Letërsi

Mustafa Nano, ose të provokosh “provokuesin”

Shkruar nga Liberale

Titulli: Provocateur!

Autor: Mustafa Nano

Nga Belina Budini

Në media dhe në hapësirën publike, Mustafa Nano ka zgjedhur vetë të bëjë “provokuesin”. Me këtë libër në formën e një autorrëfimi dhe me titullin “Provocateur” shfaqet hapur në rolin e tij si i vetëprovokuar. Libri tingëllon menjëherë si provokim vetëm prej faktit që “provokon” vetveten. Mustafa Nano ka zgjedhur të intervistojë Mustafa Nanon. Qasja është në këtë rast provokimi i parë i librit. Edhe pse kushdo mund të lakmojë t’ia drejtojë vetë pyetjet vetes, dalja hapur në vetintervistim nuk është kaq rrethanë e lakmuar. Në këtë pozitë të sikletshme e vë veten autori i këtij libri, ndërsa i lejon pra vetes të provokojë veten.

Opinionet e tij për shumëçka që nga Kurani e Bibla, Jezusi e Muhamedi, te seksualiteti dhe deri te nëna e Skënderbeut, janë metodologjia e ndjekur për të ndërtuar përmbajtjen e librit. Një metodë që premton vetëm publicistikë, pasi nga pikëpamja shkencore nuk ka distancën e nevojshme subjekt-objekt për t’u konsideruar e vlefshme. Dhe në fakt, nuk është se autorit të këtij libri i bëhet shumë vonë për këtë, për ta thënë në mënyrën e tij. Nuk e synon as në këtë libër dhe askund tjetër kriterin shkencor të analizës. Stilistika dhe strukturimi i mendimit janë ato që i interesojnë më tepër dhe pa dyshim ngacmimi i brendshëm për të provokuar. Këtë synim e mbërrin pa shumë mundim, për shkak të stilit të të shkruarit, por edhe statusit që ka fituar dhe lirisë që i jep vetes. Lirisë për të pasur një opinion dhe për ta mbrojtur atë duke e “bërtitur” fort. (“Unë do ta gjeja, gjithsesi, një mënyrë për të bërtitur praninë time në shoqëri”, pohon vetë në hyrje të librit).

Ai mishëron opinionistin par excellence. Edhe kur ndërmerr një studim, e bën këtë nga pikëpamja e opinionistit në lidhje me objektin e studiuar, pa merakun e vendosjes së distancës emocionale, orientuar nga kriteri i shijes dhe preferencës personale. E bën këtë si kur shprehet për librat e shenjtë, për Kanunin e Lekë Dukagjinit, ashtu edhe kur shprehet për librat e Kasëm Trebeshinës apo hiperseksualizimin e mediave. Kriteri kryesor i përdorur është pra mendimi i ngritur mbi opinionin personal. Me Mustafa Nanon gjithçka nis nga opinioni i vet. Është sikur të thotë “Kam një opinion, prandaj jam!” dhe shpallja hapur e kësaj motoje e shndërron atë jo vetëm në opinionistin, por edhe në provokuesin par excellence. Me anë të këtij libri, ashtu sikurse edhe në komunikimet e tjera publike të tij, ai shpalos axhendën ose hartën e opinioneve të veta sa kulturore, aq edhe politike e sociale.

Nano nuk merr përsipër të bëjë kronikanin e politikës, dukurive sociale apo kulturore të ditës në këtë libër. Ashtu sikurse nuk e ka bërë këtë as në rubrikat e tij në gazetë apo në emisionet e tij në televizion. Aktualiteti në vetvete, pra faktet dhe lajmet të veçuara duket se nuk e tërheqin aq sa interpretimi i tyre. Është e qartë se për të nuk vjen lajmi i pari, por interpretimi ose opinioni. Aq më tepër në një libër si ky me natyrë reflektive, ku nuk bën as interpretuesin imediat të aktualitetit sikurse shpesh në formatet televizive, por ka distancën e nevojshme kohore për t’i trajtuar më me nge çështjet dhe temat për të cilat shprehet. Nga ky kënd i ngadalësuar kohor arrin ta vrojtojë me më shumë kritikë, për shembull, kryeministrin aktual Edi Rama dhe ta ngjyrosë edhe më “zi” se më parë ish-kryeministrin Sali Berisha. Teprimet ose provokimet e Ramës dhe Berishës duket se nuk bien në rrezen e pranueshmërisë së provokuesit Nano ... Asgjë për t’u qortuar këtu! Tjetër gjë është të provokosh nga pozita pushteti dhe tjetër nga pozitat e një opinionisti të lirë.

Megjithëse të shumtë janë ata që bien dakord me opinionet e Mustafa Nanos (kujtoj që në gazetën Shekulli ishte editorialisti më i lexuar dhe i komentuar në kohën kur punonim në të njëjtën redaksi), ndaj mendim të ndryshëm prej tij për shumë nga diskutimet e ngritura në këtë libër. Por nuk do të ndalem në asnjërin prej tyre këtu, edhe për arsyen se unë nuk para i shpreh kaq hapur opinionet e mia për të gjitha llojet e temave dhe për këdo sikundër me guxim bën Mustafa Nano. Mirëpo, nuk kam asnjë hezitim që si autore e kësaj parathënieje ta vlerësoj Muçin si një nga komunikuesit më të mirë të opinioneve të tij, me një qartësi dhe stil të admirueshëm. Nga këndi dhe përvoja ime në media, e veçoj atë si një autor që provokon mendim dhe qëndrim me shkrimet e veta. Nga këndi dhe përvoja në universitet, e vlerësoj si një kërkues kulturor, që tejkalon mjaft studiues të pretenduar në botimet shkencore. Për më tepër, librat e tij kanë fatin të shiten dhe të lexohen më shpejt dhe më gjerë sesa mjaft libra me pretendime shkencore. E ka dëshmuar këtë edhe me botimet e mëparshme në stendat e UET Press dhe Mapo Editions, si një nga autorët më të suksesshëm. Fundja, një provokues si Mustafa Nano di si ta provokojë edhe suksesin!

Pjesë nga libri

Propaganda është për demokracinë si dhuna për diktaturën

Shkrimin e parë në shtypin shqiptar e keni bërë në prill të vitit 1998. U bënë më shumë se 20 vjet. Çfarë ju vjen në mendje prej këtij fakti?

Më vjen në mendje se si nisi kjo histori. Ka qenë viti 1997. Kam qenë në Zagreb, diplomat, tok me familjen, kur vendosa të kthehem në Tiranë, jo për të vazhduar me diplomacinë, por për të filluar me gazetarinë. Ishte një vendim imi. Nuk njihja askënd që do të mund të më hapte dyert, e megjithatë kisha besim se dyert do të më hapeshin. Unë isha i sigurt se punën e opinionistit mund ta bëja më mirë se shumë të tjerë, të cilët i njihja si lexues i shtypit shqiptar. Sikur të isha më i ri do të mund të mendoja (mendohej) se po më gënjente mendja, por unë atëmot isha 37 vjeç. E dija mirë se kush isha.

Kush ishit, meqë ra fjala?

Unë dija të shkruaja. E dija megjithatë që kjo nuk mjaftonte. Për të bërë opinionistin lipset që, përveç penës së zhdërvjelltë, të kesh ndërtuar, zhvilluar e konsoliduar një marrëdhënie tënden me botën, gjë që vjen prej aftësisë për të vëzhguar e për t’u thelluar, por mbi të gjitha prej leximeve të shumta. Kisha lexuar, ç’është e vërteta, por leximet e mia deri në atë moment kishin qenë shkel e shko, të rrëmujshme, në një masë të madhe të pavlera. Nuk është se kisha pasur shumë për të zgjedhur. Pjesa më e mirë e letërsisë që lexonim para vitit 1990 ishte e huaj dhe u përkiste autorëve të majtë, si: Jack London, Mark Twain, Hemingway, Remarque, Breht, Nazim Hikmet, Majakovski, Gorki, Nikolai Ostrovki, Aleksander Fadeyev, e sovjetikë të tjerë, ose në rastin më të mirë, autorëve që prej regjimit shiheshin si ideologjikisht asnjanës a të padëmshëm, që nuk e di pse ishin o rusë, o francezë, si: Tolstoi, Pushkin, Balzak, Anatole France, Emile Zola, Hygo, Goethe, e në kohët kur regjimi po vdiste, autorëve Thomas Mann, Isabel Alliende, Gabriel Garcia Marquez etj. Për këtë arsye, në atë kohë më të rëndësishëm kanë qenë përkthyesit sesa shkrimtarët tanë. Pyetja “kush e ka përkthyer?” ishte normale mes lexuesve të pasionuar të letërsisë së huaj. Emri i përkthyesit ishte një nga gjërat e para që unë shihja te një libër i huaj. Ata ishin, për mua, elita e elitës. Edhe shqipja e tyre në librat e përkthyer ishte ndryshe, më e përpunuar, më e fisme, gjë që i bënte të shfaqeshin në sytë e mi si një gjë antiregjim, ndonëse antiregjim nuk kish se si të ishin. Vedat Kokona, Petro Zheji, Afrim Koçi, Misto Treska, Robert Shvarz, kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në edukimin letrar të brezit tim, aq sa mua më thotë mendja se pa ta, ne do të dilnim prej diktaturës edhe më të gjymtuar intelektualisht e kulturalisht sesa dolëm. Dhe kjo nuk ka lidhje me librat që ata përkthenin, aq sa ka lidhje me distancën që mbanin prej newspeak-ut të letërsisë së regjimit dhe të ligjërimit publik në përgjithësi. Me sa duket, shqipja totalitare (kështu e ka quajtur Ardian Vehbiu newspeak-un e regjimit) i kryente të gjitha funksionet e mundshme, por nuk mund të shërbente për të përkthyer letërsi të huaj të mirë. Shërbente ca më pak për të bërë letërsi të mirë. Dhe këtu është vendi për të thënë se magjia dhe forca e Ismail Kadaresë qëndronte shí në këtë pikë: shqipja e tij, të shumtën e kohës, nuk kishte lidhje me shqipen totalitare. Madje, ishte një shqipe antitotalitare.

Autorët e përkthyer ishin, sidoqoftë, vetëm e thjesht një rrëke që dilte prej lumit të letërsisë botërore. Pjesa më e madhe dhe pjesa më e mirë e kësaj letërsie, ishte e ndaluar. E me këtë mund të përfytyrohet formimi ynë i mangët e i cungët kulturor. Në vitin 1990, kur unë isha 30 vjeç, bota ime e dijeve ishte si një jigsaw puzzle e mbushur përgjysmë, ndonjëherë me figurinat të vendosura tjetër për tjetër, në të cilën binin në sy më së shumti njolla të mëdha të zbrazëta. Besoja se do të mund të fitoja kohën e humbur, por shumë shpejt zura të jetoja me idenë se leximet e mia të mëpastajme, sido që i kam bërë rrëmbimthi e kuturú, në një si gjendje alarmi, se ç’kishin diçka kundër rendit e natyrës së gjërave. Mund të lexohet James Joyce-i para Franz Kafka-s? Pirandello para Marksit? Mbi Origjinën e Llojeve para Biblës? Poezitë e Agollit para Lahutës së Malcis? Ç’të mirë ka nëse lexon Zarathustrën e Nietzsches e Leviathanin e Hobbes-it në moshën 45-vjeçare? Nuk di nëse lexime të tilla të vonuara të ndihmojnë apo të pengojnë në krijimin e një vizioni më të saktë, më koherent e më të plotë mbi botën, por di që unë ndieja kënaqësi teksa vija re mbushjen e vrimave të zeza në kulturën time. Në vitin 1998, kur po bëhesha gati të hyja në fushën e lojës, isha i terrorizuar, sidoqoftë, pasi vrimat e zeza binin ende në sy. Por më ngushëllonte fakti se ata që shkruanin në shtypin shqiptar i kishin më të dukshme këto vrima të zeza në kulturën e tyre.

