Një rastësi e çuditshme dhe tepër e pakëndshme ka ndodhur sot në ndeshjet e pasdites në Serinë A, pasi të dy titullarët e mbrojtjes të Kombëtares shqiptare, Ardian Ismajli dhe Berat Gjimshiti, janë dëmtuar dhe kanë lënë fushën e lojës me 4 minuta diferencë nga njëri-tjetri.
Ismajli ishte titullar në ndeshjen e Empolit ndaj Leçes dhe pas një kundërsulmi të miqve, bëri shenjë nga pankina që nuk mund të vazhdonte më duke u shtrirë në tokë dhe kërkuar zëvendësim.
Ndërkohë që po merrte ndihmën e stafit mjekësor, Ismajli u komunikoi mjekëve se kishte marramendje dhe u dërgua menjëherë në pankinë.
Ndërkohë, në sfidën që Atalanta luante si mike në kryeqytet, Gjimshiti u përplas kokë më kokë me një kundërshtar dhe përfundoi i gjakosur në fushë.
Mjekët e fashuan, por dukej se mund të kishte një hematomë, ndaj u kërkua zëvendësimi i mbrojtësit tjetër kuqezi.