Letërsi

Një libër për klasikët e kohëve moderne

Shkruar nga Liberale

Vështrim mbi librin “Letërsia e turpit” me autor Alda Bardhylin

Diana Çuli

Ka shumë vjet që i kam ndjekur me vëmendje gjithnjë në rritje shkrimet e Alda Bardhylit për letërsinë, faqet e shtypit letrar që ajo ka kuruar, në veçanti revistën Saras që e prisja me padurim të më vinte on line.

Ishte ndoshta hera e parë në vitet e ‘tranzicionit’ që shihja një qasje kaq të përpunuar ndaj letërsisë veçanërisht perëndimore dhe veçanërisht asaj të shkruar nga gratë shkrimtare, një shije aq të hollë dhe një përzgjedhje aq të vëmendshme e aq të gjetur. Në këto vitet e fundit, edhe faqet letrare të MAPO-s e më pas të Liberale-s, ku ajo jep kontributin e saj.  Edhe nëse nuk e vë emrin, për një shkak a një tjetër, e ndjej se aty ka punuar dora e saj dhe është menduar mendja e saj. Dhe, një gjë është e sigurt, që të vejn në mendje symbyllur, pa e lexuar ende tekstin, që, nëse Alda Bardhyli ka marrë përsipër të interpretojë apo të shkruajë një shkrim, qoftë edhe të vogël, për një shkrimtar a për një libër të vetëm, patjetër e ka zgjedhur me nuhatjen e saj të pagabueshme për cilësinë e tij letrare.

Duke lexuar edhe shkrimet e këtij libri më vjen ndërmend ideja e njohur se kritika letrare duhet të shkaktojë një ndjesi dashurie. Sepse, një poezi, një dramë, një roman na e rrëmbejnë imagjinatën në mënyra të drejtpërdrejta, por edhe të paspjegueshme. Pasi kemi mbaruar një libër të mirë, nuk jemi më ata që kemi qenë përpara se ta  lexonim atë. Alda Bardhyli nuk bën gjë tjetër veçse hap dyert e veprave të mëdha letrare dhe të ndajë me të tjerët atë  ndjesi estetike që i ka shkaktuar cilësia e lartë e veprës që ka veçuar. Kjo është dhe intuita më e vërtetë e kritikës, që Aldës jo vetëm që nuk i mungon, por përkundrazi, di se si t’ua përçojë dhe lexuesit që i drejtohet.

Në këtë libër ajo bën një udhëtim, të cilin e ka ndërmarrë që para shumë vitesh, me autorë që janë nga më të njohurit dhe më të mirët në botë, por, për një paradoks jo të habitshëm të këtyre tri dekadave, janë pothuajse të panjohur tek ne, megjithse shtëpitë botuese i kanë botuar. Nuk ka munguar në përkthimet dhe botimet tona as Italo Svevo, as Borgesi, as Naipul-i, as Faulkner-i dhe as shumë të tjerë. Por, ka munguar dashuria e kritikëve për t’i veçuar nga letërisa komerçialiste, nga ajo e ‘shitshmja’, e lehta, ose nga ajo e gjithënjohura, e klasikëve të vjetër. Me të drejtë Rudolf Marku ngulmon që kritika jonë mbeti me emrat e njohur, që nuk ka nevojë përse të merret aq shumë, ndërkohë që mund të rrisë ndjeshmërinë e lexuesit ndaj klasikëve të kohëve moderne, por që kanë bërë dhe bëjnë epokë në letërisnë e sotme botërore. Alda Bardhyli pikërisht këtë bën në rrugëtimin e saj tashmë të gjatë në  studimin e letërsisë botërore dhe asaj shqipe. Ajo nuk mbetet tek Shekspiri, as tek Heminguej, as te Frojdi – që nuk i mungojnë njohurive të përgjithshme të çdokujt që ka kryer një shkollë të mesme, por sjell në vëmendje, madje dhe risjell, veçori të autorëve të sipërpërmendur, po edhe të De Beauvoir-it, Virginia-Woolf-it eë të tjerëve. U i rikthehet, gjen notën origjinale, arsyen përse ndikuan në letërsinë botërore, ngre perde misteri të jetës së tyre, i  ripropozon me finesë dhe me elegancë, duke u mbështetur pikërisht te përpunimi estetik dhe artistik origjinal që këta autorë dhe autore kanë tiparin e tyre kryesor.

Sot, kemi një përmbytje aq të madhe veprash të dobëta, të cilat, në vend që të mbrojnë shëndetin e gjuhës dhe të  ndjeshmërisë sonë artistike, në vend që të jenë burime jetësore, na sulmojnë me mjetet e tyre të lehtësisë së të menduarit dhe të kënaqësive të vogla e mediokre. Këtë letërsi nuk e pranon syri dhe pena e Alda Bardhylit, shkrimet e së cilës dëshmojnë se mjeti i vërtetë i kritikut letrar është arti meditativ dhe rikrijues. Ajo merret me kryeveprat, ose me ato verpa që dëshmojn se në të ardhmjen autori i tyre mund të prodhojë kryevepra. Ajo nuk dallon mes të ‘mirit’’ dhe të ‘dobëtit’, por mes ‘të mirit’ dhe ‘shumë të mirit’. Për këtë arsye, edhe kur përzgjedh autorët shqiptarë, këtë e bën me kujdes, me kursim e me vëmendje të madhe, për të mos tradhtuar parimin që kalon si fill drejtues në të gjithë shkrimet e saj kritike, parim që është kryekëput artistik, që ka për kriter të vetëm vlerën artistike të veprës. Tek këta autorë, më bën përshtypje përsëri përzgjedhja, dëshira për të kërkuar dhe detaje domethënëse të punës së tyre krijuese në çdo rrethanë, periudhë kohore qofshin, si detajet me Petro Zhejin e të tjerët e brezit të tij, po edhe bashkëkohorët, si analiza për romanin e fundit të Preç Zogajt. Ka gjithnjë diçka që nuk e kemi ditur, që ajo e ka zbuluar dhe vënë në dukje, diçka që e kemi anashkaluar, por që ka patur dhe ka vlerë të pamohueshme, diçka tjetër që e kemi lënë në mes dhe ajo, ngadalë e pa thërritur, na kthen përsëri për t’u thelluar e për të zbuluar një vlerë të harruar apo të nënçmuar.

Në të gjithë këtë libër që tashmë kemi në dorë vërejmë edhe se Alda Bardhyli ngulmon jo vetëm të vërë në dukje vlerën artistike që përmenda, por të kuptojë raportet me kohën kur ajo është shkruar, lidhjen me traditën artistike të shkuar dhe me rrymat estetike bashkëkohore. Nga ana tjetër, Alda Bardhyli e ka shumë të qartë në vetëvete, ose këtë perceptojmë ne nga ajo që shkruan, se për kritikën letrare ngrihet gjithnjë pyetja: A ekziston mundësia reale për të vendosur kritere mbi letërsinë, për ta përcaktuar, a mund të kemi pika referimi objektive? Dhe, menjëherë, sapo ne vetë e ngrejmë këtë pyetje në kokën tonë, mendojmë se matja e cilësisë së letërsisë nuk mund të ketë po atë objektivitet sa matja e pastërtisë së ajrit apo të ujit. Pra, kjo matje, ky vlerësim, është shumë i diskutueshëm. Nuk diskutohet më vetëm Shekspiri, Volteri apo Dikensi dhe aradha e blinduar e klasikëve të mirënjohur.

Autorja e këtyre shkrimeve e di këtë. Dhe për këtë arsye ajo nuk del përpara dërrasës së zezë e të shkruajë me shkumës të bardhë emrat e më të famshmëve. Ajo hedh vështrimin brenda tyre, në thellësi dhe përpiqet të kuptojë përsenë e kësaj ndijshmërie që ata provokojnë, duke qenë ‘të sotëm’, pra të këtyre njëqind vjetëve të fundit së shumti, përsenë e frymës së re dhe  të përcaktimeve të reja, kërkimin që bëjnë për të zbuluar hapësira të pashkelura nga të parët. Dhe kjo është një sfidë shumë më e vështirë, sepse gjithçka është ende në proces. Po është edhe kontribut, që Bardhyli në veçanti i jep lexuesit tonë të pamësuar më këtë këndvështrim të ri e të thelluar në letërsinë e vërtetë./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH