Kryeministri Edi Rama akuzoi presidentin Meta se po bllokon projektin për infrastrukturën në Vlorë-Orikum, e pas kësaj Presidenca i është përgjigjur kryeministrit dhe ka publikuar një shkresë duke theksuar se në disa raste Meta ka kërkuar informacione nga Ministria e Financave dhe ajo e Jashtme lidhur me marrëveshjen e huas me Fondin Saudit për Zhvillim.
Sipas Presidencës, Meta jo vetëm nuk ka bllokuar punimet, por “ ka kërkuar informacion mbi arsyet pse nuk është respektuar procedura kushtetuese dhe ligjore për t’u pajisur me autorizim nga Kreu i Shtetit, për të negociuar termat financiarë të një marrëveshje huaje, që lidhet në emër të Republikës së Shqipërisë“.
Pas këtij reagimi të fundit Rama shkruan në Twitter se: Projekti gati, financimi gati, por ndërhyrja transformuese përgjatë segmentit Vlorë-Orikum dhe banorët, sipërmarrësit, turistët e asaj zone duhet të presin Ilir Metën!
Statusi nga Rama
Ilir Meta thotë se realizimi i një projekti të hartuar prej kohësh për infrastrukturën turistike të Vlorës qenka “qëllim selektiv elektoral”, prandaj ai e mbaka bllokuar prej muajsh autorizimin formal për marrjen e financimit të siguruar nga Fondi Saudit! Të qash e të qeshësh!
Projekti gati, financimi gati, por ndërhyrja transformuese përgjatë segmentit Vlorë-Orikum dhe banorët, sipërmarrësit, turistët e asaj zone duhet të presin Ilir Metën! Kam pritur me durim e do presim edhe pak që IM të lexojë sqarimet që i kemi nisur, para se të flasim me Vlorën!