Temperaturat e larta dhe thatësira këtë verë kanë sjellë një shtim të ndjeshëm të rasteve të pickimeve nga gjarpërinjtë dhe insektet helmuese në vend. Vetëm në urgjencën e QSUT-së, çdo javë paraqiten mesatarisht tre persona të pickuar nga gjarpërinjtë shumica prej tyre nga zonat rurale, ku kontaktet me natyrën janë më të shpeshta.
Një rast më i rëndë është shënuar këtë javë, kur një 19-vjeçar nga Cërriku ka mbërritur në gjendje të rënduar në spital, pas një pickimi nga merimanga e zezë. I riu kishte zhvilluar komplikacione serioze në zemër si pasojë e helmimit, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Sipas drejtoreshës së Operatorit të Kujdesit Shëndetësor, Jeta Deda, po merren masa për të përballuar situatën. Qendrat shëndetësore verore në zonat rurale po pajisen me medikamentet dhe antidotet e nevojshme për të garantuar trajtim të shpejtë dhe efektiv në rastet e pickimeve.
Rritja e rasteve lidhet ngushtë me kushtet klimatike: gjarpërinjtë dalin më shpesh në kërkim të ujit për shkak të thatësirës, ndërsa përqendrimi i helmit si tek gjarpërinjtë, ashtu edhe tek merimangat, është më i lartë, duke e bërë më të rrezikshëm kontaktin me ta.
Ndërkohë që ndaj mushkonjave dhe insekteve të tjera merren masa përmes proceseve të dezinsektimit, për gjarpërinjtë situata është më e ndërlikuar. Nuk lejohet përdorimi i kimikateve ndaj tyre, për të mos dëmtuar faunën dhe ekosistemin natyror, ndaj ndërhyrjet kufizohen vetëm në ndihmë mjekësore pas incidentit.
Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar gjatë qëndrimeve në natyrë, veçanërisht në zona të thata, me bar të gjatë apo afër burimeve ujore, ku mundësia për kontakt me gjarpërinj është më e lartë. Po ashtu, këshillohet që çdo pickim të trajtohet menjëherë në qendrat më të afërta shëndetësore.