Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Lajm i mirë për Shqipërinë, PD braktis sovranizmin

Shkruar nga Liberale

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Lajm i mirë për Shqipërinë, PD

Ervis Iljazaj

Zgjedhja e Donald Trump si President i Shteteve të Bashkuara ka ngjallur një entuziazëm të paparë ndonjëherë në kampin opozitar, sidomos të Partisë Demokratike. I gjithë ky entuziazëm lidhet me faktin se tashmë ShBA me President Trump do t’i heqë non-gratën Sali Berishësh, madje sipas shumë prej mbështetësve të tij, Donald Trump ka një trajaktore politike të ngjashme me atë të Sali Berishës. Edhe Trump si Berisha përndiqej nga drejtësia, edhe Berisha dhe Trump kanë të njëjtin armik, Xhorxh Sorosin.

Duke parë gjithë këtë entuziazëm, duket sikur Donald Trump sapo të hyjë në zyrë çështja e parë që do të bëjë është heqja e non-gratës ndaj Sali Berishës. Kjo edhe mund të ndodhë, sepse asgjë nuk mund të përjashtohet, por të flasësh në këtë mënyrë është ta konsiderosh politikën e jashtme të ShBA-ve politikën e një kooperative dhe jo të shtetit më të fuqishëm të botës. Politika e jashtme e saj nuk është se ndryshon brenda dy, tre apo katër viteve. Padyshim politika e jashtme e demokratëve dhe republikanëve mund të ndryshojë, por disa çështje të saj janë çështje shtetërore, përtej një krahu apo krahu tjetër politik.

Kështu që entuziazmi i demokratëve për çështjen e Sali Berishës, më shumë se sa me realitetin imediat, ka të bëjë më shumë me një propagandë dhe një iluzion që ai do t’ju hedhë mbështetësve të tij deri në zgjedhjet e ardhshme. Ai kërkon që nëpërmjet zgjedhjes se Donald Trump në Amerikë, t’iu thotë mbështetësve se hallet e tij dhe të partisë demokratike mbaruan. Dhe mbështetësit e tij do ta besojnë, ashtu siç e kanë besuar deri më tani për gjyqin ndaj Blinken, apo për luftën që i bëhet atij nga mafia e Sorrosit.

Gjithsesi, zgjedhja e Donald Trump përbën një lajm të mirë edhe për demokratët. Tashmë Sali Berisha nuk do të ketë më alibi për non-gratën apo izolimin ndërkombëtar të tij, pasi në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë gjenden një mik i tij dhe jo një armik si Sorrosi. Nëse non-grata i hiqet atëherë të gjithë do t’i kërkojmë falje dhe do të pranojmë që sulmi ndaj tij, ishte sulm i Sorrosit. Por problemi qëndron për të dhe partinë e tij, se tashmë nuk ka më alibi nëse një gjë e tillë nuk ndodh. Deri tani, Sali Berisha i ka mbushur mendjen mbështetësve të tij se Amerika nuk ka asgjë kundër tij, por ata që e sulmojnë dhe se duan atë janë thjesht segmente të caktuara të saj. Këtë argument të paktën, nga tani e tutje nuk mund ta përdorë më.

Por gjëja që çudit më shumë në këtë histori, është fakti se Partia Demokratike dhe Sali Berisha, kanë tre vite që u thonë mbështetësve të tyre se ata janë një parti sovraniste, se amerikanët dhe europianët nuk duhet të ndërhyjnë në punët e brendshme të Shqipërisë, e të tjera argumenta si këto. Këto ide e kanë mbështetur dhe shumë gazetarë dhe opinionistë në media pranë Berishës. Deri diku, kjo tezë ka ngjitur.
Ndërsa sot, më zgjedhjen Donald Trump, ata janë kthyer në një parti ndërkombëtariste. Sot, sovranizmi ka mbaruar dhe PD është kthyer në një parti që dëgjon me vemendje se çfarë do të vendosë Amerika dhe Europa për Sali Berishën. Ky është një lajm i mirë për Partinë Demokratike shqiptare, por ama këtë kurs duhet ta mbajnë deri në fund, pavarësisht se si mund të shkojë kjo histori. Më në fund, opinioni publik shqiptar dhe demokratët nuk do të dëgjojnë më histori me Sorrosin, sulmin e organizuar ndaj Berishës apo opozitës, nga i gjithë faktori ndërkombëtar. Tashmë opozita shqiptare me liderin e saj nuk janë më armiqtë e ShBA, por miqtë e saj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH