Sociale

Ndotja akustike në Tiranë, tej normave të lejuara

Shkruar nga Liberale

Shkak kryesor, trafiku dhe gjendja e makinave

Dita në kryeqytet nis dhe mbyllet me zhurmë. Trafiku është një ndër shkaktarët kryesorë të rritjes së ndotjes akustike në vend.
“Kryqëzimi i 21 Dhjetori është zona më e zhurmshme jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin. Këtu ndotja akustike gjatë ditës e tejkalon me 27% normën e BE.”

Gjendja motorike e automjeteve dhe mosha e vjetër e tyre e përkeqësojnë edhe më shumë situatën. Në Shqipëri 57% e makinave në qarkullim janë më të vjetra se viti 2005.

Raporti i fundit i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitin 2021 na tregon se zhurmat mjedisore në Tiranë janë të larta, si ditën ashtu edhe natën.

“Rasti i qytetit tonë është një qytet që nuk po i menaxhon dot zhurmat. Është bërë një ligj në vitin 2007 qëndroi në sirtar. Ndotja akustike është e dyta sa i përket dëmit në shëndetin e qytetarëve”.

Pas Tiranës, Lezha, Saranda, Fieri dhe Shkodra janë qytetet me nivelet më të larta të zhurmave ditën. Kjo sipas ekspertëve shkakton stres, pagjumësi, humbje të dëgjimit, deri në probleme në sistemin kardiovaskular.

“Ka shumë forma praktike për ta sjellë zhurmën në nivelet e duhura, duke vendosur kufijtë e zhurmave nëpër zonat e banuara, duke u kujdesur që shpejtësia e makinave të jetë e duhur. Në Tiranë trafiku është shumë agresiv për shumë arsye.”

Ndër të paktat qytete të qeta në vend rezulton Kukësi, aty zhurmat mjedisore nuk e kalojnë normën e BE./ Liberale.al

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH