Karta e Bolonjës e firmosur nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian në vitin 1999, shënoi një ndryshim madhor në formimin profesional dhe akademik. Për nga, thellësia dhe gjerësia e ndryshimeve dhe impakti i kësaj reforme, mund të thuhet se shekulli i ri filloi me një sistem të arsimit të lartë të transformuar rrënjësisht. Si një dokument me fuqi transformuese, Karta e Bolonjës u firmos dhe nga shtetet jo anëtare, duke u përhapur dhe në vendet e tjera të botës. Shqipëria e firmosi këtë dokument në vitin 2003 dhe që nga kjo kohë, ‘Bolonja’ shërben si një sistem reference për reformimin e arsimit të lartë në Shqipëri. Si pjesë e procesit të integrimit europian, anëtarësimi në Hapësirën Europiane të Arsimit është po aq me rëndësi sa dhe të qenit pjesë e Hapsirës së Përbashkët Ekonomike. Duhet theksuar se megjithë ritmin e ngadaltë dhe vështirësitë në procesin e adoptimit të kuadrit reformues të arsimit të lartë në Shqipëri, ndryshimet pozitive sasiore dhe cilësore që kanë ndodhur si pjesë e procesit të Bolonjës janë evidente. Pjesëmarrja në arsimin e lartë është zgjeruar ndjeshëm: rreth 58% e maturantëve tani vazhdojnë një program studimi bachelor. Edhe pse kjo shifër duket e lartë, në fakt ajo mbetet akoma më e ulët se mesatarja e BE-së ku 73% e maturantëve regjistrohen në programet e studimeve në universitete. Ndërkohë, ndryshimet cilësore kanë filluar por do të duhet më shumë kohë që të bëhen të lexueshme.
Zgjerimi dhe masivizimi i arsimit të lartë nuk ishte një qëllim i Bolonjës; në vendet e zhvilluara ky proces kishte ndodhur që nga vitet ‘70 dhe në vazhdimësi. Rritja ekonomike dhe përparimi teknik dhe teknologjik i shoqërive të zhvilluara, kishte diktuar pjesëmarrjen më të gjerë të të rinjve në ciklin e formimit universitar, në mënyrë që të luftohej fenomeni i njohur si “papunësia teknologjike”. Por në nisje të këtij shekulli të ri, konteksti i zhvillimeve në fushën e teknologjisë, po ndryshon gjithçka në bërjen e biznesit. Për pasojë, edhe sistemet e formimit profesional dhe akademik duhen ndryshuar në mënyrë që ti përgjigjen këtyre ndryshimeve. Nëse ndryshimet teknologjike në shekullin e kaluar kanë ndjekur një trend pothuajse linear, në shekullin e 21-të trendi është i një rritjeje eksponenciale. Kjo do të thotë se ndryshimet teknologjike të këtij shekulli nuk do të llogariten më sa 100 vite, por sa 20,000 vite! Prandaj dhe lidhja midis këtyre ndryshimeve dhe sistemeve arsimore është me rëndësi themelore. Diferencimi programeve nga Bachelor e deri në Master Ekzekutiv, përfaqëson një progres të vazhdueshëm në thellimin e dijeve nga një nivel në tjetrin. Akoma më me rëndësi është rritja e fleksibilitetit të kalimit nga një disiplinë në një tjetër. Marrja e dijeve themelore në një program bachelor, lehtëson kombinimin me disiplina të reja në programet më të thelluara Master. Në këtë mënyrë, një individ mund të ripërshtat vetveten gjatë gjithë jetës, në varësi të mundësive dhe rreziqeve që ofron tregu i punës. Siç kuptohet, programet e studimit të nivelit Master qendërzojnë sistemin arsimor në raport me tregun e punës.
Ky riformatim dhe diferencim i kurrikulës akademike nëpër ciklet e ndryshme të formimit, i përgjigjet kështu ndryshimeve kaq të fora dhe në intervale kaq të shkurtër kohe të teknologjive dhe proceseve të prodhimit. Ndoshta në çdo dekadë individi do të duhet të ridimensojë dijet e tij. Të mësuarit gjatë gjithë jetës në fakt jetësohen pikërisht nga ky ndryshim që ka ndodhur me Bolonjën; pra nevoja për të ndjekur programet e ciklit master profesional apo master shkencor dhe master ekzekutiv, e plotëson individin duke e ripozicionuar atë në tregun e ndryshuar të punës.
Tregu i punës gjithashtu është globalizuar. Njerëzit gjithnjë e më shumë lëvizin lirshëm, veçanërisht brenda tregut europian të punës. Kjo nënkupton edhe dije të standartizuara të shkencave. Ndërsa nuk është qëllim homogjenizimi i sistemit arsimor, brenda parimeve të autonomisë dhe respektit të diversitetit kulturore, etnik, etj., rritja e fleksibilitetit është një arritje madhore e sistemit të Bolonjës. Një student në një universitet në Shqipëri, mund të shkojë të ndjek një semestër apo një vit akademik kudo në universitetet europiane dhe të transferojë kreditet e tij lehtësisht nga një universitet në tjetrin, brenda apo jashtë vendit. Programet Erasmus të Bashkimit Europian që lehtësojnë shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik kanë luajtur një rol me rëndësi të dorës së parë në këtë proces. Me qindra studentë shqiptar kanë pasur mundësi të bëjnë një semestër akademik jashtë vendit. Vetëm nga Universiteti Europian i Tiranës, më shumë se 500 studentë kanë zhvilluar të paktën një semestër në ndonjë nga dhjetëra universitetet tona partnere në vendet e BE-së; disa dhjetëra student të huaj gjithashtu kanë studiuar në auditorët tona duke transferuar kreditet e fituara këtu pranë universiteteve të tyre. Fleksibiliteti, si për të zhvilluar karrierën profesionale nga një cikël studimi në një tjetër, edhe ai i kalimit nga një institucion arsimor kudo në hapësirën që ndjek principet e Bolonjës, është arritja madhore e kësaj reforme që de facto e bën çdo vend pjesë të hapësirës europiane të arsimit. Ndërkombëtarizimi është një nga dimensionet e tjera qendrore të sistemit të Bolonjës, por sfidat e zbatimit të tij mbeten të mëdha, veçanërisht për Shqipërinë që akoma karakterizohet nga sistem i mbyllur arsimor, krahasuar me vendet tjera.
Tregu i arsimit të lartë dhe tregu i punës duhet të zhvillohen në harmoni mes tyre. Karta e Bolonjës e mundëson këtë objektiv, prandaj dhe zbatimi i saj duhet të vazhdojë të jetë prioriteti kryesor në reformimin e arsimit të lartë në Shqipëri.
*Fjalë e mbajtur në kuadër të projektit 15 vjet Master, eksperienca dhe perspektiva