Duke lënë pas një 2019, që e cilësoi si vitin më të vështirë të qeverisjes së tij, kryeministri Rama vizaton një 2020 me nota optimiste edhe pse krizat vijnë të mbartura, me opozitën jashtë parlamentit që kërkon zgjedhje të parakohshme dhe atë të strehimit pas tërmetit të 26 nëntorit. Por Rama nuk bën asnjë ndryshim në qëndrimet politike, duke i parë zgjedhjet në qershor të 2021, ndërsa në shahun politik që thotë se luan e sheh opozitën të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.
Asgjë e re nga kryeministri. Në intervistën e parë për 2020-n, nga studioja e emisionit “Java” në Radiotelevizionin Shqiptar, Rama nuk artikuloi asgjë të padëgjuar apo të re në qëndrimet që ka mbajtur në 12 vitet e kaluara.
E pranoi se viti që sapo u mbyll kishte qenë një nga më të vështirët e qeverisjes së tij, edhe përpara kulmimit tragjik me tërmetin e 26 nëntorit.
Para moderatorëve Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, kreu i qeverisë pranoi se viti nuk kish qenë fort i lehtë që në muajt e parë, kur opozita vendosi të dalë nga Kuvendi e të djegë mandatet e deputetëve në bllok. Akt që përtej të qenët i paprecedentë në historinë e pluralizmit, Rama e cilësoi si vetëvrasje politike, por që nuk ndihej as autor i saj e aq më pak i keqardhur.
“Në kujtesën time si kryeministër, ka qenë viti më i vështirë. Një vit që në gjysmën e parë u karakterizua nga një konflikt i madh, nga një ngërç i madh. nga një situatë ku u vumë në pozitivë të vështirë si vend”, do të deklaronte ai duke u ndalur në një tjetër pikë, ku qeverisja e tij u zu ngushtë siç ishin zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Atipike i cilësoi kryeministri parë në largësinë e gjashtë muajve tashmë, por nga të cilat nuk hoqi dorë megjithë bojkotin e opozitës dhe thirrjet për t’i penguar ato e deri tek dekreti i presidentit për t’i shfuqizuar e më pas shtyrë.
“Po realisht të pazakonshme deri në fund. Zgjedhje të bojkotuara nga opozita dhe në një pjesë të madhe të bashkive me një kandidat”, do të pranonte kreu i ekzekutivit dhe i socialistëve, të cilët kanë tashmë nën pushtetin e tyre 61 bashki të vendit, pas zgjedhjeve që sipas raportit të OSBE/ODIHR u kryen duke mos pasur në qendër interesin e zgjedhësve të vënë gjithashtu nën presion nga të dyja palët politike. Fitoren në rang kombëtar me 20 përqind të votuesve, sipas të dhënave të KQZ-së, kryeministri Rama e cilësoi atëkohë si rreshtim nga ana e duhur e historisë.
“Pastaj një tërmet psikologjik, siç ishte refuzimi i çeljes së negociatave me BE”, vijonte Rama me bilancin e 2019-s, ndërsa mbylljen e dyerve nga liderët e Bashkimit Europian do ta cilësonte si politikë e brendshme, ndërsa ngulmoi se qeveria e tij i kishte kryer detyrat. Por Bundestagu Gjerman, megjithë votën pro për çeljen e negociatave me dy vendet kandidate, nuk ishte i të njëjtit mendim duke i ngarkuar qeverisë Rama plotësimin e nëntë kushteve, ku përfshihej ngritja e Gjykatës Kushtetuese, miratimi gjithëpërfshirës i Reformës Zgjedhore, themelimi dhe rezultatet e para nga SPAK në hetimin e zyrtarëve të korruptuar dhe vendimi përfundimtar i Kushtetueses për legjitimitetin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
“Pastaj me një kulmim tragjik me tërmetin e 26 nëntorit, që krijoi mundësinë e një fillimi të ri”, do të shprehej kryeministri, ndërsa e cilëson 2020 si vitin e një fillimi të ri “edhe falë shtysës që gjeneroi kjo situatë”, do të thoshte ai, me vizionin se ky vit – që e gjeti Shqipërinë në mes të krizës humanitare të gjeneruar si pasojë e tërmetit -, do të jetë viti i shënuar i qeverisjes së tij. “Për shkak të rindërtimit, për shkak të një procesi historik në betejën me krimin, që nis me një rindërtim nga shteti në themelet e krimit”, do të vijonte kryeministri, duke iu përmbajtur edhe deklaratave të tij të mëhershme.
Pa hequr dorë nga qëndrimi ndaj zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, që sipas tij dhe përkundër pretendimeve të opozitës do të mbahen në qershor të 2021-shit, Rama ka pranuar se 2020 nuk do të jetë vit zgjedhjesh të parakohshme. Kjo, do të shprehej ai, do të ndodhte vetëm nëse Partia Socialiste do t’i kërkonte ato. Vetëm pak kohë më parë në mbledhje me kryesinë e PS-së, kryeministri do të thoshte se partia që përfaqëson maxhorancën po përgatitet për zgjedhjet e 2021-shit dhe se sipas tij nuk është aq i largët politikisht.
Ndonëse ka zbuluar se me liderin e opozitës ka shkëmbyer mesazhe vetëm pas tërmetit të 26 nëntorit për të qenë të bashkuar përballë katastrofës natyrore , Rama do ta shihte opozitën pjesëmarrëse në zgjedhjet e ardhshme.
“Unë shpresoj që gjërat të ndryshojnë. Në këndvështrimin tim kanë filluar të ndryshojnë. Se me sa duket ka rënë teza “O ik, o s’ka dhe s’kemi punë me institucionet dhe me procesin demokratik brenda institucioneve!” Mendoj se opozita do të marrë pjesë në zgjedhje. Nuk ma ha mendja që do kemi parti politike që do të lëshojnë territorin pa luftë politike ose që do tentojnë ta lëshojnë betejën në fushën e përplasjeve e me kërkesa anti-demokratike”, u shpreh Rama në ditët e para të janarit, ndërsa kryeopozitari Basha e mbylli 2019-n duke iu kthyer tezave të një qeverie “të përgjegjshme”, që do ta nxirrte vendin nga kriza. Gjatë takimeve me qytetarë në zonat e dëmtuara nga tërmeti, kreu i selisë blu ka kritikuar kryeministrin se po bën propagandë për axhendën e tij politike, duke e quajtur shtetin “prej kartoni”.
Basha dhe partitë e tjera aleate e kanë përkufizuar 2019-n përmes kërkesave për largimin e kryeministrit, formimin e një qeverie tranzitore dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat të jenë të lira e të ndershme. Kreu i demokratëve madje ka folur edhe për dy palë zgjedhje, duke mos i njohur ato të 30 qershorit, ku sipas opozitës 85 përqind e shqiptarëve i bojkotuan. Por kryeministri ka përsëritur, ashtu siç ka bërë nga maji i vitit të kaluar, ftesën për opozitën për t’u ulur në dialog pa kushte.
Por përtej luftës politike, kryeministri Rama ka vijuar të mbajë të njëjtin qëndrim edhe përballë kritikave ndaj Partneritetit Publik-Privat, ku vitin e kaluar qenë nën shënjestër tenderët për rrugë si Milot-Balldren, Rruga e Arbrit, Orikum-Dukat, projekti i Unazës së Re apo koncesionet e sterilizimeve dhe të aparateve të dializës, në spitale.
Rama ka pohuar se projekti i Unazës së Re, që prej më se një viti i ka nxjerrë banorët e zonës së Astirit në protesta kundër shembjes së shtëpive që do i hapin udhë zbatimit të projektit, do të vijojë. “Është riparë nga ana ime”, ka thënë ai duke pranuar se skandali që përfshiu kompaninë fituese të tenderit për ndërtimin e Unazës, DH Albania, kishte cenuar kredibilitetin e një projekti të rëndësishëm.
Megjithatë qeveria e tij duket se nuk do të ndalet as këtë vit në të ashtuquajturit PPP, që ka çuar në protesta jo vetëm tek banorët e Astirit, por edhe tek komuniteti i artistëve kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, që do t’i hapë rrugë ndërtimit të të riut përmes partneritetit publik-privat. Jo vetëm që nuk është anuluar ndonjë tender rrugësh, si i shumë kritikuari Milot-Balldren, por Rama ka zbulua se këtë vit do të hidhet një tjetër tender, ai për rrugën Thumanë-Rrogozhinë.
I pyetur nëse Shqipëria rrezikonte përballjen me një gropë financiare pas dy vitesh, për shkak të PPP-ve, shumica prej të cilave do t’i kushtojnë shtetit qindra miliona euro, Rama nuk do të shfaqte shenjë tërheqjeje. “Pse të pendohem unë, që po bëjmë Rrugën e Arbrit? Po ta kishim bërë pa PPP, do na duheshin 13 vjet, ndërkohë që ne do e bëjmë për 3 vjet. Të pendohem për kontrollin bazë falas. Po të shikoni dializën, është shumë më mirë se më parë. Në fund, pas 7 vitesh më duket e ka hemodializa, të gjitha bëhen pronë të shtetit”, do të thoshte kreu i qeverisë pa i kursyer akuzat për qeverisjen e mëparshme dhe tenderëve që ka dhënë për rrugët me interes kombëtar. Po të shikosh tenderët e rrugëve janë katastrofë. Medemek kanë bërë rrugë ata, por unë s’e kam me ata, por me tenderët. FMN ka një shqetësim, që ne e kemi adresuar, që ne e kemi vendosur në ligj, që detyrimet ndaj palëve për PPP nuk mund të kalojnë 5% të buxhetit. Kjo do të thotë se ka tavan”, duket se ka qetësuar kryeministri, megjithëse shqetësimi i organizmave ndërkombëtarë ndaj partneriteteve publik-privat.
Kryeministri Rama, që do ta përshkruante në vizionin e tij një 2020, ku gjërat do të ecin me ritëm të zakonshëm, megjithëse krizës politike i është shtuar ajo e strehimit. Ai do të fliste edhe për rritjen e rrogave apo të pensioneve, ndërsa edhe buxheti i këtij viti ka pësuar rishikime e shkurtime siç do të sqaronte ministrja e Financave një muaj më parë për shkak të tërmetit.
Buxheti i 2020 nuk ka parashikuar rritje pagash dhe ka ulur shpenzimet kapitale, por kryeministri Rama duket se e ka parashikuar një rritje rrogash dhe pensionesh pikërisht në vit elektoral.
“Me siguri më 2021, ndërsa duke qenë të imponuar nga agjenda e rindërtimit mendoj që do të ishte e nxituar që kjo gjë do të ndodhë më 2020”, është shprehur ai.
Në një nga pikat e nxehta të konfliktit, jo vetëm me opozitën por edhe me presidentin, siç është ajo e pretendimit të të dytëve për kapjen e Reformës në Drejtësi nga kryeministri, Rama do t’i hidhte poshtë akuzat.
“Nëse ne do të kishim pasur tendenca kapje të sistemit të ri të drejtësisë nuk do të ishte e mundur që ata që e kanë sponsorizuar politikisht dhe financiarisht të mos kishin ngritur zërin, SHBA, o ne i kemi kapur të gjitha edhe drejtësinë edhe Amerikën edhe Europën, ose këtu ka diçka që nuk shkon në logjikë", deklaroi ai, duke u ndalur edhe te krijimi i SPAK që megjithëse gjeti mbështetje nga opozita dhe presidenti Meta, do të kritikohej më pas nga selia blu zgjedhja e në ish-hetuesi të regjimit komunist në krye të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.
“Procesi i formimit të SPAK është një proces kaq i rëndësishëm, strategjik për partnerët tanë, sidomos për ata amerikanë. Procesi i monitorimit është në alert maksimal”, do të thoshte kryeministri, që megjithëse pranoi se procesi i zgjedhjes së prokurorëve të posaçëm nuk kishte qenë perfekt, kishte sjellë pastrim të sistemit.
“Në pjesën e pastruar ka pasur gjykatës dhe prokurorë që fatkeqësisht kanë rezultuar të ndotur nga pikëpamja e raportit etik, por kanë qenë dhe njerëz me eksperiencë. Nga ata që kalojnë procesin ka dhe ata që s’kanë eksperiencë. Ky sistem është një kthesë historike në aspektin e pastrimit. Pjesa tjetër se sa dhe si ky sistem që po ngrihet do të jetë i paanshëm, kjo duhet provuar”, do të shprehej Rama, ndërsa PD përmes sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi do t’i bënte thirrje ShBA dhe BE të siguronin për kredibilitetin dhe pavarësinë e SPAK , ndërsa krahas kreut Arben Kraja pati debate edhe për prokurorin Altin Dumani i fotografuar në shoqërinë e deputetit socialist Ulsi Manja.
