Dinamo mposht 1-0 Partizanin në “Elbasan Arena”. E mbushur me emocione, Dinamo dominon ndeshjen dhe gjen rrugën e rrjetës me të zakonshmin Zabërgja, ndërsa Domgjoni humbet një shans të artë në kohën shtesë për të barazuar shifrat.
Nën reshjet e shiut në “Elbasan Arena” mbyllet me fitoren e blube derbi i kryeqytetit Dinamo-Partizani. Djemtë e Ilir Dajës janë më kërkues, por pjesa e parë mbyllet në barazim të bardhë 0-0.
Në pjesën e dytë Dinamo kalon në avantazh me Zabërgjan dhe ka disa mundësi për të dyfishuar shifrat, por është Qirko ai që mban në lojë Partizanin. Në minutat shtesë të takimit, “të kuqtë” fitojnë një penallti (të parën në këtë sezon). Nga pika e bardhë godet Domgjoni, por gjuajtja e tij ndalet në traversë. Mbyllet 1-0 për Dinamon derbi. Blutë ngjiten në kuotën e 54 pikëve dhe mundin për herë të parë këtë sezon Partizanin, që mbetet në kuotën e 44 pikëve.
Teuta fiton 1-0 përballjen direkte ndaj Skënderbeut dhe merr një trepikësh të artë në garën për mbijetesë . Një gol i Tomës në pjesën e parë ka vendosur fatin e takimit.
Durrsakët mposhtin një rival direkt dhe pas këtij trepikëshi ngjiten vendin e 7-të në kuotën e 33 pikëve në tabelën e klasifikimit, duke parakaluar në renditje 3 skuadra (ndonëse diferenca me Skënderbeun e vendit të fundit është vetëm 3 pikë).
Kur kanë mbetur edhe 5 javë nga përfundimi i sezonit lufta për mbijetesë është më e hapur se kurrë, pasi vetëm 3 pikë ndan në renditje Bylisin (vendi i 6-të) nga vendi i fundit.