Sport

Polemika për biletat e Shqipëri-Çeki, FSHF: Pati kërkesë nga mbi 300 mijë persona

Shkruar nga Liberale

Takimi i radhës i ekipit tonë Kombëtar, Shqipëri-Republika Çeke, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” më datë 12 tetor, në orën 20.45 është padiskutim një ndeshje me interes shumë të lartë nga publiku shqiptar që jeton brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Këtë sezon kualifikues për shitjen e biletave, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur në dispozicion të publikut portalin ebileta.al. Kjo me të vetmin qëllim që sportëdashësit që duan të ndjekin ndeshjet e ekipit Kombëtar në shtëpi apo në transfertë, ta kenë sa më të lehtë e komode rezervimin dhe blerjen e tyre.

Për këtë ndeshje kemi vepruar dhe ndjekur të njëjtat procedura dhe rregulla si në ndeshjet me Moldavinë dhe Poloninë ku secili aplikant mund të blejë jo më shumë se 4 bileta. FSHF ka njoftuar fillimin e procesit ditën e premte, datë 15 shtator. Por për arsye të mbingarkesës e rradhës së madhe të aplikantëve sistemi ka pasur disa herë rënie, të cilat janë stabilizuar dhe shitja ka filluar në orën 21.15 siç është njoftuar në kanalet tona zyrtare të komunikimit.

Në portalin e biletarisë dhe në faqen zyrtare të Federatës kanë qënë mbi 300 mijë persona ne pritje në orët para dhe gjatë shitjes së biletave.

Biletat e nxjerra në shitje në një kohë rekord janë mbaruar. Në të njëjtën kohë dëshirojmë të saktësojmë se biletat e kërkuara nga tifozeritë e organizuara që mbështesin ekipin kombëtar në ndeshjet brenda dhe jashtë vendit janë të reservuara dhe i shpërndahen tifogrupeve të cilët bëjnë shpërndarjet për anëtarët e tyre.

Rastet e individëve që kanë bërë pagesa dhe nuk kanë arritur të marrin biletën nga portali biletarisë janë zgjidhur të gjitha me sistemin bankar që ka kthyer mbrapsh të gjithë pagesat e kryera.

Falenderojmë të gjithë tifozët për interesimin dhe kërkojmë e dëshirojmë të mirëkuptohemi nga ta për mosplotësimin e të gjithë kërkesave të tyre. Çdo stadium i ndërtuar do të ishte i pamjaftueshëm për të përmbushur kërkesat për këtë ndeshje.

Federata Shqiptare e Futbollit uron që të kemi rezultat pozitiv në këtë ndeshje të rëndësishme të ekipit kombëtar në rrugëtimin drejt Kampionatit Evropian dhe të gjithë sëbashku të festojmë sukseset e djemve kuqezi.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH