Opinion

OPINION nga Reldar Dedaj: Strategjia e kthimit

Shkruar nga Reldar Dedaj
OPINION nga Reldar Dedaj: Strategjia e kthimit

Partia Socialiste bashkë me Lëvizjen Socialiste për Integrim morën pushtetin në zgjedhjet e 23 qershorit, 2013. Morën gjithë pushtetin ashtu siç e kishin ëndërruar. Në fund të numërimit të votave rezultoi se të majtët së bashku kishin 83 deputetë nga 140 gjithsej që ka Kuvendi. Shumica e cilësuar në Kuvend kërkon 84 vota. Me kaq vota, një lëvizje populiste majtiste siç është kjo e jona, mund të bënte gjithçka. Dhe, ashtu bëri. U prishi shtëpinë, burgosi për 38 mijë lekë të vjetra qytetarë që s’kishin paguar faturën e energjisë elektrike, u shkoi natën në shtëpi me urdhër nga shteti dhe i nxori jashtë me rrecka dhe, e thënë shkurt fare; çfarë u polli mendja, u bëri dora.

Kuvendi me 84 vota bëhej padron mbi të gjithë dhe mbi gjithçka. Fillimisht nuk i kishin 84, kishin vetëm 83 deputetë. Atëbotë, njerëzit komentuan se “ia hodhëm, shpëtuam nga patronati i shumicës së cilësuar”. Historia vazhdon. Brenda një dite një deputet u ble nga grupimi më i madh i të majtëve që kishin 83 vota në Kuvend. Ky ishte një njeri i panjohur, shërbente në një uzinë armatimesh në periferi të Elbasanit. Aplikoi për të ardhur në Kuvend dhe siç duket e ndihmuan të ishte një ushtar më shumë. Si puna e atij ushtarit që brenda një legjislature ndryshoi tre parti, kishte edhe dhjetëra ushtarë të tjerë. Ata u përdorën për grevë urie, për demonstratën e 21 Janarit 2011. Aty u vranë edhe katër njerëz dhe për këtë sot e kësaj dite gjithë shoqëria ndodhet në skllavërinë e gjyqeve, të tensionit dhe akuzave.

Por çfarë prodhoi legjislatura e VIII?

Në total, pesë deputetë u larguan nga parlamenti për shkak të problemeve me ligjin, por përveç deputetëve me probleme me ligjin, ai parlament ka edhe një rekord tjetër të zi, pasi cilësohet si legjislatura më nivelin më të ulët arsimor të deputetëve. Për të mos folur për legjislaturën e radhës, pasi ajo çfarë nxori ishte thjesht një katastrofë. Dhe ta komentosh më gjatë i bie që “s’mban më ujë pilafi”. Pavarësisht këtij rekordi të zi, “populli” duket se i ka paraprirë gjithmonë me logjikën e tij, mendimit të elitave – kaq sa mund të konsiderohet klasa jonë politike elitë- me shprehjen e famshme “si ta nisësh do e bitisësh”. Edhe pas njëmbëdhjetë vitesh, socialistët vazhdojnë të qeverisin vendin, ashtu çalë-çalë, herë me ndihmën e Metës dhe herë tjetër me ndihmën e Berishës. Në fakt, për t’u treguar të vërtetë deri në fund, më tepër se vazhdim i qeverisjes, ata kanë dëshirë ta konsiderojnë si rikthim në qeverisje. Nëse lexohen me kujdes termat, qytetari nuk do ta ketë të vështirë të kuptojë që një qeverisje që s’ka asnjë bilanc pozitiv, ka rënë dhe Edi Rama si shefi kësaj Qeverie në vend që të qeverisë, prej disa vitesh thjesht po menaxhon skandalet që i ka prodhuar qeverisja e tij. Pas skandalit të incenerenatorëve, pas abuzimeve kolosale me PPP-të e famshme, pas ndërtimit të një administrate publike me shumë korrupsion dhe pak meritokraci, pas reduktimit të Partisë Socialiste në një varrezë të diskutimit dhe karrierës politike dhe pas korruptimit të Republikës Parlamentare në Republikë Kryeministrore, vetë ai, pra Edi Rama ka shumë dëshirë ta konsiderojë më shumë se sa vazhdim, kthim në qeverisje. Në fakt, historia politike e Shqipërisë është e mbushur me strategjinë e kthimit.

