Aktualitet

Matura 2020

Shkruar nga Liberale

Vladimir Myrtezai

Jeta është një lavjerrës i çuditshëm, i shpejtë, saqë të duket se sa hap e mbyll sytë të përsërit gjendje të kaluara në një mënyrë të beftë e të pabesueshme. Kështu, m’u duk se isha në të kaluarën e largët, në ndjeshmëritë djegëse të kufijve ndarës, në ato kufij ku kishim rreshtuar trofetë e parë në mejdanin e marrëdhënieve fillestare e të sinqerta të rinisë sonë të djegur, si në një film të largët.

Si për çudi, një mëngjes, njeriu më i afërt që ke në krah të thotë se fëmijët kanë mbrëmjen e maturës, e madhja mbaron gjimnazin, ndërsa i dyti mbaron nëntë-vjeçaren, minimaturën.

U shtanga për një moment, m’u rrotullua koha së prapthi e nuk reagova. E pashë në sy dhe i thashë natyrshëm: Epo mirë, si të gjithë. Le të gëzojnë. Pastaj e vështrova në sy disi më gjatë. Disa sekonda më pas më tha: Yt bir do që ta shoqërosh në mbrëmjen e maturës. Si me të hedhur i thashë: Shyqyr që zgjodhi të atin njëherë. Fat i madh. Do e shoqëroj unë.

Për të mos më ngacmuar në punët e mia, këtë barrë në lidhje me shkollën e mbante ime shoqe, kështu që ndjehesha i pashqetësuar nga ky angazhim.

Po ashtu, më tha se mund ta shoqëronte daja i vet, por ai ngulte këmbë që ta shkoja unë me të. Po mirë, i thashë, e çoj unë me gjithë qejf. Jam njeri që jam mësuar të pres, sidomos në raste të tilla, ku nuk ka një orar të caktuar.

Ai e kupton se unë jam nga ata që mund ta pres dikë edhe gjithë jetën, kur është diçka specifike që kërkon lirinë dhe masën e mjaftueshme.

Si përfundim ramë dakord. I kërkova dajës së tim biri që të ma bënte gati makinën për një udhëtim diku në periferi të Tiranës.

Nga një ankth i lehtë që ndihej në familje kuptoja se një rast i tillë kishte rëndësi të veçantë për tim bir, si nga ana formale ashtu dhe nga përmbajtja me të cilën vjen një gjë e paprovuar.

Më kujtohet se kur isha në moshën e tim biri isha disi më i pjekur, dhe i merrja vetë vendimet, ngaqë isha rritur larg kurthit të bashkëjetesës familjare, kështu që kisha një pavarësi relativisht të lartë. Kishin ndodhur aksidentet e para mes moshatarëve të mi dhe ndihesha disi i maturuar në gjykimet dhe arratitë e mia.

Më kujtohet se në moshën e tij nuk isha një natyrë e lehtë. Isha i komplikuar, tekanjoz dhe i papritur në raportet që krijoja. I jepja një rëndësi të veçantë personalitetit tim, duke krijuar kurba dhe shenja që ishin edhe problematike e me mjaft nëntekste për mjedisin tim.

Jo se e njoh shumë tim bir, por më duket më i shkueshëm dhe më i rrjedhshëm. Po ashtu, ka edhe një tolerancë të mjaftë në grup.

Në fakt, në pamje të parë ngjan sikur bëj turistin në shtëpi, por jam shumë i vëmendshëm në distancë ndaj çdo dialogu që kap në hapësirën shtëpiake, duke patur parasysh këtu edhe ato që më thotë ime shoqe për sjelljet e fëmijëve tanë.

Por, me një teknikalitet të lehtë të largësisë, mbaj në qendër çdo gjë që ndodh, pa iu rënë edhe aq në sy.

