Filip Guraziu
Megjithëse e kam ndjekë " prej larg", dashunia për "botën" shqiptare e kanadezit me origjinë gjermane, Robert Elsie e shprehun botnisht nëpërmjet veprave të shumta albanologjike me ka krijue vazhdimisht jo vetem emocione, por edhe respekt të veçantë.
Përkushtimi intensiv intelektual i këtij eruditi për vlerat e " shqiptarizmit", përban nji rast unikal të pandigjuem në historinë e studjuesve të kulturës shqiptare dhe të pakrahasueshëm në vlerë, cilësi e sasi me çdo albanolog shqiptar ose të huej të maparshëm.
Robert Elsie leu në Vancouver ( Kanada) me 29 Qershor 1950. Arsimin e mesëm e kreu në Vancouver, kurse studimet në shkollën e naltë për filologji klasike dhe gjuhësi i përfundoi në vjetin 1972 pranë "British Columbia University". Rezultatet e nalta në provimet universitare i mundësuen bursë studimi në universitetet ma prestigjoze të Europës. Në vjetin 1978 mbrojti doktoraturën në Universitetin e Bonn-it ( Universität Bonn)
Prej këtij vjeti e mbrapa iu krijue mundësia me vizitue Shqipninë në kuadrin e 'takimeve shkencore" midis Institutit së Gjuhësisë së Universitetit të Bonn-it dhe Akademisë së Shkencave të Shqipnisë dhe po ashtu për disa vjetë me radhë mori pjesë në Seminarin Ndërkombtar për Gjuhën, Letersinë e Kulturën Shqiptare në Kosovë ku mësoi gegnishten.
Këto udhëtime që vazhduen deri në fillimin e vjetëve 80-të i ngjallën nji interes të veçantë për Shqipninë e mbyllun dhe për kulturën e saj të panjohun në botë. Mbasi mësoi shqip dhe i thelloi njohunitë e tij në kët gjuhë, Robert Elsie vendosi me iu kushtue albanologjisë, fushë në të cilën ai ma vonë do të bahej nji ndër ekspertët ma të njohun. Elsie asht sot autor i ma shumë se gjashtëdhetë librave dhe artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë ( Gjuhësi, letersi,kritikë, histori, fonetikë, folklor, përkthime, artit fotografik etj.) Falë veprave e përkthimeve ne gjuhën angleze e gjermane, vlerat e kulturës dhe të vertetat e problematikave shqiptare " fituen za" në botë.( " Lahuta e Malsis - At Gjergj Fishta" u përkthye në anglisht; poezitë e Migjenit në gjermanishtetj etj.; veprat mbi Çamërinë e Kosovën i kujtuen botës gjenocidet kriminale të paharrueshme të grekëve e të serbëve mbi popullin shqiptar etj.)
Mbas studimeve universitare ai punoi për Ministrinë e Jashtme Gjermane në Bonn dhe prej vjetit 2002 deri 2014 për Tribunalin e Hagës si përkthyes edhe në gjykimin e Sllobodan Millosheviçit.
Robert Elsie asht anëtar i Shoqatës së Europës Juglindore( Südosteuropa - Gesellschaft), Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës si dhe Anëtar Nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Gjithashtu Robert Elsie asht dekorue prej Presidentit të Shqipnisë z. Bujar Nishani me " Medaljen e Mirënjoihjes".
Për shkaqe natyrore u nda prej kësaj jete në paraditen e së hanës me 2 Tetor 2017 në qytetin e Bonn-it Gjermani, me dëshiren për prehjen e tij të përjetëshme në dheun Shqiptar, gja që e dëshmoi dhe e realizoi shoku i tij i jetës, Stephan Trierweiler në Theth të Dukagjinit ku u varros me nderime në datën 18 Tetor 2017.
Para disa vjetëve kam pasë shkrue:
"...jetojnë në histori, ato skyfterë, që me fluturimin e tyne, botës i japin vlerë...".
Po, Robert Elsie ishte i tillë, ai ishte skyfter i naltësive, por..., ishte edhe ma tepër se aq: ishte " shqipja e naltësive të vlerave shqiptare".
"Kjo " shqipe" fluturoi e vrojtoi pothuej të tanë boten, prej Vancouever-it në Kanada, Sh.B.A., Europë, Gjermani, Itali, Francë, Angli, Ballkan etj., e prej naltësive me synin e sajë të mpreftë vlerësoi malet shqiptare, ku u ndal dhe nuk u largue ma...! Shqipja u dashurue me tokën e shqipeve! Ajo " shqipe" e ardhun prej Vancouver-it u ba bijë e kësaj toke prej të cilës nuk u nda kurrë ma, por qendroi e perqafueme në përjetësi...!
Ai sot fizikisht nuk asht ma në mes nesh. Ne nuk mundemi t'a përjetojmë buzëqeshjen e tij të pafajshme e as t'a ndigjojmë zanin e tij melodioz ndërsa argumentonte me sy kritik, por me dashamirësi, problematikat shqiptare...
Për njerëzit e zakonshëm jeta ka nji fund, por për Robertin, " shqipen e naltësive, që me fluturimin e sajë, botës shqiptare i dha vlerë" nuk ka fund , ka vetem përjetësi. Janë veprat e Robert Elsie që jetojnë me ne dhe me brezat që do të vijnë.
E verteta asht se shqiptarët andej e këndej kufinit politik e patën nderue dhe u patën tregue mirenjohës për Robertin, por " Mirënjohja" a ka kufi?
Njerëzit e Mëdhaj, janë të Mëdhaj, pikërisht sepse janë të thjeshtë!
Kështu ishte edhe i ndjeri Robert Elsie. Z. Trierweiler ia zbatoi dëshirën e tij, vorri modest në Theth ku prehet Robert Elsie provon sa ma nalt.
Por, në mbrendsinë time ndij se vepra e këtij kolosi, qëndrimi i tij fisnik, e thjeshtësia e tij na detyrojnë moralisht drejt nji mirënjohje përherë e ma të madhe... Ndoshta kishte me qenë dinjitoze, nderim e mirënjohje për të ndjerin Robert Elsie zbatimi i nji mikroprojekti në vendin ku pushon Roberti, në Theth që nënkupton:
a. Mbulimin me xham në forme piramide të vorrit modesit me gurë ( tue e lanë të paprekun në origjinalitetin e tij)
b. Ndertimin e nji shtëpije karakteristike thethiane nji katëshe ( në zonën rrethuese jo larg vorrit), 1m. të ngritun prej terrenit me s'paku dy dhoma; njana dhomë si muze në kujtim e nderim për të ndjerin Robert Elsie e tjetra sallë takimesh me s'paku 40 karrige.
c. Vendosjen e bustit të albanologut të madh në nji pozicion të përshtatshëm para hymjes në muze.
Ju kujtoj të nderuem lexues, se kujtimi e nderimi i albanologut te madh Robert Elsie ( si ma nalt) përban edhe nji " vlerë shtesë" shumë të randësishme për aktivitetin turistik të Thethit në shërbim të banorve të tij.