Një grua e re izraelite, një ish -peng e Hamasit, pretendon se është përdhunuar në shtëpinë e saj në Tel Aviv nga një trajner i njohur fitnesi dhe influencues i mediave sociale, pas lirimit të saj nga organizata palestineze.
Mia Shem, 23 vjeçe, e cila u rrëmbye nga Hamasi gjatë sulmit në festivalin e muzikës Nova më 7 tetor 2023 dhe u lirua 55 ditë më vonë, foli me guxim për Kanalin 12 të Izraelit rreth përvojës traumatike që përjetoi.
Gruaja me origjinë franko-izraelite, e cila ishte bërë simbol i situatës së pengjeve kur u shfaq në një video "provë jete" me fasha në dorë, zbuloi se sulmi i ri ndodhi pasi ajo u kthye në shtëpi nga Rripi i Gazës.
"Kjo ishte frika ime më e madhe para dhe gjatë robërisë. Ndodhi pas lirimit tim, në shtëpinë time, në vendin që duhej të kishte qenë më i sigurti për mua", tha ajo në mënyrë karakteristike.
"Ai më drogoi dhe më përdhunoi", thotë 23-vjeçarja për burrin që u arrestua, por u lirua - "Ai më kontaktoi duke më thënë se kishte lidhje në Hollywood dhe se mund të më ndihmonte të tregoja historinë time në ekranin e madh."- shtoi ajo.
Sipas Daily Mail, Sem shpjegoi në intervistën e saj se ngjarja ndodhi marsin e kaluar dhe se që atëherë ajo ka përjetuar probleme serioze psikologjike.
“Erdha ta tregoj historinë ashtu siç është, se u abuzova. Ajo që përjetova më bëri të mbyllem në shtëpi dhe të zhytem në gjendje ekstreme psikologjike”, tha ajo në rrëfimin e saj.
Autori i dyshuar i krimit është një trajner personal, afërsisht 30 vjeç, emri i të cilit nuk është bërë publik. Sipas mediave izraelite, ai është një influencues në fitnes, me klientë nga biznesi i spektaklit dhe politika.
Burri u arrestua nga autoritetet pas ankesës së Semit, por u lirua për shkak të mungesës së provave. Hetimi, megjithatë, mbetet në vazhdim.