Sigurisht që drejtimin dhe mbështetjen e afërt e kryen ime shoqe. Unë jam një ekuilibër i largët që jap këshilla, por edhe mbaj ndonjë fjalim të gjatë ku marr vëmendjen e të gjithëve kur vjen puna për gjëra të diskutueshme që lidhen me shkollën, nxënien, shijet e shumëçka tjetër që është e rëndësishme në shtëpinë tonë. Si me ngadalë, është krijuar një atmosferë ku mund të ndash ide dhe mund të flasësh për gjithçka që na rrethon.

Më i vogli në moshë, por me një vëmendje të fshehur, është pikërisht Boresi, im bir, që bën indiferentin me një palë kufje të trupëzuara tashmë, por që nuk ia fshehin një kureshtje që i lexohet nga mënyra se si e kontrollon hapësirën e vet.

Në fakt, më pëlqen që e ka këtë vëmendje të kamufluar nga një konflikt i hapur gjendjesh me të motrën, që mua më duket më shumë si muzikë. Ata rriten si dy zgjatime të ndryshme, ku secili kërkon të dominojë sy nesh me forma nga më të çuditshmet.

Raporti me tim bir është më i thjeshtuar; më pranonte siç jam dhe ndihej një lloj stime ose një aleancë e heshtur, jo në kuptimin e moshës, por si një ndjesi e nëndheshme, si pakt burrash në familje. Nuk bzan fort. Më kalon pranë e më belbëzon lehtë: “O bos!” Është një fjalë më shumë kaluese sesa një pseudonim që e bën të lehtë marrëdhënien.

Krahu tjetër, ime bijë, ishte më i vështiri, por me një ngarkesë që ia vlen të përplasesh, sepse është një karakter krejt i ngjashëm në mua, që e ndërton atmosferën sipas humorit të saj dhe ndikon pastër me nëndarje të qarta mbi konceptin pavarësisë, ujin e ndenjur e gjithçka vanitoze që e luftonte haptazi, duke i përjashtuar të tjerët. Ka shumë karakter, por edhe shumë sistematike, gjë që ma kalon dhjetëra herë, ngaqë unë jam si ajo ana e tjetër e medaljes. Ajo nuk e njeh këtë përkrahje, ndaj dhe e përkthen si dobësi timen, duke mos e kuptuar se është teknikalitet në konflikt, për ta kuptuar edhe më në rrënjë problemin që kisha përballë. Ka kohë që të mësohet me këtë, sepse e ka jetë përpara.

Natyra ime kish lindur e shtrirë, pellguese, e përqendruar tek ato gjëra që më interesojnë, si dhe me shumë sentiment ndaj detajeve të pashpjegueshëm dhe të kotë. Ime bijë nuk m’i duron të tilla gjendje. Ndonjëherë më vërsulet me një agresion të lehtë e më thotë: “Buf, lëviz, se u rrumbullakose në divan.” Më vjen për të qeshur, se i dal jashtë kuadrit me atë zdërhalljen time të natyrshme për të zënë pak myshk krijues apo gjendje nga ato lëshueset kur harrohem me gjithsej, sepse në të tilla raste jetoj për diçka tjetër, që nuk ndodh aty, por që ka ndodhur më parë dhe më avitet si një gjendje ripërtypëse. Por, gjendje të tilla përsëriten shpesh dhe duket se bëhem pengesë e ritmit brenda familjes. Por, dalëngadalë po mësohen me mua, me gjëra pa plan dhe me situata të pavëmendshme, meqë banoj në gjëra që nuk i përtypin dot.

Më pëlqen shumë një shprehje italiane: “Nato stanco e vivere per riposare.”

E kam vënë vetes një qëllim: një kohë e caktuar i duhej kushtuar familjes, që të mund të marrin dashurinë e duhur për të vijuar si të tillë.

Me time bijë më lidh edhe akti i krijimtarisë, pasi ajo ka doza të caktuara dashurie për pikturën; tashmë ajo është pjesë e egos së saj, madje një alterego e lartë, që e thith drejt një pavarësie autoditakte për të qenë e programuar.

Isha në dhomën e punës duke shkruar kur më lajmëroi ime shoqe se kishte ardhur ora për të çuar tim bir në festën e tij.

Makina ishte gati poshtë shtëpisë dhe po më prisnin. Në fakt, ishte një emocion i veçantë edhe për mua, pasi rrallëherë më qëllonte të rrija me tim bir, veçmas në një udhëtim, pasi në të gjitha rastet ne ishim katër, ose pesë, përfshi dhe gjyshin e tyre nga e ëma. I hodha një shikim se si ishte veshur dhe m’u duk mirë. Qe pak i emocionuar, ose ndoshta unë e karikoj situatën (si përherë) me një dozë shikimesh kontrolluese, sidoqë pa i rënë shumë në sy.

Hipëm në makinë dhe u nisëm për në juglindje të periferisë së Tiranës. Ishte një si resort diku në kodër, me të gjitha shërbimet. Kishim një copë rrugë dhe shkëmbyem disa fjali me njëri-tjetrin. Përpiqesha që të mos e intimidoja, që të ndihej i lirë dhe në botën e tij.

E pyeta se si ndihej dhe bëri një gjest me shpatulla, duke më siguruar se ndihej mirë dhe pa ndonjë emocion të veçantë. E pyeta sërish se sa mund të zgjaste, dhe më tha rreth orës 23:00. I kërkova që të rrinte rehat dhe ta shijonte këtë mbrëmje kufi pa e vrarë shumë mendjen, sepse janë disa gjëra që nuk përsëriten dhe kanë një ngjyrim që ngelet në kujtesën e të gjithëve. Ashtu si pa dashje e pyeta se a kishte ndonjë vajzë që e kishte merak. Mohoi sërish me shpatulla, duke më parë në sy, që të kuptonte se a po i flisja seriozisht apo sa për ta provokuar, siç bëj shpesh në biseda spontane. Gjatë kohës që e mohonte, në gjuhën e trupit ndieja se fshihej pas atij mohimi një ndjesi që e ruante si sekret të cilin nuk donte ta ndante me njeri.

Nuk e zgjata më dhe bëra si i shkujdesur, për të mos marrë një përgjigje që e merrja me mend nga ato ndezullitë e fshehura të moshës, që e pasuronin në mënyrë të padukshme. Në fakt, dukej i urtë. Energjitë i shpenzonte në aktet e mirëmbajtjes së trupit dhe për hobi të tjerë, si futbolli. Kontrolloi pak muzikën në makinë e më kërkoi diçka më të fortë, që të na ngrohë. Gjeta një disk me ACDC dhe e ngrita volumin lart, rrita edhe shpejtësinë e makinës dhe u përfshimë në një rrugë kodrinore plot kthesa. Raporti jonë ishte i heshtur; nuk kishim momente për t’iu shfaqur njëri-tjetrit, kjo si rrjedhojë e një varësie të dukshme në raport me të ëmën, me të cilën hapej dhe bënte të papriturin. Përpara kishim një makinë tjetër, luksoze, që m’u duk se po mësynte drejt të njëjtit destinacion, pasi në timon ishte një grua e re që po mundohej për të gjetur rrugën. I bëra dy-tre herë me shenjë që të vijonte herë majtas e herë djathtas.

Me orarin ishim fiks, por para nesh kishin mbërritur makina të tjera dhe po merrnin akomodimin e parë dhe njohjen me ambientin. Makina para nesh ishte me tre mësuese të ftuara nga nxënësit. Të gjitha të veshura e të kërpitura në respekt të festës së tyre. Pasi parkova i zgjata një kartëmonedhë tim biri, si befasisht, duke i thënë ta kesh për çfarëdo të papriture. Më tha se i kishte paguar mami të gjitha, kështu që nuk kam nevojë. I thashë merre, mbaje për siguri, kushedi, është nata jote, do jesh mes damave të vogla. Ai e di se unë i kam dobësi këto momente, se dua të ndihet mirë e jo inferior me shokët. I thashë që të sillej mirë me shoqet, ta kesh si parim. Përballë një femre bëj çmos që të ndihet si mbretëreshë. Është një këshillë që ia jap vazhdimisht: ti ndihu i humbur, edhe kur ke të drejtë se po i bën mirë njeriut që ke përballë. Duhet të kesh stomak të gjerë, të jesh gentleman, ta bësh tjetrën të fluturojë si qendra jote, jo vetëm sot dhe në këtë moshë, por gjithmonë. Po ashtu, i them që të mos hapë luftë me një femër, por t’i japë mundësinë që ajo të ndihet e fituar, mbretëreshë e rrethanës, sepse kjo do të të shpëtojë nga andrallat, keqkuptimet, humbja e kohës, figura e egër dhe gjithçka përmban pasioni i një mashkulli. Më dëgjonte në heshtje dhe buzëqeshte. I pëlqente mënyra se si ia shpjegoja këtë pjesë.

Ndër të tjera po i thosha, në mos tyt eti, përpiqu t’i ngjash gjyshit. Më ndërpreu të qeshur, duke më thënë se do t’i ngjaj gjyshi Mishës, nga mami, se ai më ka rritur. E pashë thellë në fytyrë dhe i thashë: mirë, zgjidhe vetë modelin. Gjyshi nga babi ka qenë një tjetër figurë e urtë dhe e mençur, por ti bëj si të duash. Qeshëm, çikëm shpatullat dhe pastaj humbi brenda në lokal, sikur e përpiu ajo derë. Kisha mjaft kohë që të bëja ç’të doja deri në mesnatë, kështu që u riktheva në Tiranë për të pritur mesnatën.

Kthimi në të njëjtin vend ndodhi diku pas mesnatës. Ishte një hënë e plotë, një natë e kthjellët qershori. Në oazën e zgjedhur ndiheshe si brenda një grope, ku nga pozicioni i makinës shihje majat e disa qiparisave të lartë dhe disa ullinjve që shkëlqenin nën ndriçimin mbrëmësor të hënës. Jashtë ndihej jehona e një muzike të lartë, si një lloj rrokopuje që të jepte idenë e një temperature të lartë e të ndezur. Vendosa të mos përzihem, pasi m’u duk e shenjtë si mbrëmje: nuk do të doja të ndikoja në gëzimin e çliruar të tim biri dhe të të tjerëve. Gjendja ishte e çuditshme, ngaqë në të gjitha makinat e parkuara kishte njerëz si unë, që prisnin me të njëjtin status, atë të “bodyguard”-it të ngjarjes.

Hera-herës, si një eko e zvargur, shkëputeshin vajza që dilnin të harlisura e në gjendje ekstaze nga ajo grykë britmash, duke shkëmbyer fustane e duke bërë selfi krejt shpengueshëm. Ato dilnin dy nga dy, ose edhe më shumë, me të qeshurat e tyre të kthjellëta, duke bërë grimasa gëzimi si në qiell të shtatë.

I shikoja me ngazëllim nga pozicioni i njeriut të fshehur në makinë, dhe më jepnin një lloj gëzimi si të përsëritur këtu e dyzet e pesë vite më pare, pasi edhe mua më ishte shkaktuar e njëjta festë, por në rrethana të tjera dhe në një kohë krejt tjetër. Veç dehja dhe gëzimi ishin të përbashkëta, si dhe historitë e fshehura e të nënkuptuara të kohës që kisha kaluar.

Dalëngadalë, situata gazmore dhe dehëse kish pësuar një tjetër kahje, sepse ishin bërë bashkë prindër e nxënës, dhe kish kërcitur një lëvizje e ndërvarur, që nga kujdestarë të gjendjes u kthyen në protagonistë që festonin bujshëm. Kish gjyshër e gjyshe, prindër, nxënës, mësuese dhe të tjerë që shërbenin në një pakontroll të lartë, pa nyje dhe dallime moshash apo hierarkish; një gëzim i pleksur mes të kaluarës dhe së tashmes, mes kujdesit dhe vetëshprejhjes nën efektin e verës dhe pijeve të ndryshme, si jehona e një gjëje që kish humbur kuptimin fillestar; një lloj anarkie e mrekullueshme, që të jepte gëzim e të bënte të harroje se në këtë vend kishim kaluar trauma të ndryshme kolektive, saqë na kapi dyshimi se a do mund të gëzonim më lirisht e pa kontroll.

Ndërkaq, disa vajza dilnin me kurora lulesh e princeshash mbi koka, duke u hazdisur e duke shkrepur foto në një gajasje të padeshifrueshme. Herazi shoqëroheshin nga djem 16-vjeçarë, edhe ata në të njëjtën ekstazë nga ngjarja e përbashkët.

Më ranë në sy tri vajza që kishin hedhur disa fustane plastikë të tejdukshëm, që dukeshin si ninxha me krahë fluturues, gati lakuriq, në një gjendje transi nga liritë e gjuhës së trupit. Një mrekulli. Djem që u mbanin ballin dhe kujdeseshin që të villnin sa më lehtë. Stomaku i tyre i brishtë qe rënduar nga arratia prej normales në kufijtë e lirisë së çmendur ku lodrohej vagullt e pa destinacion nën qiellin e hapur dhe hënën e përkryer të asaj mbrëmjeje.

Diku nga ora dy pas mesnate më ra celulari, ishte im bir. – Babo, ku je? – Po të pres te parkingu, i thashë. – Eja brenda, më tha. Vijova brenda dhe ballas u ndesha me një grupim djemsh të mbledhur tufë që po kryenin fundin e një feste. U prezantova duke u thënë se jam babai i Boresit. U befasuan pak, sepse isha me maskë e me doreza për shkak të pandemisë. Një frikë e zgjatur si pa kuptim në atë mjedis. Të gjitha kthesat e mia janë të avashta, pasi dashurohem fatalisht me gjendjet që më viktimizojnë. Ndjeva se një mesogrua e kërpitur e simpatike, disi jashtë kontrolli, më tha: – Unë nuk ju njoh. Mbeta keq për pak, pasi kuptova se ajo kishte organizuar festën dhe bënte pjesë në këshillin e prindërve. I thashë se nuk ka tjetër veç meje që ky ta thërrasë babo. Me të qeshur nguli këmbë se nuk më njihte, dhe i telefonoi sime shoqeje, Monikës. Ilariteti zgjatej. Heshta. E kuptova që isha jashtë atmosfere. Pas pak, gruaja me flokë të kuq më bëri me dije se kish marrë miratimin nga nëna e djalit se unë isha babai, kështu që i dha leje që të vinte me mua. Qeshën të gjithë me këtë rast. Mora edhe një lloj qortimi se pse nuk isha shfaqur me kohë si prind në krah të tim biri.

Rruga e kthimit qe po aq e heshtur sa vajtja. Hë, i thashë tim biri, si shkoi? – Shumë mirë, u kënaqëm.

Nuk e ngacmova më, ishte shumë vonë. E lashë në inercinë e emocioneve të bukura që kish kaluar. Më vuri dorën në shpatull e më ra lehtë: – Je bos, më tha. Kaq, dhe u rehatua në sedilje krejt i heshtur. Qe një natë e paharrueshme, nga ato gjarpërueset, që do më ngjitej si uri e mjaftë për ta shkruar, si shenjë kufi e tim biri në stacionet e shumtë drejt përmbushjes së fatit të tij. Qe matura 2020. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH