Nga Spartak Ngjela
Mendimi i lirë në një bisedë, para së gjithash, është individualitet për secilin që merr pjesë në të.
Nëse do të doni të keni një dije të vërtetë tuajën, ajo duhet të formohet brenda një shpirti shkencor, të lirë dhe jashtë çdo paragjykimi.
Dija poetike indiane u rrëzua plotësisht nga mendimi racional evropian.
Mendimi racional, është sot shkenca dhe filozofia moderne.
Ishte Georg Wilhelm Friedrich Hegel i pari që e goditi si joracionale por krejt me ndikim fetar filozofinë indiane. Ajo filozofi është poetike dhe nuk e përmban brenda vetes mendimin, sepse e merr mendimin në një formë poetike dhe simbolike, njëlloj si feja indiane, dhe nuk e formon atë me një karakter shkencor.
Kështu ka qenë trajtuar dija në shumë qytetërime.
Dhe ne e pamë vetë se si komunizmi e ktheu ideologjinë marksiste në fe, dhe e bëri mendim absolut të kohes, brenda pushtetit politik që u vendos në gjysmën e hartës evropiane.
Dhe ky është fakti, kur një filozofi e lë mendimin e lirë dhe kthehet në fe.
Dhe pikërisht këtu vjen e bëhet ndarja e mendimit midis filozofisë dhe fesë. Feja nuk merret dhe të arsyetojë formën e mendimit, por të jep shpresë për ta çliruar njeriun nga iluzionet dhe mungesa e lumturisë, por nuk bën analizën e mendimit.
E pra këtu vjen ndarja.
Çfarë ështe mendimi?
Mendimi ështe një veprim ose proces i të menduarit që formon dhe organizon idetë në mendje. Prandaj është një prodhim direkt i veprimet mendor për të krijuar një ide, një nocion, një krijim artistik, dhe gjithçka që del nga funksionimi i mendjes. Dhe, në kete veprimtari mendore krijohet një opinion, një gjykim, një besim ose një supozim.
Dhe çdo individ i kulturuar dhe racional, që ka mendimin e tij, duhet të kete respekt në mendimin e tjetrit, sepse mendim absolut nuk mund të ketë.
Mendja e shëndoshë njerëzore, sigurisht që nuk udhëhiqet nga absolutja, por nga relativiteti.
Mendja jonë gjykon, por gjykim absolut nuk mund të ketë. Vetëm shkenca e saktë ka të drejtë të flasë për gjykime absolute, por ato janë aksioma që zhvillojnë mendimin tonë, dhe nuk janë biseda shoqërore të mendimit të lirë që zhvillohet për gjithçka: për artin, për letërsinë, për dashurinë, për kinematografinë, dhe për vetë historinë.
Dhe, ne jetojmë në kohën e shkencës. Por edhe mendimi ka pavarësinë e tij tek çdo njeri.
E keni parë që ne si shoqëri jemi duke arsyetuar shpesh me absoluten?
Brezi i ri duhet të heqë dorë nga mendimi absolut, sepse ne duhet t'i japim kudo liri të madhe mendimit të lirë, jashtë ideologjive.
Një shoqëri e tillë është vërtet e lirë. Debati nuk është kulturë antishoqërore, ai eshte kulturë në respektin për mendimin e tjetrit në një bisedë.
Në shoqëri, dhe në bisedë, mendimi i tjetrit është liri edhe për ty që e dëgjon, pavarësisht se nuk e pranon atë si mendim.
Respekti i mendimit të tjetrit vjen nga karakteri relativ i çdo mendimi. Dhe biseda e lirë, është një kult i qytetërimit dhe i qytetarisë.
Dhe çdo debat i shëndoshë, nuk mund të jetë armiqësor.
Mendimi i kundërt në një bisedë, nuk më ka fyer mua që nuk e kam atë mendim, por më ka dhenë mundësinë që ta mendoj.
Dhe kjo nuk është pak.
Sepse kjo është jeta jonë. Mendojmë, flasim, gjykojmë dhe krijojmë jetën shoqërore.
Kurse profesioni, sigurisht që ka debat.
Por ne po flasim për bisedat pas darke që na ka mësuar Sokrati.
Këto biseda... janë bashkimi i miqësisë, i fjalës dhe mendimit individual, që krijojnë kohën e magjisë të jetës së përbashkët në një qytet, apo dhe në një fshat.