
Presidenca ka reaguar pas vendimit të Kuvendit që miratoi Komisionin Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Zëdhënësi i saj, Tedi Blushi tha për mediat, se Institucioni i Kreut të Shtetit nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari të Kuvendit.
“Presidenti i Republikës Ilir Meta shpreh keqardhjen e thellë, që Kuvendi njëpartiak e refuzoi mundësinë që ju dha prej tij për t’u kthyer në shinat e Kushtetutës dhe të Ligjit. Në këto kushte, bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë, si dhe vendimet e çdo institucioni tjetër kukull të këtij regjimi kleptokratik. Çdo produkt i një procesi fiktiv dhe antiligjor parlamentar, që bie ndesh me parimet dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike nuk meriton vëmendje dhe është nul”.
Blushi garantoi gjithë qytetarët që Meta do të ushtrojë detyrën deri në përfundim të mandatit të tij, ndërsa theksoi se kreu i shtetit është i qartë në planin e tij se çfarë do të ndodhë në vijim.
“Garantojmë të gjithë qytetarët, se në respekt të betimit të tij me dorën mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Presidenti Meta do të ushtrojë me përgjegjësi të plotë, sikundër ka vepruar derimë tani, të gjitha funksionet e tij kushtetuese deri më 24 korrik 2022 dhe nuk do të tolerojë asnjë lloj intimidimi të Institucionit të Presidentit nga mafia lokale, rajonale dhe ndërkombëtare”.