Ervis Iljazaj *
Sot në ambjentet e Universitetit Europian të Tiranës u promovua libri i Arben Imamit ‘’Kushtetuta’’. Një libër që përmban ide, projekte dhe mendime të një nga hartuesit e Kushtetutës së Shqipërisë të vitit 1998. Libri mund të quhet një komentar kushtetutes, por jo një komentar i zakonshëm, por një komentar i shkruar prej një nga protagonistët e kësaj ngjarje shumë të rëndësishme për shoqërinë dhe politikën shqiptare.
Komentarët kushtetutes janë një nga kategoritë më të rëndësishme në aspektin e kuptimit të një kushtetute në të gjitha dimensionet saj. Për një arësye shumë të rëndësishme. Sepse merret me frymën, dhe ration e normës. Ne jemi mësuar shpesh që intepretimin e Kushtetutës në Shqipëri ta bëjmë me një analizë teksti. Ndërsa libri i Imamit i jep kontribut të rëndësishëm në një tjetër dimension. Ai shpjegon arësyet historike, kulturore dhe kontestin e zgjedhjeve të caktuara që janë bërë në Kushtetutën tonë. Gjithashtu tregon vështirësitë që ka patur një vend si Shqipëria , pa një traditë demokratike institucionale për të disiplinuar marrëdhëniet e reja ekonomike, politike dhe shoqërore të një vendi i cili sapo kishte dalë nga regjimi 45 vjecar komunist. Megjithatë, kostituentët shqiptar ja dolën të hartonin një Kushtetutë , që mirë apo keq ishtë një strukturë që qëndronte dhe mbante fortë themelet e një regjimi demokratik. Sigurisht një Kushtetutë brenda një kulture të caktuar politike dhe nevojave të caktuara të një demokracie të sapo lindur.
Në këtë kuptim, ky libëri është një kontribut i rëndësishëm për të gjithë studentët dhe studiuesit në këtë fushë . Aty do të gjejnë spunto të rëndësishmë, arësye hitorike dhe politike të dokumentit themelor të shoqërisë shqiptare. Autori sigurisht në këtë libër është përpjekur të japë dhe zgjidhje për disa cështje të , si përshembull ideja e tij fikse e një dhome të dytë parlamentare , që sipas tij mungesa e bënë Kushtetutën të paplotë, si një trup pa një gjymtyr.
Ç’është e vërteta, Kushtetuta e Shqipërisë përpos disa arritjeve të rëndësishme ka dhe disa mangësi të saj të cilat i vuajmë sot e kësaj dite. Për shembull duket sikur ka lënë hapësira për përqëndrimin e pushtetit dhe krijimin e një kryeministri të fortë, të tipit të kancelarit të Gjermanisë, por pa instrumentat mbrojtës që ekzistojnë atje. Duket sikur Kushtetuta e Shqipërisë nuk ka instrumenta për të zgjidhur krizat politike të stërgjatura shqiptare. Në këtë drejtim duket sikur nuk na ndihmon dot. Për shembull në vendet e tjera krizave politike u jep zgjidhje institucionet e pavarura. Ndërsa në Shqipëri, jo vetëm që këto institucione nuk i japin zgjidhje krizave politike, por vetë ato futen në krizë si pasojë e krizave politike. Kjo është shenjë e qartë e uzurpimit politik të strukturave kushtetuese.
Ndoshta kjo nuk është çështje normative apo kushtetutese, por thjesht kulturë politike. Me sa duket hartuesit e Kushtetutës nuk kanë marrë parasysh sjelljen e politikës dhe partive politike në raport me normat kushtetutese. Që Kushtetuta të funksionojë, dhe të arrijë synimet e saj të bëra publike nuk mjaftojnë vetëm norma por dhe sjellja politike e aktorëve politikë në raport me të. Jo çdo gjë mund të normativzizohet, disa gjëra i lihen në dorë sensit komun dhe përgjegjësisë
instiutucionale të aktorëve, gjë e cila ka munguar.
Shpesh herë kur flasim për Kushtetutën, edhe në rastin e këtij libri, nuk merret parasysh ajo që Costantino Mortati e quante kushtetuta materiale, e cila nënkupton jo atë që është shkruar formalisht por ajo që ndodh me të vërtetë.
Mirëpo kushtetuta materiale është një element i paparashikueshëm për kostituentët, prandaj edhe në shumë aspekte të konsolidimit të demokracisë, të ndarjes së pushteteve mund të thuhet se kjo Kushtetutë ka dështuar dhe ka nevojë të rishikohet në disa aspekte.
Libri i Imamit jep dhe ide në këtë drejtim, por më shumë fokusohet të shpejgojë arsyet politiko-historike të Kushtetutës së 1998. Ndoshta nuk është ky qëllimi i këtij libri dhe mund të jetë një punë në të ardhmen e autorit.
Libri nuk përmban një analizë vlerësuese të ndryshimeve Kushtetutese që kanë ndodhur nga '98 e deri më sot. Për shembull si ka ndikuar ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës me mazhorancë absolute në balancimin e pushteteve dhe rolin e tij? Si ka ndikuar Reforma në Drejtësi dhe heqja e imunitetit në raportet midis politikës dhe drejtësisë? Të gjitha këto kanë nevojë për një analizë faktuale që do të ndihmonin në përmirësimin e këtyre elementëve.
Një nga gjërat që flitet pak ose aspak kur analizohet Kushtetuta e Shqipërisë është roli i partive politike brenda rendit kushtetutes. Kostituentët tanë i kanë dhënë një rol shumë të rëndësishëm partive politike si askund tjetër. Mirëpo kur i kanë dhënë këto funksione jo vetëm të përfaqësimit politik, por edhe në formimin e institucioneve kushtetutese, kanë patur parasysh një model të caktuar partie politike, që organizohen dhë funksionojnë në mënyrë demokratike. Sot ky model partie ka rënë... Dhe kriza e vërtetë sot në gjykimin tim është pikërisht kriza e partive politike shqiptare, të cilat kanë krijuar një regjim partitokratik. Por në mënyrë paradoksale ne sot kemi një partitokraci pa parti. Ne kemi kaluar nga partia shtet në kohën e komunizmit, në shtetin e partive në peridhuën e tranzicionit.
Të gjitha këto elementë mund të analizohen për të ardhmen, për të zgjidhur shumë çështje të rëndësishme të sistemit politiko-kushtetutes shqiptar. Libri i Arben Imamit është një material i rëndësishëm nga ku mund të fillojnë këto diskutime.
* Fjalim i mbajtur me rastin e promovimit të librit ‘’Kushtetuta’’ me autor Arben Imami.