Vrasja ka ndodhur në zonën e Foggia. Vajza ishte përpjekur për të mbrojtur nënën e saj por babai i saj e vrau. Vrasësi i dyshuar, shtetas shqiptar, ka vrarë edhe një tregtar italian 51-vjeçar
Ai tentoi të vriste gruan e tij, por vajza e tij 16-vjeçare mbrojti nënën e saj dhe u godit me thikë. Para krimit në familje, vrasësi i dyshuar Taulant Malaj , 45-vjeçari shqiptar, vrau edhe një italian. Karabinierët e kapën në Torremaggiore, ku ndodhi vrasja e dyfishtë, teksa endej në kërkim të djalit tjetër. Gruaja që i mbijetoi sulmit të dhunshëm, Tefta Malaj , 39 vjeçe, është transportuar me kod të kuq në spitalin e Foggia: gjendja e saj është e rëndë. Për dy viktimat e tjera, Gessica Malaj dhe Massimo De Santis , ky i fundit një tregtar italian 51-vjeçar, mjekët nuk mund të bënin asgjë.
Tragjedia ndodhi gjatë natës midis të shtunës 6 dhe të dielës 7 maj në një apartament në Torremaggiore (Foggia). Sipas një rikonstruksioni fillestar nga hetuesit, Taulant Malaj, i cili punonte si bukëpjekës, fillimisht ka sulmuar 51-vjeçarin italian në shkallët e pallatit, më pas ka hyrë në shtëpi me qëllimin për të vrarë bashkëshorten e tij. Vajza 16-vjeçare ka mbrojtur nënën e saj dhe ka përfunduar e goditur me thikë nga babai i saj. Tefta Malaj, e cila i shpëtoi për mrekulli furisë së verbër të të shoqit, ka arritur të lajmërojë policinë. Në vendngjarje kanë ndërhyrë policia dhe ambulanca.
Menjëherë pas vrasjes së dyfishtë, 45-vjeçari shqiptar është arratisur. Policia e ndaloi dhe e bllokoi teksa ishte duke kërkuar për djalin tjetër. Shqiptari që kreu krimin aktualisht është në burg. Sa i përket motivit, raporton Corriere.it , pista më e mundshme duket ajo e xhelozisë . Megjithatë, për momentin nuk dihen detaje të tjera. Është gjetur edhe arma e vrasjes: një thikë kuzhine.
“ Ajo që sapo ka ndodhur në Torremaggiore ku një burrë vrau vajzën e tij që po përpiqej ta ndalonte të vriste nënën e saj dhe një burrë tjetër, tregon se dhuna nuk është çmenduri ”, tha Alfredo Antoniozzi , nënkryetar i grupit të partisë qeverisë, Vëllezërit të Italisë. Ai tha se qeveria italiane po përgatit një ligj të ri me qëllim parandalimin e rasteve të dhunës dhe krimit në familje.
/Liberale.al/