Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës së Ministrisë së Shëndetësisë, e cila e akuzoi PD për shpifje dhe tha se "procedurat për blerjen e materialeve të mbrojtjes personale për mjekët dhe infermierët gjatë kësaj epidemie, janë zhvilluar duke zbatuar legjislacionin në fuqi".
Në një deklaratë për mediat, PD thotë se MSH nuk jep asnjë sqarim për blerjen me cmim dyfish të pajisjeve mjekësore.
PD i drejton disa pyetje Qeverisë, që sipas saj kërkojnë përgjigje të thjeshta dhe që shqiptarët duhet t'i dinë këto përgjigje.
Deklarata e plotë e PD
Sa herë kapet në vjedhje, në vend të transparencës, qeveria sulmon opozitën. Ministria e Shëndetësisë nuk jep asnjë shpjegim për blerjen me dyfish çmimin e tregut të pajisjeve mjekësore antiCOVID.
Nuk është koha e sulmeve bajate politike, qeveria duhet të japë përgjigje konkrete me një Po ose një Jo të thjeshtë.
1. A bleu qeveria 178 mijë maska me 8 mijë lekë copën, kur në farmaci ato kushtojnë 4 mijë lekë?
2. A bleu qeveria veshje spitalore me 28 euro, kur në treg kushtojnë gati 3 herë më pak, 9.6 euro?
3. A bleu qeveria, mbrojtëse për sytë me dyfishin e çmimit të tregut, nga 2.9 euro i bleu me 6 euro copën?
4. A i bleu qeveria edhe maskat spitalore me çmime të dyfishuara, nga 3.8 euro që janë në treg me 8 euro?
Qytetarët presin përgjigje për këto pyetje. Ata nuk duan të degjojnë akuza dhe sulme banale politike, por kërkojnë të vërtetën e kontratave që qeveria i ka klasifikuar si sekret shtetëror. Në vend të fjalëve boshe, Edi Rama duhet të bëjë diçka fare të thjeshtë: të publikojë kontratën e blerjes së këtyre materialeve! Pastaj qytetarët gjykojnë vetë kush thotë të vërtetën dhe kush vjedh!