Aktualitet

Nga 1 qershori ndalohet përdorimi i qeseve plastike

Shkruar nga Liberale
Nga 1 qershori ndalohet përdorimi i qeseve plastike

Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një statusi në Facebook ka deklaruar se nga 1 qershori do të nis një epokë e re për vendin, pasi nuk do të lejohet përdorimi i qeseve plastike.

Nisma për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshme thekson kryeministri është në favor të mbrojtjes së Atdheut dhe të fëmijëve.

Qeveria ka njoftuar vetëm ndalimin e qeseve plastike por nuk ka ofruar asnjë zgjidhje tjetër se çfarë do të ndodh me sektorin e bujqësisë i cili i përdor qeset plastike për transportin e produkteve bujqësore me shumicë. Nëse qytetarët kur blejnë me pakicë do përdorin trasta, po fermerët çfarë do të përdorin për transportin e mallit?

Statusi

Mirëmëngjes

Duke ju kujtuar se prej të mërkurës nis një epokë e re për Shqipërinë patriotike, me ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshme në favor të mbrojtjes së atdheut të fëmijëve tanë, ju uroj një javë të mbarë

Prej 1 qershorit 2022 do të ndalohet prodhimi, përdorimi dhe importimi i qeseve plastike.

“Me ndryshimet e propozuara synohet që në territorin e Republikës së Shqipërisë të ndalohen  prodhimi, importimi, hedhja në treg, futja apo përdorimi i qeseve plastike”, tha ministrja Kumbaro.

Të gjitha kompanitë që prodhojnë dhe importojnë qese plastike të disa kategorive, do të përballen me penalitete të rënda, pas hyrjes në fuqi të ligjit.

“Çdo person që hedh në treg, prodhon apo importon që fut në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, qeseve të lehta plastike mbajtëse, qeseve shumë të lehta plastike mbajtëse, si dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme, sipas nenit 29 të ligjit dënohet me gjobë nga 1 milionë deri në 1.5 milionë lekë”, tha Kumbaro.

Gjobave nuk do t'i shpëtojnë as qytetarët në rast se i përdorin pas 1 qershorit.

“Çdo person që përdor në vend qese plastike të këtyre kategorive, sipas ligjit dënohet me gjobë në vlerën nga 30 mijë lekë deri në 100 mijë lekë”, u shpreh Ministrja.

Ministrja Kumbaro tha në Komision se shkaqet për këto ndryshime ligjore janë ndotja që shkaktojnë përdorimi i qeseve plastike dhe dëmi që i shkakton jetës së qytetarëve kjo ndotje.

“Qeset janë shkaku kryesor i ndotjes në Shqipëri me 6.9 kilogramë  në vit për person të cilat përfundojnë të gjitha në det”, pohoi Ministrja.

Ndotja është e madhe që shkaktojnë qeset pasi shumica prej tyre përdoren vetëm një herë.

“78% e bizneseve në Shqipëri ju ofrojnë klientëve qese pa pagesë. 79% e qytetarëve thonë se pas përdorimit të parë nuk i ripërdorin më qeset plastike, ndërsa 78% e qytetarëve thonë se kanë një çantë alternative në shtëpi por nuk e përdorin”, tha Kumbaro.

Por këto ndryshime nuk gjetën mbështetjen e deputetëve të opozitës, pasi sipas tyre ky ndalim prodhimi dhe importimi do të sjellë pasoja negative tek biznesi dhe fitimet e tyre. Madje u kërkua që të lejohet prodhimi i qeseve me qëllim eksporti.

“Që qeset plastike duhet të zhduken një orë e më parë kjo nuk diskutohet por a ka prodhues të qeseve në Shqipëri dhe nëse ka çfarë do të bëhet me ato? Si do kompensohen për investimin? Pastaj, këto penalizimet që ju thatë për përdoruesit nga 30-100 mijë lekë është e tepërt”, tha Agron Duka.

“Sot sipas informacionit që kam unë janë në vend 27 kompani që prodhojnë qese plastike, janë më shumë se 450 të punësuar dhe këto kompani kanë investuar në linjat e prodhimit të qeseve 50 milionë euro”, pohoi Lefter Gështenja.

“Ju i bllokoni prodhimin e qeseve totalisht por Maqedonia apo Mali i Zi kërkon qese nga Shqipëria sepse del me kosto më të ulët, ju nuk mund ta ndaloni prodhimin për efekt importi zonja ministre, sepse përderisa ka treg, prodhuesi shqiptar i cili ka investuar mund të eksportoj”, pohoi Helidon Bushati.

Por për ministren Kumbaro, këto fabrika nuk prodhojnë vetëm qese plastike të këtyre kategorive.

“Këto fabrika apo këto subjekte ekonomike që prodhojnë përmes riciklimit apo lëndës së parë drejtpërdrejt produkte plastike nuk janë prodhues ekskluzivisht vetëm të këtyre qeseve, por janë prodhues të një game të gjerë produktesh të cilat do të mund ti prodhojnë edhe pse ligji të hyjë në fuqi. Do të vazhdojë të përdoren qeset plastike për plehrat”, u përgjigj Mirela Kumbaro.

Nga ana tjetër ministrja tha se ndalimi i prodhimit, importit apo përdorimit është i ndaluar edhe në ligjin e 2011, por si pasojë e problematikeve ligjore nuk është bërë i mundur zbatimi. Heqja nga tregu i qeseve plastike është e vetmja mënyrë për të ulur përdorimin e tyre, pasi Kumbaro tha se as vendimi që bizneset ti shisnin qeset dhe jo ti jepnin pa pagesë për qytetarët nuk ka rezultuar efektiv.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH