Editorial

Nëse parlamentarët nuk njohin dhjetë urdhnimet

Shkruar nga Liberale
Nëse parlamentarët nuk njohin dhjetë urdhnimet

Nga Ernesto Galli della Loggia

Një shfaqje sureale e në mënyrën e saj rrëqethëse: do t’a përcaktonja videon që pak ditë më parë u vu në trasmetimin televiziv të Hienave me rastin e Krishtlindjeve. Nuk e di sa lexues mund t’a kenë parë: në ekran kaloi një galeri e shkurtër deputetësh e senatorësh – emrat e të cilëve nuk duhen lënë në harresë; Dal Mas, Bucolo, Ciaburro, Modena të qendrës së djathtë, Giaccobbe i PD, Vallone (ish i Margheritës), Giarrusso (pesë yjet), Bonafede (pesë yje dhe ai e ministër i Drejtësisë) – të cilët, të intervistuar para pallateve të Parlamentit mbi disa njohuri themelore të historisë së Krishterimit (si, ku ka lindur Jezu Krishti), janë paraqitur në një sërë heshtjesh të penguara e gabimesh trashanike, si psh. t’a vendosësh Betlemin “në Afrikë”. Akoma më keq: për të fshehur padijen e tyre të pyeturit kërkonin të bënin të lezeçmin, rrëshqisnin si ngjala (psh. pyetjes së mësipërme i përgjigjeshin “në një stallë….”), duke u dukur në qeshje prekëse mjaftueshmërie ose duke bërë dinakun përpiqeshin të shmangnin intervistuesen pa rënë shumë në sy.

Çfarë mund të thuhet para një shfaqjeje të tillë? Ndoshta para së gjithash këtë: edhe se, me të drejtë, jemi të ftuar çdo ditë të mos biem në kurthin e kundër politikës, turpërohemi kur shihemi të përfaqësuar nga personazhe të këtyre lloj njerëzish. Që jemi shumë italianë që e gjejmë të padurueshme që figura të tilla të jenë të ngarkuar të bëjnë ligjet, të cilëve ne jemi të thirrur për t’i u bindur. Jemi mjaft që për të thënë pak, e quajmë të turpshëm një sistem zgjedhor që i lejon një sekretari të partisë – një Renzi, një Di Maio, një Salvini apo një Berlusconi çfarëdo – të zgjedhin simbas qejfit të tyre se kush duhet të na përfaqësojë, duke na hedhur para këmbëve kryqëzime të tilla ndërmjet gjysmë analfabetit dhe pisanjosit të Komedisë së artit, vetëm e vetëm sepse këta premtojnë t’i binden pa gëk e mëk dëshirave të tyre. Përse italianët, dreqi t’a hajë, nuk duhet të përçmojnë politikën dhe institucionet e saj, nëse të parët që e përçmojnë janë vetë partitë që sjellin në Parlament e në institucione këta lloj njerëzish?

Por mbas kësaj vjen edhe një tjetër pyetje: mirë shekullarizimi, që gjysma e italianëve nuk martohen më në kisha, por ku është e shkruar se shekullarizim do të thotë detyrimisht të mos dish se ku gjendet Judeja e lashtë (le t’a quajmë madje edhe Palestinë), ku është shkruar se pyetjes “çfarë thonë dhjetë urdhnimet?” i shekullarizuari duhet të llomotisë si përgjigje një “mos kurvëro” të hutuar e mjaft? Përse së fundi është kjo që bën përshtypje më shumë në këtë video: mangësia absolute e atyre njohurive që çdo njeri, sado pak i arsimuar e din se janë pjesë e patjetërsueshme e kulturës në përgjithësi. Por nuk e dijnë, si duket, parlamentarët e Republikës. Ishte kjo  gjëja më e palejueshme e asaj videoje: toni marrëzisht argëtues dhe lirisht ironik i zërave të tyre, buzëqeshja torollake dhe shikimi i humbur i fytyrave të tyre, habia kur shihnin se dikush mund t’u bënte pyetje mbi lindjen e Krishtit në vend të s ‘ardhmes së Matteo Renzit. Që ndonjëri mund të hamendësonte se ata do të ishin t’aftë të përgjigjeshin.

Corriere della Sera

Përktheu Eugjen Merlika   

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH