
Nga Ervis Iljazaj
Fatkeqësisht për politikën dhe demokracinë shqiptare u bë shumë kohë që opozita duket e dorëzuar përballë këtij pushteti. Në këtë realitet politik padyshim që opozita ka peshën e saj të fajit. Ndryshe nga ç’mendojnë shumë njerëz që bëjnë opinionin publik në Shqipëri, është e rëndësishme që të flitet për opozitën dhe problemet e saj. Në fund të fundit është detyra e saj, përgjegjësia e saj dhe qëllimi pse ajo ekziston, për të rrëzuar një qeveri dhe për të krijuar një alternativë. Nuk ka mënyrë tjetër për të matur suksesin ose jo të saj përveçse në këtë drejtim.
Mirëpo, duke parë kontekstin, e gjithë beteja e saj në dy vitet e fundit është fokusuar në një ‘’garë’’ absurde brenda llojit se cila është ‘’opozita e vërtetë’’ . Po të shikosh grupimin e ‘’rithemelimit’’ dhe deputetët pa qëndrim të qartë politik që iu janë bashkuar kohët e fundit, nuk bëjnë gjë tjetër veçse akte dhe retorikë që kanë si qëllim këtë gjë. T’iu thonë shqiptarëve se ata janë ‘’ opozita e vërtetë’’.
Në këtë kuptim, opozita shqiptare e ka lënë detyrën e saj kryesore, atë të rotacionit politik, dhe merret vetëm se, kush zë një pozicion si ‘’opozitë e vërtetë’. Madje duket aq e dorëzuar, sa që ky lloj diskutimi as bëhet fare në media apo edhe brenda saj.
Një fatkeqësi e madhe për demokracinë në Shqipëri. Sepse ‘’opozitë e vërtetë’’ është vetëm ajo që ka mundësi të bëjë rotacionin në një vend të caktuar. Në të kundërt, ajo që merret se kush është opozitë nuk bënë gjë tjetër veçse ndihmon zgjatjen në pushtet. E në këtë kuptim, nuk ka se për çfarë i duhet Shqipërisë.
Edhe në Turqi për shembull ekziston një opozitë, por ka 25 vite që nuk fiton dot zgjedhjet. Kështu që opozita ka sens dhe ekziston vetëm nëse është vërtetë alternativë ndaj pushtetit.
I gjithë ky non sens në retorikën e opozitës në Shqipëri, ka ardhur si pasojë e betejës që ‘’rithemelimi’’, dhe Sali Berisha i cili e drejton atë, ka bërë për të zënë një vend si lideri i opozitës pasi u shpall ‘non-grata’ dhe u pezullua më pas si pasojë e këtij vendimi nga ShBA. Që nga ajo kohë e deri më tani, asnjë diskutim tjetër nuk është bërë për opinion publik veçse diskutimit se rithemelimi është ‘’opozita e vërtetë’’. Mirëpo a është kjo ‘’opozitë e vërtetë’’ alternativë pushteti në Shqipëri? Shumë prej mbështetësve të Berishës, madje dhe vetë Berisha e di që në kushtet ku ndodhet nuk është një kandidat për Kryeministër dhe nuk mund të vij dot në pushtet.
E megjithatë beteja absurde se kush është lideri i opozitës dhe ‘’opozita e vërtetë’’ vazhdon. Duke vazhduar me këtë sjellje janë duke mistifikuar pushtetin e Edi Ramës dhe atë personalisht si një person i cili nuk mund të rrëzohet edhe për shumë kohë, pasi nuk ka një alternativë reale ndaj tij.
Prandaj, nëse opozita shqiptare, qoftë ajo e Partisë Demokratike zyrtare, apo ajo e rithemelimit nëse nuk ndryshon retorikë dhe mentalitet në funksion të rotacionit , fatkeqësisht do të vazhdojnë të mbeten opozitë edhe për shumë kohë. Pastaj s’ka më rëndësi për demokracinë shqiptare nëse je ‘’opozitë e vërtetë’’ apo ‘’opozitë false’’.
Mirëpo që të jesh ‘’opozitë e vërtetë’’ në kuptimin politik të fjalës, me patjetër që duhet të plotësosh disa kushte. Si mund të jesh ‘’opozitë e vërtetë’’ kur lideri i saj ndodhet në një proces gjyqësor, i izoluar totalisht nga Perëndimi dhe me një moshë fizike dhe politike që nuk të bëjnë dot një kandidat për kryeministër?!
Beteja e opozitës duhet të jetë vetëm një. Ardhja në pushtet dhe asgjë tjetër. Në këto kushte ‘’opozita e vërtetë’’ do të vazhdojë të jetë thjesht opozitë. Me sa duket ky është edhe qëllimi i saj i vërtetë. Sepse i gjithë ky absurditet nuk shpjegohet ndryshe.
Sigurisht që pamundësia e rotacionit në Shqipëri ka dhe shumë arsye të tjera. Si për shembull manipulimi i votës, përdorimi i fondeve publike për qëllime fushate, mbi-pushteti financiar dhe politik i kësaj qeverie. Por ama, që opozita të mposhtë një pushtet të tillë, në radhë të parë duhet të bëjë detyrat e saj. Dhe këtë gjë, fatkeqësisht nuk po e bën.
/Liberale.al/