Aktualitet

Meta vlerëson akademikun dhe juristin e shquar, Luan Omari

Shkruar nga Liberale
Meta vlerëson akademikun dhe juristin e shquar, Luan Omari

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi sot juristin, konstitucionalistin dhe akademikun e shquar, Profesor Luan Omari me Dekoratën e lartë shtetërore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të tij të spikatur në historinë e mendimit juridik, kushtetues dhe pedagogjik të vendit. Për meritat e shquara si bashkëthemelues i institucioneve më të larta të sistemit arsimor e shkencor në Shqipëri, Universitetit të Tiranës dhe Akademisë së Shkencave; një ndër konstitucionalistët kryesorë me ndikim të ndjeshëm në proceset thelbësore të ligjvënies në Shqipëri. Si përfaqësues i denjë i botës akademike shqiptare në organizatat shkencore dhe forumet e së drejtës ndërkombëtare, duke spikatur me personalitetin e tij akademik”.

Në ceremoninë solemne të zhvilluar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, me rastin edhe të 95-vjetorit të lindjes së Profesor Omarit, në prani të kryetarit të saj Skënder Gjinushi, ish-Presidentëve Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, miqve, profesorëve dhe akademikëve.

“Jam shumë i nderuar dhe e konsideroj privilegj t’i dorëzoj sot dekoratën e lartë ‘Gjergj Kastriot Skënderbeu’ akademikut tonë të nderuar Luan Omari, njërit prej bashkëthemeluesve të dy prej institucioneve më të rëndësishme të dijes në vendin tonë, Universitetit të Tiranës dhe Akademisë së Shkencave!

Profesor Omari, për gati 7 dekada, ka dhënë për vendin një kontribut të jashtëzakonshëm intelektual, moral dhe qytetar, duke e merituar sot mirënjohjen e shoqërisë dhe të shtetit tonë", tha ndër të tjera Meta.

[gallery columns="1" size="full" gss="1" ids="1146316,1146314,1146315,1146317,1146318,1146319"]

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH