Letërsi

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË 2023 - Ja përzgjedhja e gazetës LIBERALE

Shkruar nga Liberale


Ka nga ata që ndezën diskutime në jetën kulturore të qytetit, por edhe të tjerë që mund t’i kenë shpëtuar vëmendjes së lexuesit. Të gjithë libra shqip. Një guidë për t’u orientuar në leximet e pushimeve të dimrit dhe një ide për të bërë dhurata. Gëzuar me një libër!

Autorë bestseller, klasikë, nobelistë, romane e përmbledhje poetike, libra të debatuar e polemikë...Panairi i Librit, si çdo vit, i mbledh të gjithë nën një çadër. Aty ku për një javë libri kthehet në kryefjalë dhe ku shtëpitë botuese ekspozojnë botimet më të reja.

Gazeta dhe Revista Liberale sjell një listë me 10 më të mirët e letërsisë artistike dhe ata nonfiction, të botuar këtë vit.  Një listë që fokusohet vetëm tek autorët e hapësirës shqiptare, për t’i dhënë më shumë zë dhe për ta promovuar edhe përtej ditëve të panairit. 

Ka nga ata që ndezën diskutime në jetën kulturore të qytetit, por edhe të tjerë që mund t’i kenë shpëtuar vëmendjes së lexuesit. Një guidë për t’u orientuar në leximet e pushimeve të dimrit dhe një ide për të bërë dhurata. Gëzuar me një libër!

10-shja e LETËRSISË ARTISTIKE

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË  2023 - Ja përzgjedhja e

“Arratia e Fundit e Baltazar Ketës”, Agron Tufa

Romani ngërthen një rrëfim dinamik në rrafshin e së tashmes, që është i determinuar nga e shkuara dhe e ardhmja. Shtjella e pasioneve njerëzore me misterin e vazhdueshëm, deri në fjalën e fundit, përplas dy prirje të kundërta: njëri, sipas një vektori fizik, synon idealin e lumturisë tokësore dhe tjetri, një vektor i qartë metafizik, synon lartësitë, dehjen dhe ngazëllimin qiellor.

Diskurset e shumta filozofike, etike dhe shoqërore, që përvijohen natyrshëm përgjatë fabulës së magjishme të rrëfimit dhe stilit të zhdërvjellët, e bëjnë këtë roman një tekst sugjestionues, që lexohet me një frymë.

“Nata”, Preç Zogaj

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË  2023 - Ja përzgjedhja e

Përmes  fateve tragjike të personazheve, autori sjell për lexuesit realitetin letrar të tranzicionit shqiptar. Ai na fton në një lexim më të thellë, më analitik me skanimin që i bën shoqërisë shqiptare, në tri dekadat e tranzicionit. Personazhet e  romanit janë heroina tragjike, që mundohen të mbijetojnë dhe të lulëzojnë në mes të një shoqërie që nuk është më vetëm patriarkale, por luan pa rregulla, është kaotike. Me bisturi kirurgjikale ai disekton një nga një fenomenet dhe problematikat. Përndryshe autori e cilëson si anatomia e një vrasjeje. Në fund të këtij leximi ndihemi nga pak viktima dhe nga pak vrasës, të gjithë.

“Duhet të  jetë Dashuri”, Emrie Nurellari

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË  2023 - Ja përzgjedhja e

Martesa, dashuria si një ndjenjë e ndaluar që s’mund të shfaqet haptas, guximi për të thyer normat shoqërore, dashuria midis së njëjtës gjini, bohemizmi dhe guximi për të ndrydhur ndjenjat e fajit, janë temat që vihen përballë një shoqërie që e ka të vështirë ndryshimin.

Shkrimtarja Emrullai, në saje të një rrëfimi të thjeshtë, poetik dhe meditues, ngre pyetje që janë aktuale në brezat e rinj, e po ashtu me një penel të hollë na shpalos një panoramë shoqërore ku e shumëngjyrshmja e ndjenjave dhe dëshirave të brendshme përballet me ngjyrat pothuaj të vdekura të shoqërisë.

“Komploti”, Ben Blushi

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË  2023 - Ja përzgjedhja e

Ngjarjet zhvillohen në vitin 2044, kur në Shqipëri është krijuar një komunitet i madh afgan, ndërkohë që popullsia shqiptare është pakësuar mjaft. Afganët, që tashmë thuajse janë shndërruar në shtet brenda shtetit, kërkojnë të pushtojnë Kosovën për të krijuar një shtet më të madh, ose një Afganistan të ri në mes të Europës. Një plan që shqiptarëve çuditërisht nuk u pëlqen, por nuk kanë forcë ta kundërshtojnë. Rreshtimi i Amerikës dhe Rusisë në këtë konflikt mes shqiptarëve dhe afganëve mund të shkaktojë një Luftë të Tretë Botërore. Në këtë lojë futen edhe tre hebrenj të krisur që, për arsye të ndryshme, përpiqen të thurin një komplot për të penguar pushtimin e Kosovës nga Shqipëria dhe aleancën e kësaj të fundit me Amerikën.

“Lufta e pengjeve”, Gani Mehmetaj

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË  2023 - Ja përzgjedhja e

Ngjarjet në roman lëvizin në kohën kur federata jugosllave nis shkërmoqet e luftërat në Ballkan ndizen sërish.  Ata që rrëfejnë janë tetë ushtarë, prej tetë kombësive të ndryshme, të veshur me një uniformë, atë jugosllave, dhe degdisur diku në humbëtirë. Siç shkruan autori, ata janë para mëdyshjeve halmetiane: të luftojnë për një shtet që po merr rrokullimën  apo të dorëzohen. Ata nuk mendojnë njëjtë, nuk e ndiejnë njësoj luftën, por kanë fat të përbashkët...

Romani  vjen si  përpjekje e shkrimtarit për të rrëfyer, gërmuar e ngacmuar plagë që shkojnë larg në kohë. Më larg se përpjekjet e Kosovës për mëvetësi, më larg se gjenocidet dhe spastrimet etnike ndaj shqiptarëve e madje, edhe më larg se projekti i shtetit federativ të Jugosllavisë.

“Kryevepra të pakryera”, Bashkim Shehu

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË  2023 - Ja përzgjedhja e

Ngjarjet vendosen në Shqipërinë e diktaturës ku një shkrimtar me emrin Mentor Kosturi shkruan 10 kryevepra duke dokumentuar ngjarje e zhvillime, përmes alegorisë mbi pushtetin e komunistët.  Shkrimtari, që autori e cilëson si ndër më të mirët e letërsisë shqipe, ose asaj ë konsiderohet si letërsia e sirtarëve, nuk arriti të përfundojë asnjërën nga kryeveprat e tij, të kyçura në një valixhe. Shehu, i shpluhuron ato, përmes fiksionit letrar...

“Fati i marrë”,  Besnik Mustafaj

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË  2023 - Ja përzgjedhja e

Sipas këtij dokumenti dorëshkrim, gjatë darkës Çerçilli i ka propozuar Stalinit ndarjen me përqindje të influencës në vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore. Konkretisht: Hungaria do të ishte 50 me 50 për qind, Rumania 10 për qind për anglo-amerikanët, 90 për Bashkimin Sovjetik. Edhe Bullgaria mbetej sovjetike 75 për qind, çereku i fundit shkonte për Perëndimin.

E kundërta do të ndodhte me Greqinë: 90 për qind me 10. Jugosllavia 50 për qind me 50. Shqipëria do të ishte përjashtimi i vetëm: 100 për qind për Britaninë e Madhe... Por kishte megjithatë një diçka në atë fletë letër të shkruar me dorën e vet nga Çerçilli, e cila nuk po e linte të qetë kureshtjen e biografit: përjashtimi i Shqipërisë, shtetit më të vogël në atë hartë ballkanike, nga ndarja...

“Pesha e padurueshme e pafajësisë”, Primo Shllaku

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË  2023 - Ja përzgjedhja e

Ngjarjet zhvillohen gjatë dhe pas luftës së dytë Botërore dhe në qendër është një djalosh me emrin Marin - një 19-vjeçar, hidraulik dhe apolitik në Shqipërinë që e bën të njohë gjithë përmasën e sistemit. Për të bota nuk është e ndarë në sisteme politike, por në njerëz të pafajshëm që duan të mbeten të pafajshëm dhe njerëz që nuk duan të mbeten të pafajshëm.

Dy  priftërinj,  një katolik e një ortodoks, i kundërvihen pa e ditur njëri-tjetrit mbi rëndësinë e pafajësisë.

“Zoti qeshi deri në fund”,  Raimonda  Gjençaj

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË  2023 - Ja përzgjedhja e

Një djalosh i pashëm, me moshë sa gjysma e saj, që tundohet nga pasja. Nuk mund të bëhet bir për shpirt i askujt, por duhet të gjejë shtegun për të shtënë në dorë pasurinë. E lehtë nuk është, por jo dhe aq e vështirë për dikë që ka studiuar psikologji... Romani shpreh fuqinë e tmerrshme të parasë që mund të të japë iluzionin e të blerit të rinisë dhe të dashurisë siç ndodh në lidhjen e pazakonshme të pronares dhe psikologut, lidhje dashurore që shpërfill tabunë e moshës, të një pesëdhjetëvjeçareje me një njëzeteshtatëvjeçar.

“Dimri i librave” Bashkim Hoxha

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË  2023 - Ja përzgjedhja e

Në qendër është Adnani, një ish-poet ushtarak që pas ’90 u përshtat me ekonominë e tregut duke krijuar lokalin me emrin “Muza”, ku në një tavolinë të veçantë të saj mblidhen për çdo javë shokët e tij shkrimtarë e poetë: Sokrati, Fatmiri, Simoni, Bela, Sokrati, Mirela…, që diskutojnë për tema të ndryshme e madje recitojnë edhe pjesë nga krijimtaria e tyre dhe shpallin edhe konkursin e më të mirëve. Romani vë në qendër shkrimtarin dhe krizën e leximit dhe ndahet në katër pjesë:  “Koha”, “Atdheu”, “Jeta” “Pranverë, verë, vjeshtë” dhe në epilogun “Dimri”.

10-shja më e mirë "NON FICTION E VITIT 2023" 

Apostulli”  nga Ilir Ikonomi

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË  2023 - Ja përzgjedhja e

Apostulli është libri i parë i një biografie të re për Fan Nolin.  Në këtë vëllim prej 430 faqesh, botim i UET Press, Ikonomi na jep një përshkrim realist dhe me ngjyra të gjalla të Fan Stilian Nolit, në periudhën që fillon me arritjen e tij në Amerikë në vitin 1906 dhe mbaron në vitin 1920, kur ai u largua për në Shqipëri. Si  personazh i shumanshëm, autorit i është dashur të shkrijë në libër një material biografik që ngërthen disa fusha njëherazi. Jeta e Nolit jepet e lidhur ngushtë me sfondin historik të Shqipërisë. Lexuesi ka rast të krijojë një ide të mirë se nëpër çfarë ndryshimesh po kalonin fatet e vendit në atë periudhë tronditjesh gjeopolitike që përjetonte Ballkani.

“Zbulimi i Erosit në antikitet”, Artan Fuga

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË  2023 - Ja përzgjedhja e

Rruga e vërtetë e dashurisë, ku njeriu hyn i frymëzuar nga vetja e tij apo lejon që atje ta drejtojnë të tjerët, është kur niset nga bukuria empirike dhe ngjitet pa pushim drejt bukurisë mbinatyrore duke kaluar hap pas hapi nga dashuria për një trup të bukur në atë për dy trupa të bukur; nga dashuria për dy trupa të bukur te ajo për të gjithë trupat e bukur; pastaj kur kalon nga trupat e bukur te veprimet e bukura; më tej, kur kapërcen nga veprimet e bukura te shkencat e bukura; për të arritur që nga shkencat të ngjitet te ajo shkencë që nuk është tjetër veçse shkenca e bukurisë absolute; për të njohur së fundmi të bukurën, ashtu sikurse ajo është në vetvete.

“Njeriu si një tjetër”, Natasha Lako

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË  2023 - Ja përzgjedhja e

Nga këto shkrime të vendosura një herë e mirë njëra pas tjetrës, edhe unë ndiej se sa të çmuara janë udhëtimet e njeriut në botën e madhe të letërsisë dhe artit, ku gjithkush gjen një vete tjetër, duke u shëruar gjithnjë e më shumë nga uni agresiv që shfaqet në sistemet e komunikimeve të shpejta. Sa më të rëndësishme bëhen fatet kolektive për historinë e një vendi, aq më shumë ato ndërlidhen me fatet personale nga njëri skaj në skajin tjetër të botës. Dhe si nga një gjumë i rëndë prej të cilit porsa jemi zgjuar, gjendemi edhe më pranë Naim Frashërit e Uollt Uitmanit, bashkëkohës të njëri-tjetrit, dy personalitete, që, si për shumë shqiptarë të tjerë, kanë plotësuar edhe ndërgjegjen time...

“Shqipëria dhe fundshekulli i  dëshpëruar”, Pëllumb Xhufi

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË  2023 - Ja përzgjedhja e

...Shqiptarët ndiheshin të braktisur edhe nga paria e vendit. Një pjesë e saj kishte braktisur vendin për t’u shkrirë në fisnikërinë veneciane e napoletane. Ata që qëndruan u vunë në shërbim të regjimit të ri, duke u njësuar edhe në fe me pushtuesin. Fillon një periudhë depresioni, tregues kryesor i të cilit është islamizimi masiv i popullsisë dhe squllja e frymës së qëndresës. Kështu, kur trupat veneciane mësynë mbi Kaninën e Vlorën, më 1690, dhe mbi Ulqinin, më 1696 e më 1718, ndeshën në qëndresën e egër të banorëve, dikur aleatë, që tani i konsideronin pushtues. Ndryshe ishte pritur më 1689 zbritja në Kosovë e habsburgëve.

“Takimet e mia me…”,  Blendi Fevziu

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË  2023 - Ja përzgjedhja e

...Kur shkruaja këtë libër, pata ndjesinë që jam njeri me fat. Nuk qëllon shpesh, qoftë edhe si gazetar, të takosh kaq shumë personazhe më peshë në jetën e një populli, të udhëtosh me ta apo të depërtosh në sekretet më të thella të vendimeve që kanë shenjuar historinë.

Ndaj mendoj se ky libër është një homazh për ta, sa ç’është edhe një kontribut për të gjithë ata që duan të dinë më shumë për historinë e vendit të tyre, për shoqërinë, për personazhet që e dominuan jetën e qytetit në kohë e forma të ndryshme dhe që tani kanë hapur rrugën për një udhëtim të ri. Të atyre që vijnë pas...Shumica e personazheve nuk jetojnë më. Një pjesë tjetër janë tërhequr me kohë nga jeta aktive. Ka të tjerë që janë ende në kulmet e karrierës dhe fuqisë së tyre politike.

“Frashëri i shquar, i panjohur”, Thomas Frashëri

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË  2023 - Ja përzgjedhja e

Në këtë libër vjen historia e një prej familjeve më të shquara të historisë së Shqipërisë,  por njëherësh e njohur edhe në Perandorinë Osmane, - shkruar nga Thomas Frashëri, - me fakte që dalin për herë të parë para publikut. Nuk është thjesht një histori familjare...

“Historia e jezuitëve në Shqipëri”, Ines Murzaka

Në vitin 1841, tre jezuitë mbërritën në qytetin e Shkodrës në Shqipërinë veriore. Tre jezuitët ishin Vincenzo Basile, Giuseppe Guagliata dhe Salvatore Bartoli. Vincenzo Basile ishte themeluesi i misionit jezuit shqiptar. Historia e jezuitëve në Shqipëri ( 1841-1946), të autores Ines Murzaku, profesore e religjionit dhe drejtoreshë e studimeve katolike në Seton Hall University në New Jersey. Libri, si pasqyrë e kontributit të jashtëzakonshëm të jezuitëve në Shqipëri, do të jetë një vlerë e shtuar njohëse, si dhe divulgative për lexuesin e interesuar, si dhe për një publik të gjerë.

“Një urë fjalësh mes nesh dhe tjetrit”, Namir Lapardhaja

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË  2023 - Ja përzgjedhja e

...Letërsia ka shërbyer si kurë për mijëra njerëz. Një kurë edhe për shumë shqiptarë, që të vetmen arratisje, gjatë diktaturës, gjatë izolimit, kishin librat, letërsinë e Kadaresë. Një dritare ku shihnin botën, një dimension ku mund të ishin të lirë. Autori e bën të qartë që nuk ka ndjekur ndonjë teori strikte interpretimi, duke e lënë po aq subjektive dhe të lirë  pikëvështrimin e tij mbi vepra dhe autorë, sa edhe vetë veprat ua lënë lexuesve. Ky është gjithashtu një tekst që mund t’u vijë në ndihmë studentëve të arteve, atyre të letërsisë si një njohje dhe orientim në botën e letrave shqipe.

“Relatat italo-shqiptare, 1910 - 1939”, Tanush Frashëri

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË  2023 - Ja përzgjedhja e

... në etapën e Musolinit, mendohej që Shqipëria të ishte e pavarur dhe me kufijtë e pacaktuar si në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ndërsa penetrimi i Italisë nisi në atë kohë kur u pa se situata e vendit ishte fare përtokë. Tanush Frashëri, autor i disa librave historikë dhe i kërkimeve shumëvjeçare nëpër arkivat e bibliotekave të vendeve të ndryshme të Europës, sjell botimin e ri si një ndihmesë historike bazuar në dokumentet arkivore e ato të botuara.

“Në kërkim të valleve e kangës shkodrane”, Robert Prenushi

10 LIBRAT MË TË MIRE LETRARË  2023 - Ja përzgjedhja e

Studimi "Në kërkim të origjinës së Valleve e Kangës shkodrane" është një përpjekje për të vërtetuar burimin e lashtë dhe origjinal të një pasurie muzikore e etnografike të qytetit të Shkodrës, në shekullin XV. Duke iu drejtuar historisë dhe muzikologjisë, autori analizon eksperiencat e tij personale si dhe shembujt e regjistruar në ekspeditat folklorike, duke filluar nga dukuritë e para muzikore.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH