan në tre mandate më pak dhe qëndrimi ndaj akuzave të opozitës për shitblerje votash. Këto ishin pikat kryesore rreth zgjedhjeve të 25 prillit, që kryeministri i ndau me italianen “La Repubblica”

Fitoren për mandatin e tretë, kryeministri Rama e ka cilësuar më të vështirën. Por më të bukurën prej tyre. Në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, kreu i qeverisë ka folur për zgjedhjet e 25 prillit dhe për opozitën.

“Hera e tretë ishte më e vështira, por është edhe më e bukura. Ne kemi fituar një shumicë absolute, kështu që nuk kemi nevojë për mbështetje”, është shprehur ai, i pyetur nëse do të ketë koalicion me PSD-në e Tom Doshit, i cili arriti të fitojë tre mandate.

Doshi, nën shënjestrën e mesazheve të ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila theksoi vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për ta shpallur “non grata” dhe i bëri thirrje Partisë Socialiste të mbante një qëndrim të hapur dhe të qartë, se nuk ishin aleatë me zotin Doshi. Kryeministri Rama do të shprehej se nuk kishte ndonjë dallim në qëndrimet e ambasadores me ato të maxhorancës. Një ditë pas zgjedhjeve, Doshi i cili kishte fituar votat që e nxirrnin deputet, u tërhoq duke mbajtur vetëm kryesimin e partisë. Ai do të deklaronte se ishte i gatshëm të bënte koalicion me PS, por jo me Partinë Demokratike në formimin e qeverisë së re. Megjithatë, PS mori 74 mandate nga zgjedhjet e 25 prillit, shifër që i lejon ta formojmë e vetme qeverinë duke pasur shumicën në parlament.

“Ndoshta mund të kishim një diferencë më të madhe, por këtë herë Shqipëria votoi me një sistem të ri zgjedhor, me lista dhe preferenca gjysmë të hapura dhe kishte shumë vota të pavlefshme”, ka  theksuar ai për median italiane, një bindje që e artikuloi edhe më herët. Vetë zoti Rama kishte bërë një parashikim që e çonte PS të fitonte 74 deri në 78 mandate. Sipas tij dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Taulant Balla shumë vota të pavlefshme – 83 mijë në total -, kishin qenë për socialistët dhe që do të rezultonin në marrjen e tre mandateve më shumë. “Shumë njerëz nuk kuptuan se si të votonin, ata na zgjodhën ne si parti, por u dhanë përparësi kandidatëve të tjerë dhe vota iu quajt e pavlefshme”, ka sqaruar Rama për publikun italian. Kreu i KQZ-së, Celibashi do të hidhte hipotezën se nëse do të ishte zgjedhur modeli me emrat e kandidatëve të fletës së votimit, shifra e pavlefshmërisë do të qe më e ulët. Ai u bëri thirrje partive politike, të analizonin shkaqet që çuan në një shifër kaq të lartë të fletëve të pavlefshme, para se KQZ t’i asgjësojë. Kreu i shtetit, Ilir Meta bëri gjithashtu thirrje për hetim të thelluar, duke hedhur dyshimet se mund të jenë manipuluar gjatë procesit të numërimit, duke i nxjerrë të pavlefshme.

Kryeministri Rama ka folur gjithashtu rreth akuzave të opozitës për manipulim të procesit zgjedhor dhe shitblerje të votave.

“Fatkeqësisht, opozita nuk është në gjendje të dalë nga ky qëndrim, që e bën që ajo të humbë zgjedhje pas zgjedhjesh”, ka deklaruar Rama, i cili gjatë fjalimit të fitores  i bëri sërish ftesë për bashkëpunim kreut të PD-së, duke i sugjeruar gjithashtu të pranonte rezultatin.

Në një intervistë televizive, Rama  do të thoshte se ishte një ofertë bashkëpunimi pa kufizim dhe pa tabu, por pa lënë të kuptohet shtrirjen e tij në terma konkretë. Pak ditë para zgjedhjeve, ai sqaroi se ftesa për bashkëpunim nuk kishte lidhje me qeverisje të përbashkët me sigurinë se PS do të merrte shumicën.

Kreu i PD-së në një deklaratë- të vetmen pas daljes së rezultatit – u shpreh se zgjedhjet nuk ishin demorkatike dhe se kishte pasur shitblerje industriale të votave. Ai e cilësoi masakër zgjedhore dhe lajmëroi se do të niste beteja për demokraci.

“Janë zgjedhjet e pesta radhazi dhe ata ende nuk arrijnë të kuptojnë: Në vend që të reflektojnë mbi veten e tyre, ata përqendrohen në konfrontim dhe akuza kundër nesh. Dhe përsëri humbin”, ka deklaruar Rama, në intervistën e tij për “La Repubblica”. “Sidoqoftë, këto zgjedhje japin një mesazh: kur e majta moderne është e organizuar mirë, është po aq e pamposhtur sa Interi i Mourinhos”, ka shtuar ai, duke paralelizuar edhe njëherë ashtu siç ka bërë gjatë fushatës elektorale, me ekipet e futbollit. Rama ka theksuar edhe saktësinë e sondazheve, ndër ta ai italian “Piepoli” mbi rezultatin. Në një intervistë televizive, kryeministri e cilësoi PS makineri elektorale e cila nuk mundet të mposhtet dhe bëri një parashikim edhe për mandatin e katërt, më 2025-n.

Partia Demokratike ka deklaruar se po mbledh dhe dokumenton fakte për shitblerjen e votave dhe manipulimin e procesit zgjedhor, që sipas Sekretarit për Çështjet Zgjedhore në PD nëse vërtetohen do të sjellin ndryshim të rezultatit.

Vëzhguesit e OSBE/ODIHR gjithashtu e theksuan shqetësimin e shitblerjes së votës, një fenomen të cilin e kanë adresuar edhe më herët në rekomandimet e tyre. Një tjetër shqetësim, siç do të vërente kryetarja e këtij misioni Urszula Gacek, ishte edhe mosndarja e qartë mes partisë dhe shtetit dhe keqpërdorimi i administratës publike gjatë zgjedhjeve të 25 prillit. Megjithatë, kryeministri e ka cilësuar raportin paraprak të OSBE-së, pozitiv “…dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare përmes përfaqësimeve të ndryshme ka ndjekur dhe konfirmuar rregullsinë e zgjedhjeve”, ka theksuar edhe njëherë kreu i qeverisë.

Kryeministri Rama ka zbuluar edhe disa nga vizionet e qeverisjes në këtë mandat të tretë, ndërsa motoja e tij gjatë fushatës elektorale ka qenë për të çuar përpara punët. Ai ka theksuar se ky mandat nuk ishte për të, pasi i kishte arritur të gjitha shkallët e karrierës politike, por ishte për shqiptarët. Shtyllat e kësaj fushatë- përpos ironisë me kundërshtarët politikë dhe një kthim pas në kohën e firmave piramidale më shumë se 20 vite të shkuar – kanë qenë premtimet për katër aeroporte dhe porte. Për median italiane ai ka folur për një revolucion digjital, në fushën e arsimit.

“Ne do të bëjmë një revolucion digjital dhe që nga shtatori i vitit 2022 të gjithë fëmijët shqiptarë do të studiojnë me detyrim anglishten që nga klasa e parë”, është shprehur ai. Gjatë fushatës ai gjithashtu premtoi se do të sillte në Shqipëri degë të universiteteve më prestigjiozë në Europë dhe botë. Një premtim për arsimin, që do të merrte edhe përgëzimet e komisioneres së BE-së Mariya Gabriel, në lidhje me aleancën e universiteteve europiane. Basha  gjithashtu premtoi një platformë kursesh së gjuhëve të huaja, falas për çdo shqiptar.

Ndërsa fitorja e PS-së në këtë mandat të tretë pret vetëm certifikimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Partia Demokratike, por edhe LSI – e cila ka paralajmëruar ankimimin e rezultatit – ende nuk i ka njohur dhe pret hetimin e tyre përmes dokumenteve dhe fakteve që po mbledh. Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka nisur procedimet penale për 33 kallëzime, lidhur me krimin zgjedhor, ndërsa ambasadorja amerikane por edhe ai gjerman e britanik kanë theksuar rëndësinë e hetimit në lidhje me shqetësimin e shitblerjes së votës.

 Shehu: PS u ka premtuar atyre që do t’i jepnin votën se do tu lejojë kultivimin e drogës

Në një intervistë për RTV Ora, deputeti i dalë nga 25 prilli, Tritan Shehu u shpreh se nuk duhet  vendosur fokusi te kritikat ndaj lidershipit të PD-së, por te shkeljet e rënda të procesit zgjedhor.

Sipas Shehut, duhen lënë pas emocionet dhe mllefet personale të kolegëve që janë më të nxehur më shumë me PD-në se sa me deformimin që i bëri demokracisë ky kryeministër.

“Unë kam një vërejtje për kolegët kritikë, pasi duhet të fokusohemi te procesi zgjedhor dhe problemet që dolën. Kështu do të dalin shkeljet e rënda të votës dhe demokracisë. Ky është elementi ku duhet të fokusohemi të gjithë. Faktet janë të shumta dhe tronditëse. Të dalim nga emocionet dhe mllefet personale që unë i konstatoj në disa kolegë që janë më të nxehur me PD-në se sa me deformimin që i bëri demokracisë ky kryeministër.”

Shehu theksoi se dosje për krimet zgjedhore po përgatiten në shumë qytete dhe do të dëshmojë shkeljet e bëra jashtë standardeve evropiane dhe deri te keqpërdorimi i institucioneve e administratës dhe pagesave.

“Institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë duhen sqaruar për ato që ndodhën në procesin zgjedhor. Unë jam në Gjirokastër dhe po përgatisim një dosje me deformimet e këtij procesi për t’ia çuar qendrës. Dosje të tilla po përgatiten në shumë qytete dhe do të dëshmojnë shkeljet e bëra jashtë standardeve evropiane dhe deri te keqpërdorimi i institucioneve e administratës dhe pagesave publike. Ka pasur premtime që u është lejuar kultivimi i drogës që të votojnë mazhorancën.”

Ka pasur premtime që u është lejuar kultivimi i drogës që të votojnë mazhorancën. Disa ditë më parë pamë një Ramë shumë ndryshe që u paraqit si një lepurush i butë, sepse mbi të  rëndon pesha e deformimit të demokracisë.

Shehu shtoi Rama pas zgjedhjeve u paraqit si një lepurush i butë duke pretenduar se nuk shkel ligjet dhe nuk bën krime elektorale.

“Jam i sigurt që këto denoncime të forta do të kenë reagimin e duhur dhe më pas do të ketë aksione për të mos e lënë të degradojë demokracinë shqiptare. Ne disa ditë më parë pamë një Ramë shumë ndryshe që u paraqit si një lepurush i butë, sepse rëndon pesha e deformimit të demokracisë. Mbi të rëndon një krim moral, por edhe penal. Prandaj u paraqit si një lepurush i butë duke pretenduar se nuk shkel ligjet dhe nuk bën krime elektorale.

Shehu përfundoi duke thënë se në qarkun e Gjirokastrës PD-ja kishte një rritje prej 7%, edhe pse ka rënë popullsia për shkak të largimeve masive.

Krimet zgjedhore/ Infocip: 340 persona në prokurori, e para renditet Lushnja

Deri në 25 prill, datë kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare, në dyert e prokurorisë janë dërguar 340 persona. Shkak janë bërë konstatimet e partive politike me pretendimet e shkeljes së rregullave elektorale, madje spas raportit të prezantuar prej përfaqësuesit të Infocip Gerti Shella, rezulton se i njëjti person është paditur disa here.

“Partia Demokratike ka kërkuar nisjen e hetimeve për krime të dyshuara zgjedhore dhe që është depozituar në Spak, është i firmosur nga sekretari i përgjithshëm i kësaj partie Z. Gazmend Bardhi ku janë gjithsej 48 persona për të cilët është kërkuar nisja e hetimeve

Xhaferaj përkrah Bashën, Alternativa e tij europiane u vodh nga Rilindja

Largimi i shqiptarëve, qytetarët: S’ka punë, ikin për jetë më të mirë

Në një radhitje të rretheve sipas kallëzimeve penale, Lushnja radhitet e parë në listë më 17 kallëzime, pas saj vjen Fieri dhe Gjirokastra.

“Lushnja rezulton deri tani të ketë numrin më të madhe të kallëzimeve penale. Prokuroria  e dytë me numri më të madhe të kallëzimeve është ajo e Fierit”.

Sipas Shellës është PD që ka ngritur më shumë akuza. Ndërsa shton se Ngjarja e Elbasanit në të cilën mbeti një i vrarë dhe katër të plagosur ka elemente te krimit zgjedhor. po ashtu ai shton se Korrupsioni në zgjedhje është ne toplistën e rasteve te referuara ne SPAK dhe Prokuroritë e Rretheve./Gazeta Liberale

Tags: , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back