Për cilët e keni fjalën?

Të shumtët e atyre që shkruanin, një pjesë e të cilëve janë ende në shtypin shqiptar. Por edhe këta, ashtu si unë, janë rritur me kalimin e kohës. Këtu më duhet të them, megjithatë, se kishte emra që i ndiqja me shumë interes, siç ishin Fatos Lubonja, Ardian Klosi, Edi Rama, Preç Zogaj, Teodor Keko. Këta ishin shumë aktivë si intelektualë publikë në atë kohë dhe bënin diferencën. Shquanin që larg mes të tjerëve. Unë mezi prisja të shihja ndonjë shkrim të tyrin në shtypin shqiptar.

Si nisët të shkruani te Shekulli? Sepse Shekulli ishte gazeta ku nisët të publikoni shkrimet tuaja, apo jo?

Po, Shekulli. Kjo e përditshme kishte vetëm pak muaj që kishte dalë në treg. Ishte Preç Zogaj që bëri punën e ndërmjetësit. Unë i dhashë disa shënime të printuara, të veçuara prej “korpusit” të shënimeve të mia të shumta, të shkruara kohë pas kohe me idenë se kurrë nuk do ta shihnin dritën e botimit. Nietzsche ka thënë në një rast se “nuk do të lexonte kurrë më një libër, nëse nuk do të merrte vesh se autori nuk e kish pasur në plan ta bënte atë libër”. Me këtë ka dashur të nënvizojë skrupujt dhe autocensurën që i kap të gjithë ata që ulen të shkruajnë për të botuar. Nuk e ka pasur keq, ë? Ideja për të shkruar një libër të mban rob të lexuesve të tu të mundshëm e të ardhshëm, të cilët janë rëndom pjesë e shijeve apo mendësive që dominojnë në shoqëri. Dhe në këtë moment, ty do të të duhet të pajtosh frymën tënde me frymën e shoqërisë. Shkurt, libri nuk është më yti. Ndërsa unë ato shënime i kisha të miat.

Zogajt i dhashë disa fletë, në të cilat kishte mendime të miat që kishin të bënin me politikën, atdheun, demokracinë, letërsinë. Në fakt, doja të dija se ç’shenjë do të linin tek ai mënyra se si unë shkruaja e jo qëndrimet e mia. Kur u takuam për herë të dytë, në hotel “Rogner”, unë kuptova se çfarë kishte lexuar nuk e kishte lënë indiferent. “Ti duhet të botosh; publiku duhet ta dijë se kush je ti”, më tha. Ky ishte konfirmimi i parë që unë merrja në këtë botë, nga jashtë meje, mbi aftësitë e mia. Sado e pabesueshme që mund të duket, unë kisha nevojë për këtë konfirmim.

Zogaj më sugjeroi të botoja te gazeta Shekulli, botuesin e së cilës ai, kështu më tha, e kishte mik. Nuk mund të prisja më gjatë. Fillova qysh të nesërmen. Punoja në shtëpi, me një makinë shkrimi të markës italiane “Olivetti”, të cilën ia kisha blerë në vitin 1991 a 1992 dikujt që një dreq e di se ku e kish gjetur. Ndoshta e kish vjedhur në ndonjë ndërmarrje. Ishte koha kur shteti ishte thërrmuar e po plaçkitej çikë e nga një çikë.

Më pas, Zogaj nuk ma ka përmendur kurrë këtë rrethanë. Ndoshta e ka harruar. Unë nuk ia harroj që e ka harruar. Nëse ka një njeri, të cilit duhet t’i jemi mirënjohës, ky është ai që ka harruar se në një moment të caktuar na është bërë krah. Nuk ka gjë më të fisme në këtë botë se njerëzit që harrojnë (ose nuk i përmendin) të mirat që bëjnë. Të kuptohemi, nuk është se unë, pa Zogajn, do të mbetesha “i humbur” në tollovinë e kohës. Unë do ta gjeja, gjithsesi, një mënyrë tjetër për të bërtitur praninë time në shoqëri. Nuk kam si ta besoj se mund të ndodhte ndryshe. Ishte pasioni i jetës sime. Dhe rrugët për ta përmbushur këtë pasion në vitin 1997 ishin të shumta. Por Zogaj ishte lexuesi im i parë. Një lexues i rëndësishëm, që më hapi një portë. Qoftë dhe vetëm për këtë, do të mbetet në mendjen time.

Le të kthehemi tek argumenti që kishim, sidoqoftë. Keni bërë shkrime që sot ju duken të gabuara?

Po, sigurisht! Kam frikë se janë shumë. Sikur të ishte në dorën time, do t’i zhdukja. Por shyqyr që nuk është në dorën time, shyqyr që mbeten aty, sepse kështu kam mundësinë të di se si dhe se sa kam ndryshuar. Për të ardhur në ditët e sotme, kur ndryshimi është me pikatore. Koherenca, si rregull, nuk është ndonjë gjë për t’u çmuar intelektualisht, të paktën jo domosdoshmërisht, sepse përjashton fakultetin e ndryshimit, që është një nga magjitë më të mëdha humane. Por vjen një moment që njeriu përfton një marrëdhënie të qëndrueshme me botën, e pas këtij momenti, që rëndom vjen në një moshë të vonë e pas përvojash të shumta, koherenca është një gjë që merr kuptim, për të mos thënë që i jep kuptim edhe jetës sonë. Për mua, ky moment është sot, tani. Por prej hapjes së Shqipërisë e deri në këtë moment unë i jam nënshtruar, pa pasur fuqi t’i kundërvihesha, një procesi të ndryshimit. Po kështu, edhe të tjerët besoj…

Ç’mendim keni për gazetarinë e sotme? Cili është efekti i gazetarisë online?

Shikoni, unë kam besuar për një kohë të gjatë se e keqja ishin pronarë të caktuar, apo të gjithë pronarët. Kam besuar se shtyp të lirë duhet të ketë. Dhe se shtyp të lirë ka. Kam qenë naiv. Giorgio Bocca nuk ishte. Giornali indipendenti non ne esistono ... (Nuk ka gazeta të pavarura), ka shkruar ai në librin e vet E’ la stampa, bellezza!, në të cilin përshkruan aventurën e vet në gazetari që zgjati ... një jetë të tërë. Thënë me fjalë të tjera, nuk ka shtyp të lirë e të pavarur në këtë botë. Noam Chomsky, që është një nga vëzhguesit më mendjemprehtë të kohës së sotme, ka denoncuar kontrollin e mass medias prej elitës sunduese, ka dhënë prova se mass media nuk është e lirë dhe e pavarur, ka lënë të kuptohet se një mass media e lirë dhe e pavarur në shërbim të së vërtetës e të një bote më të drejtë është e mundur, mirëpo kam frikë se libri i tij i famshëm Manufacturing Consent, si bashkautor i të cilit është Edward S. Herman, është i përgënjeshtruar nga zhvillimet e mëpasshme. Ai ka shpresuar se mediat alternative ndaj mendimit sundues në shoqëri do të ishin një lloj shpëtimi, por nuk duket se është kështu. Ja media alternative, e pakontrolluar prej elitave sunduese që Chomsky i ka aq shumë zët, e që i kundërvihet asaj që Chomsky e quan “propaganda model” të mass medias tradicionale, ka lindur tanimë. Ka emrin “Rrjetet sociale”. Por mass media nuk është bërë më e mirë. Unë kam frikë se është bërë më e keqe. Kurrë nuk ka pasur kaq shumë mosinformim, keqinformim e lajme të rreme sa sot./Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH