Federata serbe e futbollit ka vendosur që ndeshja kualifikuese për Kupën e Botës ndaj Shqipërisë të luhet në stadiumin “Rajko Mitić” – i njohur ndryshe si “Marakana” e Beogradit me kapacitet prej mbi 52 mijë vendesh. Ky vendim ka ngjallur shqetësim në opinionin publik në Shqipëri dhe Kosovë, për shkak të ndjeshmërisë që mbart kjo përballje mes dy vendeve.
Media boshnjake “Sportsport” shkruan se ky lajm nuk është pritur me entuziazëm në trojet shqiptare, duke rikujtuar ngjarjet e tensionuara që kanë shoqëruar më parë përballjet mes këtyre dy kombëtareve.
“Ndeshja e parë në Tiranë kaloi pa incidente të mëdha, por edhe pa gola. Organizimi ishte në nivel të lartë dhe serbëve nuk iu mungoi asgjë. Tani shqiptarët presin të njëjtën mikpritje në Beograd”, shkruan portali.
Në Tiranë, tifozëve serbë iu ndalua hyrja për shkak të një penalizimi të mëparshëm nga FIFA, si pasojë e ngjarjeve të vitit 2014. Por për sfidën në Beograd, aktualisht nuk ka ndalim për tifozët shqiptarë, çka ka ngritur pyetjen nëse do lejohen të udhëtojnë dhe të marrin pjesë në stadiumin serb.
Duke qenë një ndeshje me rrezikshmëri të lartë, pritet një prani e madhe e forcave të sigurisë. Deri tani, FIFA nuk ka dhënë asnjë sinjal për ndonjë masë ndaluese, por mbetet për t’u parë nëse do të ndërhyjë për arsye sigurie.