Ndërsa do ta mbyllte gjysmën e dytë të 2019-s me paralajmërimet ndaj të korruptuarve në sistemin e drejtësisë përmes paketës AntiKÇK, Rama do të thoshte në intervistën e dhënë në RTSh se 2020 do të ishte një vit kyç edhe në luftën që do të tronditë themelet e krimit. “S’merrem me bixhoz politik, por me shah politik. Në këtë histori është dhe Fanti dhe Çupa”, do të përfundonte kryeministri, i cili megjithëse pikturon një 2020 me nota optimiste sapo ka lënë çështje të pambyllura nga viti i kaluar me një krizë politike, ndoshta më të gjatën dhe më të paprecedentën në tri dekada pluralizëm, duke çuar në pushtet thuajse absolut të maxhorancës në Parlament dhe në nivel vendor, një krizë institucionale me presidentin ndaj të cilit është zgjeruar baza e hetimit për shkelje kushtetuese dhe shkarkim nga komisioni parlamentar dhe me pasojat e katastrofës natyrore, që përtej solidaritetit njerëzor e gjeti shtetin me struktura të papërgatitura dhe me një buxhet që nuk mundet ta përballojë faturën e rindërtimit, ndërsa sytë janë ende të ngulur tek zemërgjerësia e donatorëve.
Por kreu i qeverisë sheh edhe përtej kësaj 2020, që e sheh si vitin e rëndësishëm të qeverisjes së tij. Sheh drejt një mandati të tretë, që siç thotë përmes batutave mbi look-un e tij, drejt të cilit do të marshojë me opinga.
Opozita në vetëvrasje politike, Rama: Nuk jam autori, por as i keqardhur
Përballë kritikëve se ishte ai personi që e shtyu opozitën drejt 'vetëvrasjes' politike, shefi i maxhorancës, ndau këtë qëndrim në emisionin “Java”, në TVSh, mbrëmjen e 4 janarit.
“Ajo që ndodhi vjet ishte një grahmë e madhe e fundi të një politike, e cila nga braktisja e garës, ka pasur një nga kuajt e vet të betejës (djegia e mandateve). Nuk do ketë një parti politike në Shqipëri, të një përmase të caktuar, që do i hyjë një rruge vetëvrasëse. Ka qenë një përpjekje e bërë nga ana e tyre me idenë që do t’ia dalin të krijojnë një situatë pamundësie. Unë nuk kam detyrë të ndihmoj opozitën të bëhet më e fortë as që të jetë më e gatshme për të fituar zgjedhjet. Kam detyrën që në këtë sfidë me opozitën të bëj atë që është e mundur që opozita të dobësohet, natyrisht duke respektuar rregullat dhe duke ndjekur parimet e lojës demokratike pa përdorur pushtetin për ta tkurrur, intimiduar, për ta vendosur opozitën në pozitë të vështirë. Se opozita shkon drejt vetëvrasjes si rezultat i mungesës së një largpamësie strategjike, nuk më bën autor i kësaj vendimmarrje, dhe as më bën të ndihem i keqardhur. Kësaj opozite nëse i ka munguar diçka, s’ka qenë si rezultat i ushtrimit të pushtetit, por i ka munguar mendja për të pasur një skuadër dhe lidership të fortë”. Kryeministri zbuloi edhe komunikimin e fundit që ka pasur me liderin demokrat, Lulzim Basha.
“Në ditët pas tërmetit i kam çuar një mesazh për t'i sugjeruar që të jemi bashkë, dhe kaq. Para këtij momenti komunikimi i fundit ka qenë kur PD ka qenë ende në parlament”, tha Rama, duke u ndalu edhe tek marrëveshja e shumë përfolur e 17 majit të 2017-ës, mes tij dhe liderit të PD, Lulzim Basha, hap që më pas solli futjen e opozitës në zgjedhje. Ai pohoi se opozita marrëveshjen me qeverinë e cilësoi si një ndër faktorët që PD humbi zgjedhjet.
“Një gjë është tipike që opozita nuk e refuzon dialogun me qeverinë, madje e synon dhe qeveria rëndom është e prirur që ta refuzojë. Në kujtesën time, në të gjitha vitet që kam drejtuar opozitën disa herë i jam drejtuar kryetarit të qeverisë për t’u ulur në tryezën dhe në shumë raste s’kam marrë përgjigje, përveç një rasti për ndryshime kushtetuese. Kur qeveria gjykohet, s’mund të bëhet se pse nuk merr në konsiderata kërkesën që të ndryshojë kryeministrin apo të formacionin qeverisës sepse e do opozita. Këto arsye që ka opozita i gjykon zgjedhësi. Ajo që më takon mua dhe ne si qeveri, është që të jemi të gatshëm që të dëgjojmë arsyet e palës tjetër. Më shumë se kaq se di se ça mund të bëjë. Ka qenë marrëveshje e duhur dhe e dobishme (marrëveshja e 17 majit) Pas humbjes së PD gjeneroi një frymë tjetër se “të gjithë humbjen e solli marrëveshja”. Dhe që “kurrë më marrëveshje, se ndryshe humbasim”. Se me ‘Ramën në krye, i biem murit me kokë’. Mendoj se ajo që kam bërë dhe është e pafalshme, është se kam fituar zgjedhjet. Dhe duke fituar zgjedhjet, jam bërë i padurueshëm për ta. Ne jemi të gatshëm të ulemi, të diskutojmë. Pa kushte. Nuk jemi të detyruar të biem dakord për të gjitha. Por nuk besoj se politika…ne kemi bërë bojkot Kuvendit, por nuk ka rritur mbështetje dhe vota, por na ka energjizuar. Njerëzit janë të prirë që të kërkojnë arsyetim.”, pohoi kryeministri.
“Kudo ka të çmendur”! Agron Tufa nxjerr “SMS-në” që i çoi Rama pas kërcënimeve
Shkrimtari Agron Tufa i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili duke folur për kërcënimet ndaj tij në emisionin “Java” tha se kudo ka njerëz të çmendur, që bëjnë kërcënime.
Reagimi i Agron Tufës:
Edi Rama, kur sulmohesha e kërcënohesha unë, familja, puna ime në ISKK dhe e kolegut tim Çelo Hoxha, iu drejtova instancave më të larta të reagonin. Dhe reagimet institucionale ishin:
Gramoz Ruçi: “Unë nuk jam kujdestar konvikti që të thërras rojën (deputetin Braho) e t’i tërheq vërejtje. Edhe mua më kërcënojnë” (prill 2019);
Edi Rama: “Ne do dërgojmë një komision parlamentar në atë Institut, që të procedohet penalisht, nëse ka shkelur ligjin” (5 maj 2019);
Taulant Balla: “Zotëri, nëse të kanë ofenduar, drejtoju gjykatës. Nëse të kanë kërcënuar, drejtoju Prokurorisë. Dhe mua më kanë kërcënuar, por ja, dje isha në gjykatë dhe i zgjidha problemet. Drejtoju Organeve të Reja të Drejtësisë tonë” (prill 2019);
Edi Rama: “Nuk ka një konspiracion komunist kundër Tufës. Çdo vend ka të çmendur që kërcënojnë në telefona. Edhe mua më kërcënojnë”, etj. (4 janar 2020).
Të gjithë këta kërcënohen, por ne nuk jemi në postet dhe fuqinë e tyre. Ne dhe familjet tona nuk kemi imuniteti, nuk i kemi me vete ushtrinë, policinë, sigurimsat, gjykatat, nandat, pasuritë, killerat, mediat dhe arrogancën. Ne jemi të pambrojtur përballë kësaj lukunie.
Prandaj, mbrëmë Kryeministri Edi Rama, duke shpërfillur dramatizmin e situatës sonë familjare, sapo rikonfirmoi marrjen në mbrojtje të “qenve të ish Sigurimit dhe pitbullëve të drejtësosë enveriste, të cilët i ka zgjidhur nga zinxhiri i diktaturës, i ka bërë cerberët e pushtetit të tij.
Po s’pati vallë gjë për të thenë Kryeministri për deputetin e tij dhe ish deputetin tjetër, që edhe pse gjendemi në azil ata kërcënojnë e përbetohen se “…do të të gjejmë dhe në vrimë të miut atje ku ke kërkuar azil” (Dita, 4 dhjetor 2019).Prandaj, si konkluzion: unë u përballa me qentë e tu të diktaturës, zoti kryeministër. Mbetet vetëm një gjë: ose ti i ke marrë e duhej t’i bëje zap, ose ata kanë dalë jashtë kontrolli dhe nuk të binden më as ty!
Sido që të jetë, është pikërisht kjo përgjegjësia juaj direkte, të cilën duhet ta marrësh publikisht dhe ndërkombëtarisht mbi vete! Çdo shmangie prej kësaj përgjegjësie, siç bëtë mbrëmë në RTSH, është mbrojtje e qartë dhe e hapur e dhunëtarëve të tu, është ndërsimi ndaj nesh i krejt zinxhirit të qenve të diktaturës. Dhe ty, z. Kryeministër nuk të ka mbetur gjë tjetër, veç t’i ndërsesh ndaj nesh, brenda e jashtë atdheut dhe, i tërhequr mënjanë të soditësh këtë spektakël makabër të përgjakjes dhe likuidimit të çdo lloji lirie! /Gazeta Liberale