Në fillim të viteve 2000, qeveria ruse, tashmë e udhëhequr nga presidenti aktual Vladimir Putin, filloi të ndërhynte në tekstet shkollore të historisë. Në vitin 2006, gjatë një takimi publik ku morën pjesë disa profesorë, Putin foli për falsifikuesit e të kaluarës dhe premtoi se qeveria do të mbikëqyrte shkrimin e librave të rinj në mënyrë që ato të përpiloheshin “objektivisht”.
Në vitin 2007, doli një libër historie për shkollat nga Alexander Filippov, i cili shpesh kujtohet si një shembull i qartë i përpjekjeve ruse për të rishkruar historinë sovjetike dhe për të prodhuar një “të kaluar tjetër” që mund të përdoret për të krijuar një unitet të ri të kombit.
Mënyra se si tregohen ngjarjet historike është një aspekt të cilit regjimit të Putin-it i ka kushtuar gjithmonë shumë energji, që nga vitet e hershme. Në veçanti, përpjekje të konsiderueshme i janë kushtuar ndërtimit të retorikës rreth një ngjarje të veçantë, dorëzimit të nazistëve më 9 maj të vitit 1945.
Është një ngjarje që përkujtohet çdo vit me Ditën e Fitores, një festë kombëtare për rusët që ka përbërë një nga mitet themeluese të identitetit kombëtar të ndërtuar nga Putin. Preteksti i rremë me të cilin Putin filloi pushtimin e Ukrainës, përkatësisht “denazifikimin” e vendit, bazohet edhe në atë periudhë historike.
Nuk është rastësi që javët e fundit po hidhen hipoteza të ndryshme se çfarë do të ndodhë më 9 maj. Sipas qeverisë ukrainase, Rusia do të organizojë një paradë në rrugët e bllokuara të Mariupolit. Në javët e fundit, shumë argumentuan se qëllimi rus ishte të arrinte një lloj fitoreje ushtarake në Ukrainë para 9 majit, ndërsa sot flitet shumë për hipotezën se Putin mund të shfrytëzojë Ditën e Fitores për t’i shpallur zyrtarisht luftë Ukrainës dhe për të deklaruar mobilizimin masiv të vendit.
Qeveria ruse i ka mohuar të gjitha këto hipoteza përmes agjencive të saj të lajmeve, por pavarësisht kësaj, 9 maji mbetet një datë e një rëndësie të veçantë, në të cilën festohet miti i Luftës së Madhe Patriotike, siç quhet Lufta e Dytë Botërore nga rusët. Por edhe pse fitorja sovjetike ndaj nazistëve sot kujtohet dhe festohet rregullisht me ceremoni publike, kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu në të kaluarën.
Lufta e Dytë Botërore filloi në vitin 1939 kur Gjermania naziste e Hitlerit pushtoi Poloninë, edhe pse referencat kohore ruse janë të ndryshme: 1941-1945. Kjo për shkak se në fazën e parë të luftës 1939-1941, Bashkimi Sovjetik ishte formalisht aleat me nazistët, përmes një marrëveshje mossulmimi të nënshkruar disa ditë para pushtimit polak, i ashtuquajturi pakti Molotov-Ribbentrop. (me emrin e ministrave të jashtëm të vendeve përkatëse).
Në një kontekst shumë të tensionuar dhe të militarizuar të Evropës në fund të viteve tridhjetë, Bashkimi Sovjetik kishte kërkuar gjetjen e një rruge diplomatike me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, por pa e arritur dot atë. Për të ruajtur ndikimin e tij të paktën në një pjesë të Evropës Lindore, ai nënshkroi paktin me Gjermaninë, i cili përfshinte gjithashtu një protokoll sekret, me të cilin të dy vendet ndanin sferat e ndikimit: në Bashkimin Sovjetik do ishin Estonia, Letonia, Finlanda dhe Besarabia (pjesë e Ukrainës dhe Moldavisë aktuale) ndërsa Lituania në Gjermani.
Kjo gjendje ishte momentalisht e mirë për Hitlerin, pasi ai arriti të përqendrohej në Poloni dhe Frontin Perëndimor, ku vetëm brenda pak muajsh arriti disa fitore ushtarake. Ndërsa dominonte pothuajse në të gjithë Evropën, me përjashtim të Mbretërisë së Bashkuar, planet e zgjerimit nazist u përqendruan drejt Lindjes. Mes viteve 1940 dhe 1941, marrëdhëniet mes diplomatëve gjermanë dhe sovjetikë u përkeqësuan dhe më 22 qershor të vitit 1941 filloi ofensiva gjermane kundër Bashkimit Sovjetik, e cila u kodua me emrin “Operacioni Barbarossa”.
Kjo ofensivë nuk shkoi sipas planit për një sërë shkaqesh, duke përfshirë ardhjen e dimrit dhe rezistencën e papritur sovjetike në qytete. Rrethimi i Leningradit (tani Shën Petersburg) u bë më vonë shumë i famshëm, kjo për arsyen se rrethimi i qytetit zgjati për 900 ditë si dhe për shkak të glorifikimit të luftës që iu bë në vitet në vazhdim.
Inercia e luftës filloi të ndryshojë falë angazhimit të një numri shumë të madh forcash ushtarake të cilat ishin vendosur nga ushtria sovjetike në frontin e luftës, Ushtria e Kuqe, e cila arriti të mundë në mënyrë të bujshme Gjermaninë në Betejën e Stalingradit dhe kjo edhe falë ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara që sulmuan nazistët në disa fronte. Megjithatë, pas hyrjes historike të Ushtrisë së Kuqe në Berlin dhe dorëzimit të nazistëve, regjimi sovjetik për vite me radhë foli me ngurrim për atë fitore.
Humbjet e mëdha të Bashkimit Sovjetik, mbi 26 milionë burra, festohen sot, por në vitet e para të pasluftës ato u mbuluan. Udhëheqësi i atëhershëm sovjetik, Stalini, deklaroi shifra shumë më të ulëta nga frika se mund t’i ofronte botës një pamje dobësie. Historitë e rrethimeve, të shkruara kryesisht nga gratë intelektuale që mbetën në qytete, u censuruan në pjesët e tyre më të rënda, ku tregohej uria dhe mjerimi.
Për më tepër, Stalini ka të ngjarë të ishte i vetëdijshëm se ai kishte gjykuar gabimisht në vitet 1940 dhe 1941, atëherë kur refuzoi sistematikisht të dëgjonte inteligjencën ruse që e paralajmëronte atë për pushtimin e afërt gjerman, për të cilin kishte shenja të qarta. Prandaj, çdo festë zyrtare rrezikonte të evidentonte edhe këto gabime dhe kontradiktën e të qenit aleat deri në fund të një vendi që më vonë u zbulua si agresori dhe fajtori kryesor i katastrofës më të madhe të shekullit njëzetë.
Një rrëfim i ri publik i fitoreve të Luftës së Dytë Botërore dhe heroizmit të rezistencës sovjetike u prezantua vetëm pas vdekjes së Stalinit, me ardhjen në pushtet të Nikita Hrushovit. Edhe pse në shumë republika socialiste 9 maji ishte tashmë një festë kombëtare, në Rusi ajo u bë e tillë vetëm në vitin 1965. Që nga ai moment fitorja mbi nazistët u bë një nga temat më të eksploruara në propagandën dhe kulturën e regjimit, filma, libra dhe dokumentarë. Por edhe tek paradat ushtarake, të cilat u pakësuan nga vitet 1990 por që më pas u morën nga Putini.
Sipas historianit Nikolay Koposov, ekspert në historinë e ideve dhe kujtesës historike, në vitet 2000 Lufta e Madhe Patriotike “u bë një mit i vërtetë i origjinës për Rusinë post-sovjetike... Megjithëse historiografia e kohëve të fundit paraqet një pamje shumë më të kundërt të luftës se sa imazhi i saj heroik konvencional, por kjo nuk e pengon këtë mit, të mbështetur nga propaganda shtetërore, të pushtojë opinionin rus”.
Koposov i shton edhe një element tjetër rëndësisë së këtij miti; duke cituar historianen ruse Dina Khapaeva, ai e përkufizon kujtesën e Luftës së Madhe Patriotike si një “mit të breshërisë”, domethënë funksional për të errësuar një kujtim tjetër, “atë të terrorit të Stalinit dhe për të bindur rusët për rolin pozitiv të shtetit në historinë kombëtare.
Duke theksuar mitin e fitores mbi nazistët, regjimi ishte në gjendje të eklipsonte aspektet më problematike të së kaluarës sovjetike, si autoritarizmi dhe dhuna pa dallim kundër kundërshtarëve politikë. “Shoqëria post-sovjetike ka pasur tendencën për të treguar kënaqësi të madhe ndaj të kaluarës së saj”, shkruan Koposov. “Ajo është fiksuar në anën e saj të supozuar heroike, pa reflektuar për aspektet e saj tragjike, për të cilat, për më tepër, është plotësisht e vetëdijshme”.
Shkurtimisht, ka njëzetë vjet që po zhvillohet një proces rivlerësimi i së kaluarës, në qendër të të cilit është populli rus, i përfaqësuar si i pafajshëm dhe i lavdishëm, por që nuk e meriton të ndihet inferior ndaj Perëndimit, ashtu siç ka ndodhur në periudhën e fundit të regjimit komunist dhe në vitet nëntëdhjetë, i karakterizuar nga një krizë e rëndë ekonomike që preku thellë shoqërinë ruse. “Ky proces nga njëra anë u favorizua nga qeveria dhe nga ana tjetër u shfrytëzua”, shkruan Koposov, ndërsa shton më tej se: “Në masën që lufta e viteve 1941-1945 mund të konsiderohet si një triumf i shtetit dhe një veprim heroik i popullit, kujtesa shërben si një vendtakim i privilegjuar mes ideologjisë statiste dhe krenarisë kombëtare”. /Përgatiti: Liberale.al/