Kishim lexuar për kthimin e papritur të Ismail Qemalit pas Pavarësisë. Për kthimin e Ahmet Zogut nga arratia ku e dërguan kundërshtarët e majtë, që morën emrin “nolistë”. Më pas kemi kthimin e Nolit në arrati ku kishte dërguar më parë kundërshtarin e vet. Si për të mos mjaftuar as kjo, në kohën kur vetë Noli u kthye në Beograd, pas kthimit nga Beogradi të mbretit të ardhshëm, fjeti në të njëjtin hotel ku kishte fjetur edhe Zogu gjatë arratisë. Kthimi i qeverisë komuniste në Tiranë u quajt kthim, jo se po vinte nga diku larg, por pikërisht për të plotësuar edhe me këtë rast strategjinë e kthimit. Qeveria komuniste kthehej nga disa rrugica të Tiranës në bulevardin fashist të kthyer në komunist. Ja kaq ishte largësia për të krijuar strategjinë e kthimit. Si komunistët e mëparshëm, që nuk ishin askund, Edi Rama po krijon strategjinë e kthimit. Çfarë mund ti ofrojë shqiptarëve një mandat i katërt i Ramës, nëse mandati i tretë tregon shenja të qarta lodhje, humbje vizioni dhe reduktim të qeverisë thjesht tek kryetari i saj?  Edhe kthimi i Sali Berishës në PD u quajt kthim, jo se po vinte nga diku larg, por pikërisht për të plotësuar me këtë rast strategjinë e kthimit. Edhe Sali Berisha po kthehej vetëm nga disa rrugica të Tiranës tek shtëpia e oficerëve, e kthyer pak vite më parë në seli të demokratëve. Ja kaq ishte largësia për të krijuar strategjinë e kthimit.

Strategjinë e kthimit e ka përqafuar fort edhe Ilir Meta. Nga një hotel në periferi të Tiranës thuhet se ka planifikuar të gjitha detajet. Si ato për ndryshimin e emrit të partisë dhe si ato për të demaskuar poliagjentët që po i kërcënonin partinë. Pavarësisht përpjekjeve titanike për të rinovuar fabulat e tyre, treshja e tranzicionit shqiptar, do ta ketë të pamundur të bindë shqiptarët se mundësia e rigjenerimit politik brenda tyre mund të ndodhë. PD-ja dhe PS-ja vazhdojnë të prodhojnë thjesht zgjatime kryetarësh, por jo alternativa mendimi. Zhveshja nga dinjiteti dhe logjika është Bibla e tyre, e vetmja mundësi karriere që ka mbetur brenda tyre, prandaj ato nuk mund të prodhojnë një klasë të re politike dhe dinjitoze. Për ta fshehur këtë të vërtetë, Rama, Berisha dhe Meta duhet të prodhojnë pa pushim spektakël, pavarësisht nëse njëri ndodhet në katin e tetë të pallatit dhe tjetri në majë të paraleles apo në studiot e ndryshme të televizioneve, si prestigjiatorë, ata janë të detyruar që hajdutin ta transformojnë në lider, kriminelin në mbrojtës të demokracisë dhe qytetarin e thjesht në ushtar. Për të fshehur degradimin politik të tyre janë në gjendje të shpikin teori konspiracioni me miliarderë hebrenj që nga zyrat e Departamentit të Shtetit, merren me politikanët tanë pensionistë.

Dhe fatkeqësisht spektakli i duhet jo vetëm qeverisë por edhe opozitës, sigurisht edhe medias dhe një grupi të vogël të kamurish shqiptar. Të gjithë këta, pa përjashtim të gjithë, e kanë perfeksionuar strategjinë e kthimit. Dhe, çdo ardhje në pushtet, nuk është asgjë tjetër veçse një pseudo-alternativë, pasi ofron vetëm të njëjtin model qeverisës, të njëjtin nivel korrupsioni dhe kapje të shtetit. Të ndryshosh emrat, nuk ke ndryshuar nivelin e qeverisjes dhe prandaj shqiptarët në tre dekada kanë përfunduar gjithmonë nga “shiu në breshër”. Madje shpesh as emrat nuk ndryshojnë sepse shkojmë nga qeveria Berisha-Meta tek qeveria Meta-Rama për tu kthyer përsëri tek Meta-Berisha./Liberale.al

 

Poll
SHQIPENGLISH