Suela Mino
Prej 10 vitesh, Ndoc Gjetja prehet i paqtë në varrezat e Lezhës, nën hijen e epitafit që e shkroi vetë:
Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht në botë
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithë njerëzit i quante shokë...
...Në çastin e mbramë një hënë e përgjakur
e puthi në ballë dhe thirri "Nënë"
Mos kërkoni të dini për të më tepër
se iku sikur të mos kishte qenë.
Gjetja, që jo vetëm lezhjanët e duan dhe e nderojnë, rri pa zhurmë, por me dinjitet në rendin e poezisë bashkëkohore shqipe, i cilësuar si "poeti që di t’i bjerë bukur tastierës së humanizmit me çdo varg”. Ai kurrë nuk u rrek t’a tradhëtonte këtë frymë e timbër të zërit të tij poetik. Besnik i bindjeve të veta, si një orakull që gjallonte mes njerëzve, ai vazhdoi të shkruante deri në ditët e fundit me po atë sinqeritet siç u shfaq aq i befasishëm kur ishte veçse një gjimnazist në Lezhë. Testamenti që ka lënë në vargje është dëshmia e gjallë e vërtetësisë së tij, si njeri dhe poet. Kritika e ka vlerësuar për poezinë e thellë, të ndjerë, poezi në të cilën rrëfehet bota e njeriut, intimiteti, marëdhëniet njerëzore, ndërsa lexuesit mbesin dëshmitarët e tij të përjetshëm.
Ndoc Gjetja lindi më 9 mars 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës, ndërsa në Lezhë u vendos me familjen që kur ishte 7 vjeç, për të mbetur poeti i zemrës për lezhjanët dhe lexuesit e poezisë së re shqipe.
Shtegtoi drejt Tiranës në kohën kur krijimtaria e tij ishte bërë e njohur; në vitin 1971 kishte botuar vëllimin e parë poetik "Rrezatim", pastaj erdhën gjashtë të tjerë: "Shqiponja rreh krahët" (1975), "Qëndresa" (1977), "E përditshme" (1982), "Çaste" (1984), "Poezi" (1987), "Kthimet" (1991) dhe "Dhjata ime" (1998) dhe i fundit “Biri i njeriut”.
Për 13 vite, Gjetja ka qenë kryeredaktor i "Skena dhe ekrani", një revistë e standardeve që vështirë se e kemi sot, i vetëdijshëm se bashkë me poezinë, ishte ndër kontributet e tij më të rëndësishme në shoqëri. Mbyllja e revistës e nxori të papunë dhe shenjoi kthimin e tij në Lezhë më 1995, ku edhe jetoi deri në fund të jetës, 7 qershor 2010.
Dikur do të thoshte: "Edhe pse kam botuar disa vëllime me poezi, unë e konsideroj veten autor i një libri të vetëm, që do të hartohej duke përzgjedhur poezitë më të mira që kam arritur të krijoj."
Dhe amaneti i tij u përmbush me Antologjinë “Dhimbja nuk ka Mëshirë”, një mozaik i përzgjedhur nga poezitë më të mira të tre autorëve bashkëkohës - Ndoc Gjetja, Rudolf Marku dhe Preç Zogaj, zërat e spikatur të vargëzimit bashkëkohor shqip, të ashtuquajturit "grupi i poetëve lezhjanë”.
Shkrimtari Rudolf Marku vlerëson se “Ndoc Gjetja ka qënë dhe mbetet një poet që shquhet për ngrohtësinë e fjalës së sinqertë, për natyrshmërinë dhe shpirtësinë poetike dhe për zhdukjen e barrierirës mes fjalës së shkruar dhe fjalës së folur. Jo të gjithë poetët arrijnë ta bëjnë këtë! Ndoci shkruante në atë mënyrë si fliste dhe si mendonte në jetën e përditshme. Ai ishte krijuesi që jetonte çdo minutë të jetës së vet, me poezinë”. Marku veçon sinqeritetin e poetit Gjetja kur thotë se “Sinqeriteti është sintaksë, është ngjyrë. Njeriu kur gënjen ndërton një sintaksë që e bën të dallueshme gënjështrën. Kur flet në mënyrë të sinqertë ndërton një sintaksë tjetër, një gramatikë tjetër, një ritëm tjetër të të folurit. Sekreti i poezisë së Ndocit është sinqeriteti i jashtëzakonshëm dhe ky është një element që e ka Ndoc Gjetja; nuk e kanë autorë të tjerë”.
Ndërsa në përkujtim të ndarjes nga jeta, shkrimtari Preç Zogaj e përcjell me këtë dedikim poetik mikun e tij të hershëm...”Por vdekja aq e largët, aq fisnike u thirr në punë nga përditshmëria, me dorë të lehtë, thonë, ia ndali zemrën, sa nuk u mor vesh… Gjersa shkrepi në xhama mëngjesi me gishta ngjyrë trëndafili, dhe kapakët e syve të tij nuk lëvizën si përherë në shenjë falënderimi... Shtrirë mu në heshtjen e pasosur dergjet çfarë nuk tha e nuk shkroi: Mënyra e tij e të ecurit plot nderim për të ecurën, Mënyra e tij e të folurit plot respekt për të folurën, Mënyra e tij e të qeshurit, mahni për të qeshurën; Pushon të menduarit e pastër, thjeshtësia. Pushon ndershmëria qe e kishim frikë si pasqyrën e engjëllit që na tregon vetiu çfarë kemi, por s’duam të kemi në shpirt”.
Ndoc Gjetja është një prej poetëve më pranë shpirtit njerëzor në poezinë tonë bashkëkohore, pjesa më e madhe e krijimtarisë së të cilit mbetet në fondin e artë të poezisë lirike shqipe edhe pse e shkruar në vitet e monizmit.
I përmendur si poeti me fytyrë Krishti, në Lezhë Ndoc Gjetja ruhet në kujtesën e njerëzve me portretin e tij të mbuluar nga mjekra e thinjur, ecjen e menduar, të qeshurën e përmbajtur, por gurglluese, hijen e imët në rrugët e ngushta dhe miqtë e shumtë, të cilët mbase nuk e dinin se ai ishte dhe mbetet një prej poetëve me zërin më njerëzor në letërsinë e sotme shqipe.
Ndoc Gjetja në një rrëfim për veten në gjallje
Kur e keni shkruar poezinë e parë?
Nuk mbaj mend në cilin muaj apo vit. Fillesa ime krijuese ka ndodhur brenda hapësirës së 2- viteve të para të gjimnazit. Atëherë kam pasur një zakon të keq, kurrë nuk i ruaja dorëshkrimet e poezive, më dilnin nga qejfi, i grisja dhe shkruaja të tjera. Kisha frikë se mos më humbisnin dhe m’i lexonin të tjerët. Më vinte turp të merrej vesh se unë shkruaj.
Cilin konsideroni librin tuaj më të mirë?
Për nga vlerat e kam të vështirë të veçoj ndonjërin. E konsideroj veten autor vetëm të një libri i cili do të hartohej nga përzgjedhja e disa poezive më të arritura në 8 librat e botuara deri më sot. Në këtë aspekt deri në fund të jetës do të arrij të botoj vetëm një libër. Kam mendimin se edhe poeti më i shquar gjatë gjithë jetës së tij nuk arrin të shkruajë më shumë se një libër.
Ç'kënaqësi ju ka dhënë arti i krijimit poetik?
Më ka dhënë dhe më jep kënaqësi aq të madhe dhe aq të thellë saqë unë rezervohem ta përshkruaj sepse e di se nuk do të ma kuptojnë të gjithë ata që s'kanë prirje për të kryer një akt të tillë hyjnor. S'besoj të ketë lehonë që të dijë të artikulojë me fjalë dhimbjen dhe dallimin e gëzimit të lindjes.
Cili është poeti më i dashur për ju?
Nuk kam ndonjë poet ideal dhe i mbaj pranë zemrës të gjithë poetët e shquar, tanët dhe të huajt. Nuk rrëmbehem nga dashuria vetëm për poetët e majave. Nuk lë mënjanë edhe poetët që s'e kanë mbi supe pelerinën e famës. Edhe ata janë fisnikë të oborrsisë poetike. Të shkruash qoftë edhe një poezi shumë të bukur është një punë e lartë që s'mund ta bëjë çdokush. /Gazeta Liberale